Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pse duhet vënë shefi i Gabit ministër Financash

Shkruar nga: Shpëtim Nazarko  
Botuar më: 12 vite më parë

Shpëtim Nazarko
Pse duhet vënë shefi i Gabit ministër Financash

Në vazhdën e talljeve për ish-regjimin komunist, pak përpara rrëzimit të tij qarkullonte një barcaletë e tillë: Një funksionar që kish qenë në Amerikë ndoshta për eksperiencën e re, ndërsa po shpjegonte se në kryeqytet dhe kudo tregjet ishin plot, papritur dëgjoi një psherëtimë nga salla. Kush e di sa i zoti duhet të ishte shefi i furnizimit atje… Këtë barcaletë e tregojnë edhe sot ndonjëherë duke qeshur me idenë se e kanë kuptuar fare mirë problemin. Thua vërtet të kenë kuptuar gjë? Kam frikë se këtu, barcaletat vazhdojnë t’i tregojnë në rolin e argumentit, dhe jo për ta mbështetur këtë të fundit.

Duke bërë një vëzhgim elementar në disa nga tregjet e tipit supermarket, konstaton që në pamjen e jashtme dhe të brendshme se ato janë ndoshta nga më të mirat në Ballkan a më gjerë. Pa u përmendur emrat, mund t’u them se në katër prej tyre janë investuar për t’u ndërtuar rreth 250 milionë euro. Megjithatë, kjo nuk të pengon po ashtu të konstatosh në disa sekonda se janë të falimentuar. Thua për shkak të taksave për të cilat dy partitë e mëdha kanë filluar të bërtasin më shumë se sa duhet kohët e fundit? Mendoj se jo, dhe kam idenë se edhe nëse ministri i Financave bashkë me Kryeministrin vunë dorën në zëmër dhe që sot e tutje i lënë të shesin pa u marrë asnjë taksë, ata përsëri janë të falimentuar. Thua të gaboj rëndë?

Shkakun e këtij përfundimi të sipërm e mësova në Gjermani, ku si çdo refugjat i kohëve të para pas ‘90-s, këmbët si fillim të shpien në tregje të ngjashme. Barcaletën e treguar më sipër e dija, por pyetja që më vinte në mëndje ishte e një lloji tjetër: Mirë që tregjet janë plot, po kush e blen këtë sasi kolosale malli që rrjedh rrëke nga të tëra anët? Pasi u futa në punë e kuptova këtë sekret të vogël, por edhe thelbësorin që në Shqipëri e njeh vetëm një njeri, shkollën e të cilit nuk e njoh, por e di që është shefi i Gabit.

Në supermarketet e sipërme, shumica e mallrave shitesh në një mesatare çmimi që varijonte nga një deri në gjashtëdhjetë për qind të rrogës mesatare ditore të punëtorisë së sektorëve të ndryshëm. Kjo nga buka a ushqimet e domosdoshme, e deri te mallrat e konsumit industrial. Pra, nëse p.sh. do të blije një palë këpucë, ato do të ishin nga njëzet deri në gjashtëdhjetë a shtatëdhjetë euro, kur ta zëmë për thjeshtësi, rroga mesatare e gjermanit ishte njëqind euro në ditë. A mund të shiteshin këto këpucë, ta zëmë, tetëqind euro? Besoj këtë shaka nuk do të guxonte ta bënte as Shumaheri i famshëm. Asnjë gjerman, bile dhe vetë kancelarja e tyre, nuk do të blinte një mall konsumi të ngjashëm që do të kushtonte tetë apo dhjetë ditë pune. Ky sekret i thjeshtë tregonte qarkullimin rrëke të mallrave atje dhe hatanë e madhe këtu.

A e kanë kuptuar këtë në Shqipëri? Besoj vetëm Gabi dhe shefi i tij.

Në kohën e socializmit, shakaja e zezë, ku ti harxhoje rrogën e muajit apo të vitit bëhej me këpucë të mira apo televizor a lavatrice, po jo me ato që ushqehesh njerëzia. Prandaj ato të parat mungonin në treg e nuk mund t’i bënte “dhuratë”  Partia e shokut Enver. Për këtë arsye, nëse blije me rast, duhet t’i mbathje një palë këpucë jo për dy muaj, por për dy vjet etj., etj.

Çfarë ndodh po t’u hedhësh një sy supermarketeve tona që përmendëm më sipër? Sa janë çmimet nëse i referohemi rrogës mesatare ditore këtu? Nëse mesatarja e Tiranës p.sh. është tridhjetë mijë lekë të rinj në muaj, atëherë ajo ditore është vetëm një mijë. A mund të më thoni, zotërinj, se çfarë këpucësh a gjëra të tjera mund të blejë një ditëzi që ka këtë mesatare të tillë të ardhurash?

Çmimet e arsyeshme në këto supermarkete, referuar gjermanit, duhet të ishin nga njëqind deri në gjashtëqind lekë të rinj. Ndryshe nuk ka qarkullim dhe, siç shpjegova më sipër, edhe nëse supermarketi nuk paguan taksa, ai do të falimentonte. Në të kundërt, duhet të gjente jashtë vendit mallra të skaduara që janë gati për t’u hedhur apo fare të dobëta, e t’ua shiste bashkatdhetarëve.

Formulën e saktë të ekonomisë së tregut duket se e ka kuptuar Gabi… Kontrolloni çmimet e tij dhe do të bindeni se është më i qarti nga të gjithë në të kuptuarit e ekonomisë së tregut. Janë çmime që varijojnë nga një deri në gjashtëdhjetë për qind e rrogës mesatare ditore të punëtorisë. Janë mallra të mira, pak të vjetra apo dorë e dytë, po është e sigurt që janë markë dhe nuk janë të skaduara.

Nuk kam asnjë dyshim se shefi i Gabit do vendosur ministër Financash në këtë vendin tonë të bekuar. Kjo nëse nuk duhet ta rëndojmë apo fyejmë ministrin e Financave, duke e konsideruar këtë të fundit vetëm një tagrambledhës të thjeshtë.

Problemi i treguar këtu me gjysmë shakaje, tregon një të vërtetë të rëndë të Shqipërisë. Mungesën e një strategjie kombëtare që zhvillon vendin. Shumëkush që më thotë se çfarë të bëjmë, do t’i thosha kështu për punën e çmimeve. A keni parë ndonjë vend në botë i cili në vend të parë në prodhimin e përgjithshëm ka bujqësinë dhe përpiqet ta shfarosë këtë degë që e mban me bukë? Bujqësia e Shqipërisë jep njëzet për qind të këtij prodhimi apo nja dy miliardë dollarë në vit, dhe qeveria i kthen mbrapsht në formë kredie një të dyqindën e kësaj shume. A të themi dhe diçka të vogël? Shiheni Shqipërinë në hartë. Është shumë më e gjatë se e gjerë. Çdo fëmijë e kupton se transporti detar dhe pastaj ai hekurudhor është më i liri. Të dyja te ne funksionojnë mos më keq. Mirë që portet nuk i ndërtojmë dot, por nuk kemi bërë tamam as rrugët që shkojnë nga portet te qytetet më të afërta.

Për të mos u mërzitur ata të supermarketeve dhe ata që nuk e kanë kuptuar barcaletën e fillimit të artikullit, po u them se gjendja është njëlloj kudo. Në Tiranë thonë ka nja pesë mijë kafene, nja gjashtëdhjetë fabrika buke, nja treqind shtypshkronja, nja dymijë farmaci etj. Nga Tirana në Durrës, nja pesëdhjetë pika karburanti etj. Edhe t’ua falim taksat, shumë kanë falimentuar…

A mund të më thoni se çfarë kredie të japin bankat në një mesatare të tillë mujore të ardhurash? A mund të blihet shtëpi me to? Kush e ka fajin?

Thua kjo është ekonomia e tregut… Mendoj që qeveria ta mësojë te shefi i Gabit e të mos japë licenca këtej e andej, sepse paraja, sa është personale, është dhe e shoqërisë. Po e humbi njëri apo disa, nuk e kthejmë a e qarkullojmë dot.

Pesë vjet më parë po i thosha Kryeministrit se kësaj radhe do të bjerë në një piramidë më të tmerrshme se e ’97-s, duke i dhënë licencat fët e fët në emër të ekonomisë së tregut. Kam dy vjet që mendoj e them se kemi falimentuar me këtë strategji të çmendur e antikombëtare, por tallen ashtu siç talleshin në kohën e piramidave, kur me gazetën time të vogël u lutesha të mos i hidhnin paratë në një çmenduri të tillë. Dhëntë Zoti kësaj radhe gaboj, sepse rasti i piramidave ishte vetëm një shaka e keqe, por prapë e vogël. Kësaj radhe, nëse ato ngjajnë në një formë tjetër (pra tëpkë si kjo që shpjegova), do duhen nja tridhjetë vjet që të shpëtojmë. Po edhe në këtë rast, nëse sillemi mirë dhe e kuptojmë se do ndërtuar Strategjia Kombëtare në vend që të përrallisim poshtë e lart dispensa shkolle të mësuara përmendësh.

Thua të më mërzitet ministri i Financave që po kërkoj të ngre në rolin e tij shefin e Gabit? Them se jo! Një mik i imi që po dëgjonte ca intelektualë kur po flisnin për krizën e Europës, filloi të shante burokratët e “mençur”. Pas shumë zënkave, ku  e kuptoi se po e shihnin si intelektual të tipit të Koçi Xoxes, e fliste pa respekt për financën e lartë, ai u tha: “Shikoni zotërinj. Krizën e sollën ata të financës edhe atje, edhe këtu, ndërkohë që xha Selmani, si gjithnjë, ishte duke punuar arën kur e lajmëruan se paratë kishin humbur”.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama