Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Vëzhgime mbi betejën që sapo nisi

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 15 vite më parë

Mentor Nazarko
Vëzhgime mbi betejën që sapo nisi

Tani që partitë politike kryesore dorëzuan listat e kandidatëve të tyre në KQZ, mund të thuhet se ushtritë kanë zbritur në fushën e betejës. Të rreshtuara dhe gati për luftë frontale, që për shkak të formulës zgjedhore megjithatë pritet të ketë plot të  papritura. Megjithatë diçka mund të thuhet që tani rreth disa ngjarjeve që i paraprinë dorëzimit të listave dhe përmbajtjes së tyre. Po e nisim me disa elementë të përbashkët për atë se ç’implikon kjo formulë në cilësinë e fushatës dhe të listave gjithashtu.
Cilësia e listave

Proporcionali rajonal shënon si çdo formulë, pjesë e familjes së proporcionaleve, rritje maksimale të fuqisë së kryetarëve të partisë, që kanë në dorë hartimin e listave. Po t’i referohemi qoftë praktikës si u formuluan listat, apo dhe statuteve të partive, ato u formuluan në qendër, praktikisht nga krerët e partive që në këtë moment janë të plotfuqishëm. Asnjë parti madje nuk u mburr me shkallën e lartë të demokracisë së vet, duke thënë se një pjesë të kandidatëve i propozoi baza. Gjithçka u vendos në qendër dhe kjo përveç moment përgjegjësie ka qenë një ndër momentet kryesore të kënaqësisë së karrierës politike për liderët e dy partive kryesore që po marrim në analizë, Sali Berisha dhe Edi Rama.

Proporcionali rajonal si pasojë e kësaj mënyre përzgjedhjeje të listës, shmang fokusimin tek cilësitë e kandidatëve, tek përplasja e tyre e egër në çdo zonë dhe personalizon betejën elektorale sipas fytyrës së krerëve. Praktikisht do të kemi Sali Berishën përballë Edi Ramës në të gjithë territorin, përplasjet e modeleve të tyre të qeverisjes në ekzekutiv dhe bashki, diçka që e bën gjithsesi më të mërzitshme fushatën. Me elementë të përsëritur në të gjithë forumet e debatit apo të propagandës zgjedhore.

Për këtë arsye - përplasen dy individë - ndoshta fushata mund të ishte më pak e kushtueshme, dhe mund të mos nevojitej kaq shumë bredhje udhëheqësish nëpër gjithë territorin, duke ia besuar mediave kombëtare detyrën e lançimit të mesazheve, por palët nuk duket se do bëjnë kështu. Kjo përplasje për dy liderët kryesorë është për jetë a vdekje. Sali Berisha nëse humb duhet të dalë nga politika dhe mund të hyjë në telashe gjyqësore nëse mbajmë parasysh proceset në vazhdim; dhe Edi Rama nëse humb, duhet të dorëhiqet nga kryetar i partisë dhe me shumë vështirësi mund të ruajë bashkinë pa mbështetjen e të vetëve, nëse nuk i vërsulet prokuroria nën ndikimin e ekzekutivit. Nëse fiton Berisha praktikisht bëhet i pamposhtshëm bashkë me klanin e vet: mund të zgjedhë presidentin dhe të bëjë ç’të dojë për nja katër vjet. Nëse fiton Rama do të vazhdonte të korrte fitoren e radhës në listën e gjatë të tyre që nga 1998.
Le të merremi pak me listat. Ndërsa Rama ka preferuar të përfshijë në listë figura miqsh apo pjesë të stafit të bashkisë, Berisha ka hedhur në betejë shumicën e këshilltarëve të tij.

Partitë kanë preferuar të vendosin në krye të listave figura tradicionale drejtuese, diçka që nuk duket shumë e justifikueshme veçanërisht për PS-në, që i referohet shumë së ashtuquajturës politikë të re. Të vjetrit e PS mund të fitonin dhe duke qenë të dytët apo të tretët në lista, ndërsa simbolikë më të fortë do të prodhonte vendosja në krye të listave e figurave të reja me reputacion lokal apo kombëtar.

Listat e partive politike kanë një fjalë kyçe: të vendosen emra të njohur me çdo kusht, futbollistë, aktorë, figura të shoqërisë civile, pedagogë deri në nivelin e rektorëve etj.

Në kërkim të figurave që kanë qoftë dhe vizibilitetin më të vogël publik, partitë i kanë grabitur shoqërisë civile, universiteteve dhe institucioneve individë që mund edhe të vendosin në impas punën e organizatave ku kanë punuar dhe të vënë në diskutim seriozitetin e institucioneve që drejtojnë. Po ashtu janë afruar njerëz nga biznesi, kryesisht ata që kanë dukshmëri publike, pa folur për nëntokën që gjendet mbrapa përfshirjes së tyre në listë. Është e vështirë të japësh përkufizime shteruese për listat, dhe suksesshmërinë e tyre, por ndërsa për listën e PD-së mund të thuhet se ka sakrifikim të figurave të njohura, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për listën e PS, hiq Meidanin apo Nanon që dhe mund të ishin në listë. Për Meidanin, Rama afroi një alibi që duket e besueshme për momentin, por që pritet të testohet. Ndërsa për Nanon nuk dha asnjë shpjegim, besnik i ligjërimit të tij aktual ku s’ka asnjë informacion. Dhe ka injorim të rivalit sipas një skeme të aplikuar nga Rugova.

Cilësia e debateve publike

Dalja e listave që mbajnë fytyrën e dy krerëve Rama dhe Berisha është paraprirë nga debate të shumta, organizuar në media të ndryshme, por le t’i referohemi atyre më kryesoreve. Pa i hyrë mënyrës sesi janë organizuar ato, nevojës për procedurializim të debatit, le të tentojmë të fiksojmë disa veçori të këtyre debateve që në fakt zhvillohen në disa plane: në atë të përmbajtjes politike; në atë të ligjërimit apo aktrimit në përgjithësi; në atë të batutave hidh e prit, e pse jo dhe në planin estetik. Duket sikur çdo debat mbart në vetvete njëherësh këto lloj debatesh, edhe pse çdo shikues votues potencial e jep rezultatin në varësi të asaj që kupton. Nëse kupton vetëm batutat, mund t’ia japë gabimisht fitoren atij që bën më shumë batuta, pa e vrarë mendjen për argumentet e palëve. Bash për këtë arsye të vlerësosh performancën e palëve thjesht mbi debatet, duket e vështirë dhe nuk gjen njerëz që të mendojnë njëlloj rreth rezultateve të tyre.

PD rezulton të ketë qenë më e përgatitur në debate. Edhe debatues që s’kanë patur lidhje me ekonominë kanë disponuar dhe përdorur me njëlloj efikasiteti në debat shifra dhe të dhëna mbi punën e qeverisë, apo mbi atë të bashkisë së Tiranës. Përgjithësisht PD ka futur në debate njerëz me eksperiencë në to, luftëtarë agresivë që s’falin askënd dhe mund të duket kështu se përballë figurave të reja të PS, PD i ka fituar debatet. Edhe Berisha ka dalë përgjithësisht mirë në përplasjet e tij me gazetarët, ndërkohë që s’mund të thuhet e njëjta gjë për Ramën. Ndërsa për Berishën mund të thuhet me siguri se përfundimisht ai ka alibi të përpunuara për gjithçka, edhe për sendet më të parëndësishme, të formuluara mbi bazën e eksperiencës, talentit propagandistik, agresivitetit, njohjes më të mirë të problemeve, për Ramën nuk mund të thuhet kjo. Rama vërvit shumë argumente në fushën e etikës, në fushën e teorisë politike, jo aq shumë në version denoncues dhe mbi të gjitha tregon se nuk zotëron informacion për cilësinë e politikës reale, punën e qeverisë, të metat e saj, etj.

Ndërsa është dukur qartësisht se PD, pra dhe Berisha e ka strukturuar propagandën e vet mbi disa boshte të qarta, mbi disa informacione të njëjta, mbi disa teza të paralajmëruara, fryt i përgatitjes nga e njëjta dorë, nga i njëjti shtab, me PS nuk ka ndodhur e njëjta gjë. Debatuesit e saj shpesh nuk kanë përdorur informacion, por slogane, kanë injoruar apo nuk kanë përdorur shifra as në mbrojtje, as në sulm, dhe ligjërimi i tyre ka qenë individual dhe jo i strukturuar sipas një mendjeje apo një shtabi strategësh. Dhe mbi të gjitha, ndërsa Edi Rama i ka hedhur direkt pa shumë përgatitje figurat e veta të reja në mes të oqeanit, PD i ka kursyer ato, duke u mbështetur kryesisht në figurat me eksperiencë. Rama nuk arriti t’i afirmonte shumë kohë më parë këto figura siç bëri Sali Berisha me KOP-in, 4 vjet më parë dhe kjo mund të jetë një dobësi për të. Sesi mendojnë zgjedhësit për të gjithë këto, kjo mund të jetë një punë tjetër megjithatë. Që pritet të shikohet në 28 qershor.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama