Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Berisha rrit çmimin e naftës për të kompensuar humbjet që vijnë nga monopoli i Rezart Taçit

Shkruar nga: Mero Baze  
Botuar më: 16 vite më parë

Mero Baze
Berisha rrit çmimin e naftës për të kompensuar humbjet që vijnë nga monopoli i Rezart Taçit

Kuvendi i Shqipërisë pritet të miratojë një ligj, i cili ngre artificialisht çmimin e karburanteve përmes ngritjes së akcizës së tyre, duke rritur ndjeshëm fitimet për pronarët e rinj të ARMO-s, që marrin naftën nga prodhimi vendas. Nafta D1, e cila e ka sot akcizën 27 lekë për litër, do të shkojë në 37 lekë për litër, ndërsa benzina, nga 37 lekë për litër, në 50 lekë për litër. Qeveria nuk ka asnjë argument bindës për këto masa që dëmtojnë realisht tregun e naftës dhe shkojnë në favor të një klienti të privilegjuar të qeverisë, që tashmë është pronar i ish-shoqërisë shtetërore ARMO.

Shkaku, përse qeveria detyrohet t’i marrë këto masa shtrënguese, është i qartë. Edhe kjo është një pasojë që vjen nga manovrat që qeveria bëri gjatë vitit që shkoi për t’i dhuruar kompaninë shtetërore pa pará njerëzve të afërt me kryeministrin Berisha. Për shkak të pafuqisë së tyre për të paguar, qeveria i favorizoi ata duke iu dhënë atyre të drejtën që vetëm ata të tregtojnë naftë D2 në Shqipëri, dhe të ndalojë operatorët e tjerë të importojnë naftë D2 nga jashtë. Duke mos importuar naftë D2 nga jashtë, natyrisht qeverisë i bien të ardhurat nga doganat. Për t’i kompensuar këto rënie drastike të të ardhurave nga doganat qeveria rrit akcizën për naftën D1 dhe për benzinën.

Ky vendim është absurd për shumë arsye. Është absurd për faktin se është pasojë e një privilegji që qeveria i ka krijuar një klienti të kryeministrit. Është absurd, për shkak se në përpjekje për të privilegjuar një operator në tregun e naftës, qeveria po futet në operacione zinxhir vendimesh që synojnë të kompensojnë humbjet që kanë nga monopoli që i kanë dhënë Rezart Taçit. Dhe mbi të gjitha është absurd, pasi synon të motivohet dhe me mbrojtjen e mjedisit. Por një qeveri që synon të mbrojë mjedisin, rrit taksat dhe akcizën për naftën e keqe dhe benzinën e keqe dhe e ul për atë të mirën. Kurse qeveria shqiptare po rrit akcizën dhe taksat për benzinën e mirë dhe naftën e mirë që vjen nga jashtë, me qëllim që të kompensojë humbjet që ka nga të ardhura doganore, për shkak se kompania ARMO do jetë e vetmja që do shesë naftë Ballshi jashtë të gjitha kondicioneve në vend duke ndotur mes të tjerash dhe ambientin.

Kjo manovër e qeverisë është pritur me reagime të ashpra nga opozita dhe operatorët e tjerë të tregut të naftës në vend, por qeveria po anashkalon kritikat dhe po vazhdon të hartojë ligje që shkojnë në favor të forcimit të monopoleve të një kompanie afër kryeministrit dhe të rrisë kostot për qytetarët e saj.

Nëse qeveria nuk do të ishte e detyruar t’i jepte monopol për naftën e Ballshit kompanisë tashmë private ARMO, ajo nuk kishte pse bënte manovra të tilla, pasi operatorët e tjerë të naftës në vend do të importonin naftë D2 dhe do ta konkurronin me cilësi monopolin e ARMO-s. Për të ruajtur këtë monopol qeveria detyrohet të prishë rregullat e tregut, të deformojë sistemin fiskal dhe të taksojë më shtrenjtë naftën cilësore, e cila nuk ndot ambientin, se sa naftën e Ballshit, e cila praktikisht është e papërdorshme dhe shumë e rrezikshme për shëndetin.

Së fundi, këtu kemi dhe një histori të re korrupsioni. Rritja e çmimit të naftës që vjen nga importi, do të detyrojë dhe “Taçi Oil”, dhe ARMO-n, që tashmë janë e njëjta kompani, të shesin po me këtë vlerë të rritur në treg, por ata nuk furnizohen më nga jashtë, por nga “Albpetrol”, një shoqëri ende shtetërore, me çmime jo-transparente dhe me një mekanizëm të frikshëm korrupsioni. Shumë nga sasitë e futura në treg ata mund të mos i deklarojnë dhe kështu ata shesin shtrenjtë një naftë që kanë blerë thuajse fare lirë, duke iu ofruar kështu zyrtarisht një mundësi për të bërë miliona në kurriz të qytetarëve shqiptarë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama