Përse nuk ngjit sulmi i Panoramës?

Shkruar nga: Mero Baze  
Botuar më: 10 vite më parë

Mero Baze
Përse nuk ngjit sulmi i Panoramës?

Prej disa ditësh gazeta Panorama ka nisur një sulm ndaj Ministrit të Transportit dhe Punëve Publike, Sokol Olldashi. Shkurtimisht bëhet fjalë për një urdhër të Ministrit Olldashi, i cili ka çuar në firmosjen e një kontrate mes Ministrisë së tij dhe një kompanie private për shtrimin e linjave të internetit në gjithë Shqipërinë drejt pikave kufitare dhe përpjekja për ti dhënë kësaj kompanie një lloj monopoli. Ka disa ditë që Panorama, në vend që të merret me qeverinë për këtë skandal, ka filluar të merret me opozitën dhe medien tjetër që hesht për sulmin e Panoramës.

E vërteta nuk është kështu. Së pari gazeta Tema botoi për tri ditë rresht detajet e skandalit, por duke e shpjeguar gjithë problemin. Problemi është se Sokol Olldashi ka nënshkruar një kontratë me një kompani të maskuar të Bashkim Ulajt, biznesmenit të familjes Berisha. Këtë gjë Panorama nuk e thotë kurrë. Por, po nuk tha këtë, nuk ka thënë asgjë nga skandali, pasi nëse ajo kërkon të gjejë shkaqet pse nuk flet opozita, duhet të na tregojë një herë pse hesht Berisha. Berisha hesht se Panorama duke u nisur të kapë Olldashin, ka kapur Berishën, dhe bën sikur nuk e kupton. Pra, problemi i parë moral pse nuk ngjit Panorama ka të bëjë me një personalizim që pronari i gazetës i ka bërë betejës me një ministër, i cili natyrisht që ka shkelur ligjin dhe duhet të përballet me atë që ka bërë.

Problemi i dytë përse nuk ngjit Panorama është raporti hipokrit që ajo ndërton me sfondin e këtij biznesi. Më 26 shtator Genc Pollo do të bëjë një tender ku do të shpallë një kompani fituese për të marrë me koncesion pikërisht këtë shërbim. Unë nuk mund të paragjykoj Pollon duke menduar që, meqë gjithë gjërat i ka bërë në jetë me një biznesmen, me atë do bëjë dhe këtë rrjet informatik, por ama po u shfaq emri i I.Mulletit, kam të drejtë të paragjykoj për shembull. Dhe në këtë rast Panorama duhet tu shpjegojë lexuesve se kujt i ka hyrë në hise projekti Ulaj- Olldashi.

Problemi i tretë dhe më mistrec, që e bën Panoramën të mos ngjitë në këtë histori, është përdorimi i këtij skandali për luftëra të vogla brenda PD-së. Lulëzim Basha ngelet gjithë ditën duke udhëzuar Panoramën ku ta vërë titullin për Olldashin dhe Pollo gjithë ditën duke i furnizuar me dokumente. Është e drejtë e njerëzve në PD ta përdorin këtë rast kundër Olldashit, dhe nga kjo nuk ka asgjë të keqe, por Panorama në të vërtetë i ka hyrë pa dashje një beteje më të madhe se kaq. Duke ngatërruar Ilir Metën me Sali Berishën, ndoshta botuesi i Panoramës mendon se Berisha është si Meta që po ti ngacmosh ndonjë ministër të jep ndonjë lek. Po e ka marrë kështu këtë betejë, e ka gabim. Për interes publik është mirë që Panorama ka kapur pikërisht arkëtarin e familjes Berisha në këtë detaj të pastër të kapjes së shtetit, por nuk duhet të frikësohet dhe të bëjë sikur nuk e ka kapur.

Njeriu që ka përfituar nga ajo kontratë është Bashkim Ulaj. Kush nuk e di, të pyesë kush është. Ka fabrika çimentoje, miniera, hidrocentrale, po merr depozita çimentoje në port, pallate pa fund, dhe këtë projekt. Do të ishte lajm i madh nëse Olldashi i ka marrë pare këtij njeriu, pasi përpos faktit që kemi një ministër të korruptuar, kemi një lajm të madh që Familjes i ka rënë pushteti dhe gjobitet nga ministrat. Por unë nuk e shikoj askund këtë gjë. Unë shikoj që Familja sillet ende si Familje ndaj gjithkujt që ka futur në pushtet, dhe nuk ka shkuar tek faza degraduese të ndajë lek me ministra. I do të gjitha për vete. Në këtë aspekt Olldashi duhet ndëshkuar që pranon të vërë Familjen mbi ligjin, por Panorama duhet ndëshkuar që shtrembëron të vërtetën dhe vë Olldashin mbi Familjen.

Pjesa e dytë e debatit që hap Panorama është dhe më qesharake. Ajo i thotë opozitës përse nuk i bashkohet kritikave të saj. Opozita është boll e dobët dhe klienteliste në këtë vend, dhe do të ishte një dobësi e madhe e një klientelizëm i madh ti bashkohej fijes së perit mbi të cilën ecën pronari i Panoramës në këtë luftë. Ai thotë vishni këpucë me taka dhe eja të shkojmë në luftë të vrasim Sokol Olldashin, po kujdes mos shkelni Berishën, kujdes mos prekni Pollon, kujdes mos shkelni Bashkimin, aman mos u del Zeni gjëkundi- bëni sikur nuk e shikoni, kujdes mos të duket sikur jam në luftë me qeverinë….

Kjo është një tallje e madhe. Opozita i bashkohet jo Panoramës, por çdo zëri kritik në vend nëse ky zë dhe ky faktor opozitar kërkon ndryshimin e pushtetit dhe godet kokën e së keqes. Në luftë me Berishën nuk shkohet me taka, por me çizme. Kjo kënetë nuk çahet duke shkulur ndonjë kallam, por duke i tharë ujin.  Kjo është arsyeja që Panorama nuk ngjit, pikërisht pse thotë vetëm një pjesë të vogël të së vërtetës. Dhe forcon idenë për medien klienteliste. Sokol Olldashi është ushtar në këtë histori, por druaj se Sali Berisha është i gatshëm të sakrifikojë një ushtar për të kënaqur një oreks, pasi rrezikon të krijojë një traditë të pasigurt për raportet e tij me medien klienteliste të tij. Për më tepër duket qesharake kërkesa që opozita të ketë mundësi të heqë Olldashin dhe të falë Berishën.

Ndaj beteja e drejtë, por e pandershme e Panoramës, po sillet në një rreth vicioz. Olldashi ka bërë boll gabime në këtë histori, Ai ka firmosur gabim, është mbrojtur gabim dhe po vepron gabim. Por druaj se Panorama pa dashje ka bërë një gabim më të madh se Olldashi. Ajo është nisur të bëjë Berishën aleat kundër një ministri që nuk i ka dhënë gjë dhe pa dashje ka bërë armik Berishën. Kjo është vlera e vetme që shikoj në këtë histori deri tani. Mirëserdhe në klubin tonë! Paç fat dhe me krahë të lehta.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama