Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pse tani zoti Karamanlis!

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 15 vite më parë

Skënder Minxhozi
Pse tani zoti Karamanlis!

Verë 2005. Ministri i Jashtëm grek, Petros Moliviatis,po përgatiste vizitën e tij të radhës në Shqipëri, kur u ftua, në kanale diplomatike nga autoritetet shqiptare, që ta shtynte për më vonë ardhjen në Tiranë. Arsyeja ishte e thjeshtë: fushata elektorale ndodhej në kulmin e saj dhe prania e një zyrtari të lartë grek mund të lexohej si një sinjal mbështetjeje për qeverinë e kohës. Katër vjet më vonë, një tjetër zyrtar i lartë grek, kryeministri Karamanlis, nuk e ka më këtë problem. Ai erdhi dhe shkoi, duke lënë pas vetes vazhdën e reagimeve, pikëpyetjeve dhe dilemave. Më shumë të medias sesa të politikës.

As çështja çame, as ajo e Kosovës, Ligji i Luftës apo edhe statusi i emigrantëve tanë në Greqi, nuk u cekën fare në takimet që ai pati me palën shqiptare. Të paktën ne, qytetarëve të këtij vendi nuk na u krijua kjo përshtypje, pasi nuk na u komunikua asgjë. Kryeministria u mundua dje t\'i bëjë makijazh heshtjes kryeministrore, duke njoftuar se problemi i pronave çame është trajtuar në bisedimet dypalëshe. Një rast ky që e zbulon edhe më keq pozitën e kompleksuar dhe qesharake në të cilën është zhvilluar vizita e Karamanlis në Tiranë.

Karamanlis nuk erdhi gjatë tre vjetëve, që nga zgjedhja e tij si kryeministër, në Tiranë. E la për ta bërë këtë "qokë" në mes të fushatës elektorale në Shqipëri. Një gjest i pazakontë, krejtësisht jo-protokollar dhe turbullues, për sinjalet e hapura dhe të fshehura që dha. Vështirë, për shembull, që Obama ose dikush tjetër nga liderët e tjerë botërorë, do të zbrisnin në Athinë pak javë para mbajtjes së zgjedhjeve. Megjithatë momenti që kreu i qeverisë greke zgjodhi për të vizituar Tiranën, përbën ndoshta detajin më të vogël për të polemizuar për një vizitë, ku edhe një herë kemi mbajtur shënime, e ku, mesa duket, kemi folur dhe na kanë dëgjuar shumë pak. Marrëveshjet tip "Shën Naum" që u nënshkruan, tregojnë sesa të "urtë" kemi qenë.

Karamanlis na tha se vendi i tij do të na mbështesë në rrugën drejt integrimit në Europë. Fare e pavërtetë! Greqia e tregoi me vepra sesa mbështetje i dha këtij procesi jetik për ne, kur e ratifikoi e fundit ndër vendet anëtare, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Afrimi i Tiranës me Brukselin, sa i përket rolit të Athinës, ka kaluar rregullisht në dekadën e fundit, nëpër "lupën" e interesave greke në Shqipëri. Ky proces është kushtëzuar kohë pas kohe me plotësimin e njërës apo tjetrës kërkesë që pala greke ka patur ndaj qeverive tona, e kjo nuk është ndihma më e sinqertë që mund t\'i jepet një vendi të vogël fqinjë në nevojë. Kur në horizontin e marrëdhënieve tona tërhiqeshin një çast problemet e minoritetit grek, shfaqeshin papritur varrezat e ushtarëve të luftës italo-greke, kur binte qetësia mbi dosjen çame, dilte në pah problemi i Kosovës apo rivaliteti i heshtur me Romën dhe Ankaranë, ose marrëveshje të habitshme si ajo e shelfit bregdetar. Në mënyrë konstante dhe provokuese, Athina zyrtare i ka ndërtuar marrëdhëniet me ne, duke u nisur nga vetëm dhe ekskluzivisht nga interesat e saj. Jo se kjo është parimisht e gabuar. Një shtet vendos para së gjithash interesat e tij mbi ato të fqinjëve, por gjithsesi jo në mënyrë kaq të vrazhdë e imponuese, saqë çdo kompromis me shqiptarët të ketë rregullisht shijen e humbjes për këta të fundit.

Gjatë vizitës së fundit në Kinë, zoti Berisha e ka diskutuar me palën kineze problemin e njohjes së Kosovës. Nuk ka marrë ndonjë përgjigje-surprizë, por gjithsesi ka bërë detyrën e tij si shqiptar dhe si përfaqësues i lartë i një shteti që ka një detyrim të caktuar ndaj shtetit të ri kosovar. Nuk kemi asnjë element për të gjykuar nëse kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Greqisë të kenë biseduar lidhur me faktin që Greqia, fuqia kryesore rajonale në Ballkan, vijon të jetë njëri ndër katër vendet europiane që refuzojnë të njohin shtetin më të ri të kontinentit. Mbyllja e gojës së mediave bëri më shumë zhurmë sesa e kundërta e saj, pra lejimi i pyetjeve nga ana e shtypit. Ajo tregon se të dy kryeministrat kanë patur arsye të prekshme, për t\'i rrëshqitur përballjes me mediat.

Të gjithë kryeministrat paraardhës të zotit Berisha, kanë guxuar në një formë ose në një tjetër, që ta ngrenë qoftë edhe me gjysmë zëri problemin e pronave çame. Berisha zgjodhi të kundërtën e kësaj; ai deklaroi se mes dy vendeve nuk ka asnjë çështje të pazgjidhur. Kryeministri shqiptar duket se ka blerë me këtë heshtje vetë vizitën e homologut të tij në Tiranë. Një gjë aspak korrekte për postin që mban dhe atë që duhet të jetë qëndrimi zyrtar i vendit tonë, ndaj një problemi që prek disa dhjetëra mijë shqiptarë që sot kërkojnë varret e të afërmve dhe pronat e ligjshme. Mbyllja e gojës për problemin çam nuk do të thotë automatikisht se ky problem nuk ekziston. Shpesh gjërat që fshihen janë ato më të dukshmet. Megjithatë, mesa duket, pazari i vizitës së Karamanlis në Tiranë ka qenë i qartë dhe i prerë: ne, qeveria dhe opozita, mbyllëm gojën dhe hodhëm firmat për të mos vënë në siklet mikun. Kurse vetë miku na begenisi në këtë moment delikat zgjedhjesh? E çfarë duam më tepër se kaq?!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama