Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Vdiq politikani i vetëm profesionist i Shqipërisë

Shkruar nga: Shpëtim Nazarko  
Botuar më: 13 vite më parë

Shpëtim Nazarko
Vdiq politikani i vetëm profesionist i Shqipërisë

Një ditë pas vdekjes, një gazetë angleze e kishte quajtur Gorbaçovi shqiptar. Natyrisht që krahasimi nuk ka asnjë vlerë. Efektet që krijoi lideri sovjetik, tronditën planetin dhe e kthyen njerëzimin në rrugë të re, e në këtë sens kaq do të mjaftonte për të mbyllur diskutimin në është i saktë krahasimi apo jo. Po në pikëpamjen e analizës laboratorike që merr parasysh specifikat e problemit apo më saktë pasojat e veprimit individual në vendin ku zhvillohen ngjarjet, Alia ishte për mendjen time një politikan profesionist me klas më të lartë se Gorbaçovi dhe udhëheqësit lindorë për një arsye elementare. Vendi me diktaturën më të tmerrshme komuniste të të gjithë bllokut lindor e mori kthesën po aq butë sa dhe çekët apo hungarezët, që kishin jo vetëm mirëqenie më të lartë, por mbanin në kurriz dhe traditën e madhe perandorake që i lejon të sillen qartë në raste kthese.

Kritikët mund të thoshin se në ajër ishte ende frika e Çausheskut dhe Alia e kishte atë, prandaj dhe veproi ashtu si veproi. Garancia e qetësisë së tij mendoj vinte nga diku tjetër. Si një analist i klasit të parë që i njihte koniunkturat ndërkombëtare, Alia e dinte se vendin e mbanin larg nga rrëmujat e përgjakshme instinkti gjenial i popullit të tij dhe, së dyti, ata që tërë jetën regjimi i kishte etiketuar si armiqtë më të egër të Shqipërisë. Në tetor të ’90-s, dy muaj para pluralizmit, ai e kish dhënë garancinë jo vetëm te shefi i OKB-së, por dhe te përfaqësuesi i lartë i Sant Exhidios, se kish një qëllim të vetëm, të nxirrte popullin pa gjakderdhje nga kjo hata që e priste. Alia e kuptonte mirë se vendin e ruanin edhe ca të tjerë, rol që e bëjnë edhe sot, madje ca më mirë se ata që ua kemi ngarkuar këtë detyrë. Amerikanët e dinin qartë se rënia në mënyrë të përgjakshme e Shqipërisë jo vetëm nuk u interesonte, por binte ca situata ku kontrolli i mëvonshëm vetëm rifuste në lojë ish- perandorinë e vjetër ruse. Amerikanët e kishin dhënë provën për ruajtjen e Shqipërisë dhe tani që Jalta kish dalë jashtë protokollit, do të riktheheshin te roli tradicional. Ajo që Alia kishte vërtet frikë ishte diçka më e tmerrshme se historia e Çausheskut. Më 1 janar të 1991, Shqipëria kishte në Bankën e Shtetit vetëm 6 milionë dollarë. Vendi që rronte me klering kishte dy vjet që paguante me flori në dorë. Ish-blloku lindor njihte tanimë vetëm dollarin dhe këtë të fundit nuk kishe ku ta gjeje. Perandoria komuniste ishte shkatërruar dhe Shqipëria që e kundërshtonte vetëm me fjalë, ishte gjithnjë diku në borderotë e saj, duke e ndihmuar të ndërronte shalqirin me vagonë treni etj. etj. Në skenë mbizotëronte filozofi i vjetër Prudon, që thoshte dikur, të shpëtojë kush të mundet, pra secili duhet t’i bënte hall vetes. Ramizi e dinte këtë më mirë se të gjithë. Hapëset e dyqanit i kishte ai vetë dhe prandaj po vinte vërdallë si të dilte nga ky lak i lemerishëm, nga i cili nuk të shpëton asnjë ushtri, sikur edhe e gjithë botës të jetë. Natyrisht që nga kjo histori dilej vetëm me pluralizëm, po ku ta gjente.

Regjimi për pesëdhjetë vjet i kishte korrur dhe grirë kundërshtarët e ndritur. Të ngelurit ishin si ata që Kadare i përshkruan në një novelë të mrekullueshme. Vinin në amnistinë e Sulltanit me dorë të thyer, gjysmë qorra dhe lypsarë, patetikë dhe të paaftë se ashtu i kishte katandisur regjimi i tij. Pa diskutim është e neveritshme, kur tani, pas njëzet vjetësh në emisione lustraxhinjsh, thonë që vajtën për të thënë gjëra të mëdha te Ramizi në gusht të ’90-s për të prurë pluralizmin, po kishin frikë mos ai i fuste në kurth etj. etj. Një muaj më parë, katër mijë shqiptarë kishin hyrë në ambasada pa gjemb në këmbë dhe vetëm një ditëzi nuk e kuptonte se regjimi kishte marrë fund me të gjitha dhe nuk vriste dot më asnjë mizë me ligj. Alia e dinte mirë se kishte vetëm një rrugë t’i shpëtonte gjakderdhjes dhe fatit të tij, që mund të ishte edhe më i keq. Të shpallte pluralizmin pa mbaruar edhe ato gjashtë milionë dollarë që kishte arka e shtetit. Pa diskutim, skenat nga shtator-tetori i ’90-s dhe deri në mars të 1991-shit janë mbushur me episode sa tragjike, aq edhe komike. I vetmi heroizëm real ishte ai i studentëve, të tjerët ishin pjesë me dhe pa koshiencë të një skenari që Ramizi e dinte përmendësh, pasi i njihte tërë personazhet, më mirë se ata veten e tyre. Kur termometri rritej nga demokratët, ai fuste në skenë enveristët e kështu deri në zgjedhjet e njohura. Mund të mburrej e të ishte në qejf nga pikëpamja individuale. Kishte interpretuar një skenë, që vetëm paraardhësit e talentuar të tipit të vezirit të Janinës apo Ahmet Zogut kishin mundur ta bënin me atë mjeshtëri. Hoxha e kishte provuar e imituar edhe ai disa herë këtë situatë jo vetëm në kohën e jugosllavëve, por dhe të sovjetikëve, por sapo shpëtonte, fillonte avazin e një sundimi më të egër se më parë.

Në këtë sjellje individuale të Alisë përshkruar më sipër, natyrisht nuk ka asnjë gjë të lidhur me demokracinë. Ajo është tipikja e racës sonë, që mjerisht po ngjan dhe sot tërë ditën e ditës. Pra, në këtë sens plotëson mozaikun tonë kombëtar. Ajo që më bën përshtypje te Ramiz Alia, është sjellja e tij pas triumfit të kësaj teknike të hatashme, që nuk ka të krahasuar me asnjë prej kolegëve të tij lindorë, përfshi këtu edhe Gorbaçovin e famshëm. I qetësuar nga gjithçka, ai e interpretoi periudhën e paszgjedhjes si President në një formë perfekte, që e thekson natyrën e tij si një individualist dhe politikan profesionist i klasit të parë, që luan shkëlqyeshëm pa asnjë lek në xhep një lojë të humbur, por duke ditur në perfeksion se deri ku mbaron kufiri i ngjarjeve që zhvillohen në këtë lloj mënyre. E ku pastaj duhet të dorëzohet qetësisht si një njeri që e luan lojën e tij brenda rregullave të arsyes dhe jo ambicies së sëmurë.

Megjithatë, është një pjesë, ndoshta më e mira e historisë së tij thellësisht vetjake. Qëndrimet e tij me dinjitet ndaj Micotaqisit dhe veçanërisht Bejkerit janë vërtet model i një njeriu të qartë. Po veçoj këtë fundit, se shërben edhe sot si model i një gjykimi, nga të cilët ndoshta duhet të mësojnë gjithë ata që kanë ambicie të drejtojnë një vend, i cili si dhe njëzet vjet më parë, është në udhëkryq të historisë. Alia i tha Bejkerit se në ekonomi duhej transformuar ngadalë, sepse ishim si organizmi i një të sëmuri, që mund të vdiste nga të futurit në ujë të ftohtë. Rregulla në fakt është klasike. Në pozicionet e vështira nuk merret iniciativa kur je i dobët, sepse shkatërron akoma më shumë veten, e prandaj pozicioni fillimisht stabilizohet. Këshillë tipike për gjithë të pangrënët e kësaj bote, të cilët pas urisë provojnë supën dhe jo mishin e pjekur se vdesin. Rregull që e dinë infermieret e jo më doktorët e ditur. Ata që erdhën pas tij e tallën, duke i kujtuar tufëzat dhe arëzat dhe u sulën drejt ëndrrës së mishit, duke prodhuar pasoja të lemerishme. Shqipëria e sotme, pasojë e kësaj çmendurie sa individuale dhe kolektive, ndryshon nga principatat që prodhon rregullisht, herë pas here, në historinë e saj, në një pikë që nuk e nderon, ajo nuk kontrollon dot për herë të parë as territorin dhe as taksat. Ramizi e dinte rregullën transformuese të ekonomisë, që vetëm kinezët e ndoqën, jo vetëm nga librat. Parullat sovjetike me kolektivizimin apo kinezet e revolucionit kulturor të dikurshëm i kishte provuar dhe, bashkë me to, efektet për vendin e tij. Kishte parë dhe Gorbaçovin që ra brenda të njëjtit gabim dhe prandaj kishte idenë e ngadalësisë dhe jo terapisë shok. Pikërisht në këtë pikë, si kolegu i tij i një vendi të vogël, ishte më i qartë dhe, pa diskutim, një politikan më profesionist.

Shqipëria sot përcolli një prej përfaqësuesve të racës së saj. Mund të etiketohet me shumë mënyra. Unë mendoj se me të iku politikani i vetëm profesionist që kishim e që ndoshta nuk do ta shohim për shumë kohë. A e dënoi njeri për të ligat e tij? Po populli e dënoi duke e harruar, por njëkohësisht e fali duke e lënë të ikte i qetë në bulevard, ashtu si gjithë njerëzia që pas një pune a shëtitjeje, vete të çlodhet në shtëpi e të lozë me nipërit e mbesat e veta. Populli u soll më mirë se klasa e tij politike, për të cilën gjithsesi vetë Ramizi nuk ka pse të ankohet. Ai e polli vetë atë në shumicën e saj dhe në këtë pikë mund t’i rireferohem, si dhe në një shkrim tjetër për Alinë, Hygoit që thotë: “Mëllenja bën glasën, nga glasa bëhet zamka me të cilën zënë këmbët e mëllenjës. Mëllenja bën glasën për të zezën e vet”. Plaku që sot vajti në varr, nuk ka pse të ankohet nga asnjë prej palëve. Populli e trajtoi njerëzisht si një qytetar të tij, duke e lënë të varroset qetësisht, politika duke u fshehur ku mundi dhe sa mundi, me parimin e strucit që fshihet në rërë. Për ta mbyllur-duket e vështirë ta përcaktosh moton jetësore të këtij njeriu. Mendoj se instinktivisht ka ndjekur rregullën që pohon Balzaku i madh, që i shkruante diku të motrës një letër, të cilën po e perifrazoj siç më vjen në mend: “Unë jam i miri, i ligu, i poshtri dhe i ndershmi, i këtilli dhe i atilli. E kam ndarë mendjen që nuk jam gjë tjetër veçse vegël e rrethanave. Mendoj se dhe populli kështu e ka gjykuar.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama