1 Qershori, ose dita e fundit e shkollës Berisha për fushatat elektorale

Shkruar nga: Mero Baze  
Botuar më: 13 vite më parë

Mero Baze
1 Qershori, ose dita e fundit e shkollës Berisha për fushatat elektorale

Çelja zyrtare e fushatës elektorale të PD i përngjante 1 Qershorit të shkollës Berisha, ku nxënësit ishin të gjithë të shthurur, rregulli mungonte dhe mbi të gjitha pjesëmarrja ishte e tillë që tronditi themeluesin e kësaj shkolle. Sali Berisha, lideri që është tipizuar me shkollën e mitingjeve të mëdha politike dhe retorikën e fortë në hyrje të fushatave, dje përjetonte ditën e fundit të shkollës së tij politike, e cila për koincidencë ishte po ashtu 1 Qershor.

Partia Demokratike çeli fushatën në një atmosferë të vakët, shumë larg mitingjeve të saj madhështore dhe surprizave në çeljet e fushatës. Disa grupe muzikore të ftuara për të tërhequr mbështetës në shesh u detyruan të këndojnë në një shesh thuajse të zbrazët pas ikjes së liderit të PD, Sali Berisha.

Ceremonia e hapjes së fushatës ishte e pamenduar, dhe rrezatonte mungesën e një ekipi drejtues për fushatën. Fjala e zotit Berisha ishte po ashtu një reflektim i sheshit të pambushur dhe mungesës së entuziazmit.

Ky ishte një nga mitingjet nën mesataren e saj të zakonshme për 18 vite në çelje të fushatave elektorale. Nën mungesën e qartë të frymëzimit nga sheshi i pambushur, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, mbajti një fjalim spontan, të papërgatitur, që i ngjante një fjalimi të zakonshëm në një miting elektoral. Ai foli në përgjithësi për ëndrrën evropiane të shqiptarëve dhe përsëriti retorikën e investimeve publike dhe rrugës Durrës-Kukës.

Çelja e vakët e fushatës elektorale nuk pasqyron doemos ritmin elektoral të Partisë Demokratike, por mungesën e organizimit të fushatës nga ana teknike. Futja e fushatës së PD në spiralen e imitimit të fushatës së Partisë Socialiste i ka hequr asaj origjinalitetin dhe fuqinë e mitingjeve. Fushata, e cila do të çelej ditën e shtunë, u shty për të hënën për mungesë organizimi, për të parë ndërkohë dhe çeljen e fushatës së PS. Fakti që Edi Rama u shfaq me një këngë të tijën, duket se nxiti PD të bënte një këngë brenda 24 orëve, e cila përmend refrenin e saj “Shqipëria po ndryshon”. Pra, zoti Berisha po tenton t’i ikë identitetit të tij në fushata dhe të krijojë një fushatë miks që duket qartazi që nuk i funksionon. Është e padobishme që një turmë, e cila është mësuar të mblidhet në shesh me këngën “Azem, ti je gjallë”, të përpiqet të imitojë “Repistët” e Edi Ramës.

Po ashtu, vendosja në qendër të fushatës vetëm e kryeministrit Berisha ishte një ndryshim thelbësor nga kompleksi i zërave që u shfaqën në tribuna në fushatën e vitit 2005, që nga ish-themeluesit e PD e deri te të rinjtë e KOP-it të afruar në të. Fushata e vitit 2005 ishte fushatë e përgjegjësive të përbashkëta dhe e një ekipi që kishte një projekt për pushtet. Në ndrysim nga ajo fushatë, kjo që startoi dje është fushatë e kryeministrit, i cili flet në emër të qeverisë së tij dhe projekteve të tij. Ky ndryshim drastik i natyrës së fushatës ka zbehur numrin e aktorëve që kontribuojnë për të dhe ka ulur përgjegjësinë e garës. I vetmi njeri që shfaqej para kamerave si konsulent i zotit Berisha ishte një person qesharak që ka mbajtur katër vite çelësat e dyerve të kyçura të PD.

Një tjetër fenomen që ra në sy ishte dhe mungesa e pjesëmarrësve nga rrethet fqinje në miting. Mitingjet e mëdha të Tiranës kanë pasur gjithmonë protagonistë nga Durrësi, Elbasani, Kavaja apo dhe Fieri, Vlora e Shkodra. Dje, me përjashtim të Elbasanit, kjo gjë nuk reflektohej në shesh dhe duket se është shenjë e impaktit që ka në këto rrethe lista e sigurt e kandidatëve për deputetë dhe ikja nga përgjegjësia për të menaxhuar trupën elektorale. Ndryshe nga mitingu i NATO-s, ku qeveria mobilizoi çdo drejtor ndërmarrjeje nga Shkodra në Sarandë të sillte njerëz në Tiranë, në këtë miting u pa se fuqia e trupave elektorale në rrethe është e dobët në raport me fuqinë e ekzekutivit.

Madhësia e mitingjeve nuk është ndonjë shenjë domethënëse për fushatat, por Partia Demokratike në ndryshim nga Partia Socialiste ka në traditë mitingjet e mëdha në Tiranë në hapje dhe mbyllje të fushatës elektorale. Partia Demokratike i ka pasur shpesh mitingjet e saj më të mëdha se rivalët e vet, dhe kur PD ka humbur zgjedhjet. Ky është rasti i parë që Partia Demokratike ka një miting më të vogël se kundërshtarët, edhe pse ajo vazhdon të këmbëngulë se do të fitojë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama