Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Problemet e Ramës

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 15 vite më parë

Mentor Nazarko
Problemet e Ramës

Në paraqitjen e fundit në Kongresin elektoral të PD-së, zoti Berisha duke u kujtuar për ligjërimin e vet 4 vjet më parë kur i kishin këshilluar të mos përmendte fare emrin e Fatos Nanos, nuk e përmendi emrin e Edi Ramës. Por besnik i lojërave verbale tipike të tijat, që kanë në bazë krijimin e “realiteteve” dhe komentimin shterues të këtyre “realiteteve”, në fund të fjalimit Berisha e konsideroi moskandidimin e Ramës si “kokë e falur”. Pra, si njëlloj dobësie ekstreme të Ramës të shpallur publikisht. Viktima të këtij “realiteti” krijuar prej zotit Berisha mund të jenë dhe njerëz të arsyeshëm që e konsiderojnë këtë veprim  të Ramës si frikë nga humbja... e zgjedhjeve politike dhe ruajtje prej tij të kolltukut të bashkisë.

Përkundër këtij mendimi që konsolidohet edhe nën ndikimin e atij që bërtet më shumë, rivalit të Ramës, ky vendim duket në më shumë aspekte një zgjidhje racionale dhe jo një problem i Ramës. Janë disa arsyet. Rama praktikisht ruan të paprekur një qendër fuqie, pushteti të gjithanshëm, politik, material, në burime njerëzore etj., si bashkia, qendër që do ta humbte apo nuk do ta dispononte tamam siç duhet nëse do të dorëhiqej. Praktikisht me zgjedhjet parlamentare po përplasen dy qendra të rëndësishme pushteti: ekzekutivi dhe bashkia e Tiranës, kështu që Rama s’mund të dilte me duart në xhepa përballë ekzekutivit. Për më shumë ai s’do të ishte i qetë, sepse pas tij vinte një parti si ajo socialiste, që nuk mund të quhet plotësisht besnike në nivelet e aparatçikëve. Rama do të ketë njëlloj si Berisha (kush e kontrollon Berishën sa të ligjshme janë përdorimet e mjeteve financiare apo materiale të shtetit në fushatë?), një aparat administrativ relativisht eficient dhe shumë më shumë eficient se Partia Socialiste që do ta ketë mbrapa gjithashtu. Arsyeja e parë pse Rama vendosi të mos kandidonte, duket pra e lidhur me pragmatizmin ekstrem, që mund të mos konsiderohet i bazuar etikisht, por politikisht.

Nëse Rama do ta kishte frikën e humbjes, ai mund të kërkonte në kohën e marrëdhënieve të mira me Berishën të ndryshonte dhe atë nen të Kushtetutës që trajton papajtueshmërinë e mandateve të deputetit me të të zgjedhurit në pushtetin lokal. Kjo papajtueshmëri nuk është parim universalisht i pranuar në të gjithë kushtetutat. Mjafton të shikosh realitetin kushtetues italian dhe të disa vendeve të tjera perëndimore për t’u bindur për këtë të vërtetë. Nëse Rama do ta kërkonte këtë ndryshim bashkë me të tjerët, Berisha do ta pranonte për më shumë që dhe atij do t’i shkonte mbroth. Janë disa të zgjedhur lokalë që Berisha ka preferuar t’i përfshijë në listat për zgjedhjet parlamentare, diçka e verifikuar dhe në zgjedhje të tjera për parti si PD dhe PS, që gjithsesi nuk kanë aq shumë figura publike për të kandiduar në nivele lokale. Askush nuk mund të thotë se brenda neneve të ndryshuara të Kushtetutës nuk ka patur dorë Rama, i cili njëlloj si Berisha ka dashur të forcojë dhe më tej figurën e kryeministrit, të dobësojë atë të presidentit, të prokurorit të Përgjithshëm dhe të zbehë forcën e Parlamentit në rastin e mocioneve të besimit dhe mosbesimit. Kemi qenë dhe jemi kritikë për ndryshimet kushtetuese, por ama jemi të bindur, se nëse Rama do të dëshironte dhe këtë ndryshim do ta arrinte atë. Jo duke e motivuar etikisht, sakohë që ai bllokon qarkullimin e elitave, por ama pragmatikisht Ramës do t’i interesonte më shumë ta rregullonte kushtetutshmërisht këtë handikap të krijuar sot.

Vendosja e kreut të një partie apo koalicioni në krye të një liste proporcionali rajonal dhe për pasojë zgjedhja e tij në parlament nuk përfaqëson një domosdoshmëri propagandistike (pra për gjatë fushatës) apo praktike, d.m.th (pas marrjes së pushtetit dhe shndërrimit të tij në kryeministër).

Në proporcionalin rajonal zakonisht në krye të listave vendosen figura që kanë një lidhje me territorin dhe që përfaqësojnë autoritete të padiskutueshme për atë rajon. Rama përfaqëson dikë të supervotuar në nivel Tirane, kështu që ai nuk kishte nevojë të votohej tani, për t’u testuar apo për t’u quajtur se “hyri në lojë”. Ai ka qenë dhe është në lojë praktikisht në të gjithë zonat. Kjo është një betejë për jetë a vdekje për Ramën që me këto zgjedhje o arrin kulmin e një karriere politike vetëm në ngjitje, ose tërhiqet përfundimisht prej saj. Një Ramë që humb zgjedhjet, i shkarkuar nga partia e vet sipas statutit do të jetë një Ramë i mjerë në krye të bashkisë, që mund të jetë lehtësisht i atakueshëm nga të gjitha anët, pra dhe nga institucionet e drejtësisë, nën presionin e rivalit të vet Berisha. Më shumë duket jashtë standardit të lidhjes së të parit të listës me territorin, fakti se Rama ka vendosur në krye të listës së Fierit apo të Gjirokastrës, Durrësit etj., figura të kryesisë që s’kanë lidhje me ato qarqe sesa moskandidimi i Ramës në krye të listës së Tiranës.


Në planin propagandistik Rama njëlloj duhet të luftojë në të gjitha zonat, pa u akuzuar se po investohet më shumë në njërën apo tjetrën dhe realisht ai do të jetë në krye të listave të të gjithë qarqeve. Duke mos u kandiduar ai i lë zonën të lirë një figure tjetër. Por kjo nuk do të thotë se duket zgjidhje e drejtë vendosja në krye të Tiranës e një zonje që nuk identifikohet domosdoshmërisht me Tiranën, për më shumë duke patur parasysh asocimet me të parin e listës së PD-së në Tiranë, Berishën.

A ekziston perceptimi për të cilin friken një pjesë njerëzish të arsyeshëm se moskandidimi i Ramës, i përkthyer si frikë e tij nga humbja do të demotivojë socialistët? Kjo është për t’u provuar, por s’mund të thuhet që sot me siguri. Elektorati tradicional do të votojë PS-në, në të gjitha rastet, me apo emrin e shkruar të Ramës në krye të listës, ndërsa për elektoratin e ri, apo të lëkundur mund të thuhet se të gjithë janë të qartë se cili do të jetë rezultati i votimit: nëse fiton e majta, Rama do të jetë kryeministër dhe e anasjellta.

Por le të shkojmë në planin praktik, pra nëse e majta fiton. Mbi të gjitha qenia e kryeministrit deputet nuk është domosdoshmëri. Kryeministri i ardhshëm dhe në përgjithësi kryeministrat mund të marrin pjesë në çdo seancë parlamenti, të flasin kur të duan, ta komandojnë grupin parlamentar pa qenë pjesë fizike e tij në përditshmërinë politike, me përjashtim të votimit në seanca plenare. Për më shumë me ndryshimet kushtetuese, kryeministri forcohet përballë rreziqeve të krizave parlamentare, kur ai mund të detyrohej të linte ekzekutivin dhe të dilte jashtë Parlamentit, madje dhe jashtë politikës. Logjikisht nëse Rama do të duhej të kishte frikë, duke ruajtur një mandat për veten, rreziku ekziston vetëm nëse dorëhiqet, apo e rrëzojnë nga detyra e kryeministrit. Atëherë i bie të dalë totalisht jashtë politikës. Sepse nuk do të ishte më deputet.
 
Problemet e vërteta të Ramës

Por problemet e vërteta të Ramës nuk lidhen me moskandidimin. Në këto katër vjet, Rama nuk arriti të afirmojë bindshmërisht siç duhet një grup politikanësh të rinj (me disa përjashtime), që do të duhet të ishin trajnuar në ashpërsinë e politikës, të debateve të saj, të azhornoheshin me të vërtetat dhe gënjeshtrat e politikës së kundërshtarit. Të arrinin shumë kohë më parë të na bindnin se kishin krijuar projekte, programe sektoriale që do të harmonizoheshin në një program kombëtar në krye të 4 vjetëve. Rama vetë nuk duket i trajnuar për të përballuar debate të forta përballë gazetarëve apo rivalit të vet. Nëse Rama injoroi rivalët e vet në bashki, duke mos dalë në debat përpara tyre, ai duhet të dalë përballë Berishës. E vërtetë është se debatin përgjithësisht e kërkojnë të dobëtit, sfidantët, por Shqipërisë i duhet një debat i dy alternativave me rregulla precize si kudo në perëndim. Por që Rama të dalë në një debat të tillë ai duhet të tregojë disa cilësi.

Rama duhet të tregojë se është i  mirinformuar për gjithçka, gjë që rivali i vet e ka, ose duket sikur e ka. Për të gjithë sektorët e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit. Të heqë dorë nga alergjia për shifrat, që praktikisht i ka krijuar hapësirë partisë në pushtet për të manipuluar me shifra që duken tronditëse. Askush në partinë e tij nuk duket se është angazhuar për të çmontuar vërtetësinë e atyre shifrave.

Rama duhet të tregojë kompetencë në kuptimin e problemeve ekonomike kombëtare. Pra jo thjesht të dëftejë njohje të tyre, por dhe zgjidhje të tyre në afat të mesëm dhe afat të gjatë. Ai duhet të kujdeset të mos lëshojë deklarata refuzuese të investimeve të huaja, të cilat do t’i pranojë nesër.

Rama duhet të ofrojë teza të reja për politikën e jashtme të vendit, për çështjen kombëtare, për marrëdhëniet me fqinjët. Deri më tani nuk duket se e ka bërë këtë në mënyrë bindëse.

Rama duhet t’i kthejë ligjërimit të tij një element tjetër, paparashikueshmërinë që e bënte atë tërheqës në forume publike. Por mbi të gjitha konkretësinë që e kishte me tepricë dikur. Ligjërimi i tij shpesh është sloganesk, i rrokëzuar (me disa përjashtime pozitive si p.sh. manifestimi për një vjetorin e Gërdecit, apo momenti i paraqitjes së programit).

Në ligjërimin e tij, por dhe të njerëzve të tij duhet përfundimisht të strukturohen në mënyrë kapilare disa çështje për të cilat do të sulmohet me forcë qeveria. Çështja e Gërdecit dhe implikimi eventual i kryeministrit dhe familjarëve të tij për të cilën e majta është investuar shumë, praktikisht është duke u administruar në mënyrë të dobët në planin propagandistik. Po ashtu dhe akuzat ndaj familjarëve të kryeministrit janë të ndërtuara gjithashtu në një bazament të dobët, kryesisht etik, por jo mbi atë të përgjegjësisë juridike, të konfliktit të interesit etj., etj. Dështimi në lëvizjen e lirë, që Berisha po e paraqet madje si arritje, gjithashtu është një drejtim ku e majta s’ka krijuar epërsi propagandistike.

Për këto arsye, por dhe për të tjera, e majta ende nuk duket se ka krijuar plotësisht frymën fituese në këto zgjedhje siç rezulton nga sondazhet. A do të mjaftojnë 40 ditë për të krijuar diferencë fituese, kjo mbetet për t’u parë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama