Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Dru apo paqe do Europa?

Shkruar nga: Shpëtim Nazarko  
Botuar më: 16 vite më parë

Shpëtim Nazarko
Dru apo paqe do Europa?

Natyrisht duket e vështirë  të shpjegosh arsyet e kësaj tollovie kolosale që ka çuar në krizën e sotme. E filluar në Amerikë, e reflektuar në Europë dhe më në fund ardhur dhe te më të varfrit e këtij kontinenti, domethënë tek ne. Me gjithë dimensionet e shumta të saj, kriza në Amerikë duket e ndryshme nga ajo në Europë. Nëse në Amerikë ajo vjen fillimisht si tepricë likuiditesh, në Europë mund të themi se pasqyrohet në të kundërtën e tyre. Cili mund të jetë shkaku?

Fundi i Luftës së Dytë Botërore realisht pati vetëm një fitues në planin ekonomik, SHBA-të. Fitues e të mundur në Europë mbetën në pozicionin e një varfanjaku. Amerika mblodhi jo vetëm një sasi kolosale paraje, por dhe mjetesh të tjera, ndër të cilat mund të veçohen shkencëtarët e të gjithë rangjeve. Çfarë mund të bëjë një vend i tillë në këtë pozicion fitimtari?

Midis idesë për t’i mbajtur palët në pozicionin e një varfërie që e shkaktuan po vetë europianët, dhe krijimit të një tregu të ri të stërmadh duhet të vendosje.

Amerikanët me të drejtë vendosën të ringrinin tregun. Kjo nuk është dëshirë filantropësh si mund ta paraqesin shumë ideologë kokëtrashë që i përhapin tezat e tyre andej-këtej, bile dhe me tekste ekonomie, por një zgjidhje e imponuar, rrjedhim i vështrimit gjenial dhe të urtë në historinë e Botës, që vjen nga Greqia dhe Roma e lashtë. Një treg i izoluar pavarësisht sasisë kolosale të parave që disponon, nuk mund të shtojë mirëqenien e qytetarëve të tij pambarimisht. Perandoria spanjolle qe e fundit në rrjedhën historike që e nënvlerësoi këtë parim të thjeshtë. Duke harxhuar florinjtë pa punuar tokën e vet dhe të të tjerëve, ajo më në fund përfundoi në humbjen e vetvetes. 

Amerikanët për këtë arsye futën në lojë planin Marshall, i cili nuk ishte gjë tjetër veçse ringritja e Evropës, apo ndryshe zgjerimi i tregut në një mënyrë pak a shumë të kontrolluar. Së pari, nëpërmjet parasë së tyre që u bë para botërore dhe, së dyti, nëpërmjet teknologjisë së eksportuar po prej tyre.

Kjo politikë gati gjysmë shekullore, shtoi akoma më shumë sasinë e vlerave monetare të Amerikës, por njëkohësisht lulëzoi tregun e ri të Europës. E cila pas gjysmë shekulli doli nga “robëria” e ndihmës dhe nuk kishte nevojë për atë rrëke kolosale mallrash e ndihmash që vinin nga përtej oqeanit. Vetë Europa e tanishme mbeti në një pozicion gati analog me atë të Amerikës. Po nëse ajo vetë nuk e do më aq shumë ndihmën e parë, ka nevojë ta hapë tregun për të tjerët. Pra t’u ndërtojë një skemë të ngjashme vendeve të Europës Lindore të rraskapitura nga komunizmi njëlloj si ajo e asaj pas Luftës së Dytë. Është një domosdoshmëri ligjesh natyrore, moszbatimi i të cilave duket se çon në katastrofë.

Pra, nëse Europa nuk e do më dhe aq ndihmën e Amerikës, ajo do natyrisht tregjet e reja të Europës Lindore. Ç’ka çon me detyrim në BE-në e sotme.

Çfarë mund të bënin amerikanët e pas ‘90-ës?

Natyrisht në mungesën e tregut të mëparshëm fillon një shpenzim kolosal parash apo ndryshe një xhirim në vend. Xhirim që mund veç të zbutet nëpërmjet inovacioneve apo teknologjisë së re. Ndryshe spekulim në bursë, dhënie kredish pa hesap, karagjozllëqe të tipit Madof, që të çojnë në pamje qesharake e tronditëse. Thjesht akoma në prodhime të industrisë që nuk kanë më tregjet e dikurshme. Në një gjuhë të egër mund të thuash fillimi i vetëvrasjes kolektive për shkaqe objektive dhe subjektive të mosvazhdimit të një loje nisur gjysmë shekulli më parë.    

Do të ishte normale që Europa t’ia mbathte nga ky i “sëmurë” që mund ta infektojë dhe atë vetë për një shkak të thjeshtë. Dollari mbetet akoma para botërore dhe çdo zhvlerësim i tij natyrisht djeg dhe paratë e Europës. Një arsye që imponon analistë realë ekonomie t’i thërrasin idesë për të mbajtur dhe forcuar euron si kundërilaç.

Pra, për sa kohë dollari do të jetë përsëri një para botërore, çdo tërmet që ndodh në qendrën e prodhimit të tij pasqyrohet në periferi. Pra, nëse në Amerikë, ku ende sasia e parasë mbetet kolosale, tërmeti mund të jetë i rendit katër-pesë ballë, në Europë ai bëhet i rendit nëntë ballë. Më ndryshe nëse në Amerikë ende mund të djegin dhjamë, në Europë duhet të djegin lëkurën. Dhe është fare e natyrshme. Europa e sotme me gjithë lulëzimin e saj nuk mund të vazhdojë të djegë aq e kaq dhjamë, sepse ai gjithnjë është më i paktë se sa ai i Amerikës. Dhe proporcionet e djegies nuk janë njëlloj për këmbët e devesë dhe ato të dhelprës. Dhelpra mbytet, ndërsa uji vete deri në këmbët e devesë.

Në tërë këtë tollovi duket se dalja nga skena e dollarit si para botërore duket se iu intereson të gjitha palëve anti-Amerikë. Kjo dalje nga situata me “djegie” dollari mund të ndodhë p.sh., nëse palët vendosin ta blejnë naftën, e cila ende është motori lëvizës i ekonomive, jo në dollarë. Sa më të mëdhenj të jenë lojtarët që e bëjnë këtë punë, aq më shpejt duket se digjet ky dhjamë i tepërt. Që në fund mbaron me djegie lëkure...

Por kjo manovër sa e lehtë duket në pamjen e parë, aq e rrezikshme dhe e pamundur duket në plane të tjera. Europianët i kanë bërë nja dy luftëra me arsye a pa arsye dhe çdo keqësim i situatës nuk para i ka nxjerrë mirë nga loja që filluan me apo dëshirën e tyre. Kinezët që duken si të parët që mund ta bënin këtë punë, nuk e bëjnë dot aq lehtë. Arsyeja është e thjeshtë. Tregu i tyre i mallrave të konsumit është i madh në Amerikë. Një manovër kundra dollarit çon në keqësimin e vetë pozitës së tyre. Duket se këtë mund ta bëjnë lojtarë të tjerë. Të rrojmë e të shohim...

Po a mund të dilet nga kjo situatë?

Të kërkosh të dalësh nga kjo tollovi, ndoshta duhet t’i referohesh ligjeve natyrore. Pra të përpiqesh e të kërkosh ashtu si Amerika e pas luftës dhe Europa e sotme, të hapësh tregje të reja. Kudo dhe me këdo. Duke i bërë këto tregje mundësisht të përshtatshme ashtu si bëri Amerika e pas luftës me Europën. Një kërkesë apo dëshirë analoge e shprehur nga një prej mjeshtrave të ekonomisë botërore dhe kryeministër i Anglisë së sotme. I cili duket sheh më qartë se të tjerët se ku mund të përfundojë kjo tollovi, nëse kërkohet riparimi vetëm me manovra financiare. Të cilat Europa nuk mund t’i bëjë e t’i mbajë në kurriz për një kohë të gjatë. Kjo për shkakun e thjeshtë, se nuk ka aq shumë para për t’i djegur sa gjiganti përtej oqeanit. Ç’ka në fund të fundit çon si fillim në përpëlitje të dëshpëruara e pastaj në shprehje të hapura moskënaqësie.

Natyrisht hapja e tregjeve të reja është e vetmja referencë që i drejtohet ligjeve natyrore. Tregje që janë jo vetëm në Europë, por dhe në Afrikë e kudo. Ironi e madhe e historisë botërore, por ç’të bësh tjetër?

E në fund të këtyre manovrave që mund të kërkojnë kohë të tëra apo rrëmujërash të reja duhet lutur në një gjë. Që pas këtij ekuilibri të siguruar nga tregu i stërmadh botëror, secili të prodhojë atë që ia lejon potencialisht vendi i tij. Bazuar në resurset potenciale natyrore dhe pozicioni i tij gjeografik.

Mban era komunizëm kjo? Nuk e besoj. Është kërkesë për respekt ndaj ligjeve natyrore dhe asgjë më shumë. Ligje, të cilat vetëm njeriu mund t’i njohë dhe jo kafsha, e cila për këtë arsye pohohet se ndryshon nga ai, sepse nuk ka e nuk e kupton historinë e saj.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama