Për Shqipërinë edhe matanë Prevezës

Shkruar nga: Shpëtim Nazarko  
Botuar më: 9 vite më parë

Shpëtim Nazarko
Për Shqipërinë edhe matanë Prevezës

Kur Berisha mbajti fjalimin në Mynih për albanofobinë, një gjerman race mund t’i kishte thënë me dashamirësi. Në këtë qytet që po flet zotrote, shumë kohë më parë foli edhe Hitleri për gjermanofobinë. Prandaj i bëjmë këtu konferencat e sigurisë.

Në emër të gjermanofobisë, ne iu vërsulëm Europës dhe me këtë shpumë në zvogëlimin më të hatashëm të vendit, që dhe tani rrethohet vetëm nga ne. Për të korrigjuar gabimin e bërë, iu drejtuam edhe një herë baballarëve të kombit tonë që quhen Bismark edhe Hegel. I pari na detyroi zyrtarisht të vinim Hegelin si mësues në shkollat tona. Këto na mësuan të bënim gjërat më precize në botë dhe kështu të ishim edhe eksportuesit më të mëdhenj të saj. Merkeli, si paraardhësit e saj e pas-Luftës së Dytë, është bijë e Hegelit dhe ne jemi po aq zotër të botës sa edhe ata që e quajnë veten si të tillë. Gojët e liga thonë sot, se jo vetëm jemi eksportuesit më të mëdhenj, por kemi edhe rezervat më të mëdha të saj në flori.

Hegeli thotë se pushtimi i territoreve duhet zëvendësuar me pushtimin e tregjeve. Duket çudi që komunistët tuaj që e kanë pasur Hegelin po baba, ashtu si edhe ne, nuk jua kanë thënë këtë të vërtetë të thjeshtë. Andaj, shko në atë vendin tënd të bekuar dhe shfrytëzoje diellin që e ke më me bollëk sa ne gjermanët, jo për ta lexuar historinë si rrëfim emisionesh në televizione të dorës së dytë e proqeveritarë, por si gjeopolitikë apo politikë për t’i hapur territoret, e jo për t’i zmadhuar a zaptuar ato. Kështu do bësh edhe fqinjët shqiptarë, e jo vetëm trojet e vjetra të gjyshërve që ty, ashtu si edhe neve, për faj tonë apo të të tjerëve, na i kanë marrë. Ndryshe do marrësh në qafë vendin tënd!

Jam më shumë se duhet partizan i Shqipërisë së Madhe dhe jo deri në Prevezë, por ca më larg, jo deri në Shkup, por edhe ca më tutje. Jo deri në Mitrovicë, por deri në Nish. Jo deri në Han të Hotit, por edhe ca më larg. Sepse e besoj realisht që ua kanë marrë me dhunë gjyshërve të mi të varfër. T’i lëmë qesënditë, apo gjuhën e zhurmaxhiut Kristo Papas dhe të flasim realisht, se si i bëhet të kemi Shqipërinë e Madhe që e duam të gjithë. Flasim me gjuhën e ekonomisë dhe, po të doni, edhe me gjuhën e vjetër të gjeopolitikës.

Kur administrata e Presidentit Klinton dha tridhjetë milionë dollarë për të vlerësuar fizibilitetin e porteve në Ballkan, u pa shumë qartë se Porti i Durrësit dukej me leverdishmërinë më të madhe. Ndërkaq, Porti i Vlorës, për shkak të thellësisë natyrale, kapacitetit mbajtës të anijeve dhe pastaj për pozicionin gjeografik, dukej i barabartë në rëndësi me atë të Roterdamit dhe të Hamburgut, të cilët konsiderohen dhe më të mëdhenjtë e Botës. Një grup anglez e vlerësoi realizmin e projektit të Vlorës me shifrën pak më shumë se një miliard eurove, aq sa bëri me paratë tona, ajo që e quajmë Rrugë e Kombit.

Nuk po flasim shumë për rëndësinë botërore të Portit të Vlorës të cilin Kina, nga halli e zëvendësoi me Selanikun. Nga pikëpamja e distancave të përshkuara, duket se nga Japonia, Kina, India, Australia e Amerika mundesh mes tij, e kjo me leverdi më të madhe, të dërgohen a merren mallra në Europë, Rusi a ca më larg.
Çfarë rëndësie rajonale ka ai? Së pari, të gjithë Greqisë së Veriut (d.m.th. ca më larg nga Preveza) i leverdiste të përdorte jo Selanikun por Vlorën, nga ku mund të rifreskonte, apo të fliste lirisht edhe gjuhën e vjetër të gjyshërve të saj shqiptarë. Apo nëse e doni ndryshe, të kujtonte Strabonin e vjetër, që e quante Vlorën portin më të madh të antikitetit.

E çuar në vijë thuajse të drejtë, rruga e ardhur nga Vlora deri në Shkup, e pastaj deri në Ederne, ajo mblidhte në Gostivar shqiptarët e Kosovës dhe ata të Maqedonisë dhe pastaj tërë këtë të fundit që nuk ka det gjëkundi.

Nëse flasim me gjuhën e vjetër të gjeopolitikës së sertë, kur heqim një vijë të drejtë nga Otranto (me të cilën kërcënonte diktatori plak i dikurshëm, Hoxha) e deri në Shkup, e pastaj Ederne të Bullgarisë, pra ecim në gjurmët e Korridorit të Tetë, kuptohet roli prej zonje të rëndë i Shqipërisë. Në kohë paqeje, Porti i Vlorës të cilin potencialisht nuk e ka njeri në Ballkan, i siguronte asaj prosperitetin e munguar. Në kohë të këqija, kjo vijë që është pra dhe e Korridorit të Tetë, përbën në pjesën më të madhe të saj një lloj “llozi” që hap dhe mbyll tërë rrugët tokësore të Europës dhe pastaj Rusisë së vjetër, e cila e kërkonte për të okupuar Lindjen nëpërmjet Stambollit apo qendrës gjeografike të Botës.

Krijuesit e gjeopolitikës së vjetër apo themeluesit e Shqipërisë gjeopolitike, austriakët, e dinin mirë pse duhej ta ngrinin në këmbë këtë shtet. Nuk duhej lejuar Rusia të zinte pikërisht hyrjen në Stamboll për të pushtuar Lindjen. Amerikanët që duket se për punët tona janë në një linjë me të Perandorisë së shkëlqyer Habsburgase, i thonë Shqipërisë të zmadhojë veten, mes punës për mirëqenien dhe jo të ngatërruarit e vetes mes një gjeopolitikë, e cila vetëm mund ta zvogëlojë, por kurrë ta zmadhojë.

Gazsjellësi TAP e tregoi më mirë sesa duhet se ç’do të thotë pozicion gjeografik i Shqipërisë e si realisht bëhet e madhe ajo.

Po le ta lëmë gjeopolitikën e keqe, që funksionon e shfaqet në skenë kur çmenden të gjithë dhe bëjnë luftë botërore. Vlora ngelet aty edhe në rast paqeje, e jo vetëm në rast lufte, e kjo e bën Shqipërinë të Madhe. Po çfarë kemi bërë realisht me Vlorën? Jo vetëm port nuk bëmë, po as rrugë që ta lidhnin me Prevezën, Gostivarin e Shkupin, madje dhe as me Fierin, që është tridhjetë kilometra më larg. Nuk bëmë as Korridorin e Ttetë, që vetëm pjesën tonë shqiptare kërkonte për t’u realizuar thuajse i tërë, por shkatërruam edhe hekurudhat që e bëjnë eficient transportin e ardhur nga deti i saj…

Nuk deshëm dhe nuk duam t’i bëjmë as Vlorën, as Korridorin e Tetë, as hekurudhat etj. Në vend të tyre bëmë kioska e kafene, prishëm tokat, ujërat e minierat, në ca prej të cilave mund të ishim nga më të mirët në Europë a Botë. Pastaj kur na mbaruam paratë që i hodhëm kot në lumë, zumë premë e shesim matanë detit pyjet e shinat e hekurudhave. E më në fund tani po ia mbysim të qarit, duke thënë se na kanë zvogëluar Atdheun, ngase janë albanofobë.

Ajo që kam dëgjuar, është se duam të bashkohemi me Kosovën. Po kush na pengon ta bëjmë realisht këtë, albanofobët apo vetë ne?

Kur në vitet e miqësisë së madhe me ish-Jugosllavinë, Hoxha donte të barazonte dinarin me lekun dhe pastaj të hiqte doganat me të, një nga patriotët tanë më të kulluar të të gjitha kohërave, Mitrush Kuteli, poet i dorës së parë dhe ekonomist po i tillë tha: “Zotërinj, kështu Shqipërinë po ia bashkojmë me duart tona Jugosllavisë”. Hoxha e futi në burg. Pse e bëri? Për shkak të ‘politikës së madhe’, e cila në fakt ishte vetëm si të zgjaste sundimin e tij, edhe pse në kurriz të Atdheut.

Duket evidente se nëse ti heq doganat me Kosovën dhe bën të përbashkët sistemin elektroenergjetik e pastaj ke edhe një abetare të njëjtë, Shqipëria apo po të duash thuaj Kosova, e kanë pushtuar njëra-tjetrën. Kush na pengon?

Në dogana zihen për ca kilogramë patate. Natyrisht nuk i vete njeriu në mendje që, nëse në Shqipëri rritet një gjë e atje një gjë tjetër, të racionalizojnë resurset e të kombinojnë strategjinë kombëtare. Rrugën e Kombit e shfrytëzojnë serbët më mirë se kosovarët dhe mjafton t’u hedhësh një sy supermarketeve të Tiranës e të bindesh thjesht për këtë. Nëse nuk mbron dhe nuk ngre strategjinë kombëtare për të dy anët e kufirit që do të bashkosh, të mbetet të thuash se e ka tregu fajin që zotër të tij janë serbët dhe jo ne me kosovarët? Asnjë nuk do të bashkojë sistemin elektroenergjetik të dy pjesëve, ku njëri ka qymyrin në verë e tjetri ujin në dimër. Jo jo, tregu i përbashkët energjetik është në duar të ca spekulantëve të rajonit, për të cilët jemi gati të prishemi dhe me gjermanët apo donatorët më të mëdhenj të kombit këta njëzet vjet.

Bashkimin mes një strategjie kombëtare që heq së pari doganat, Europa e do, madje të lavdëron po ta realizosh. Vetë ajo do të udhëtonte pa dogana në këtë pjesë të Ballkanit, çka minimumi do t’ia bënte shumë më të lehtë punën. Po çfarë do të ndodhë nëse bëjmë këtë lloj bashkimi? Kur Shqipëria të hyjë në BE dhe bashkë me të edhe Kosova, natyrisht që nuk na lë njeri më si dy shtete të veçanta, pra me dy palë votash apo dy lloj komisionesh të jashtme. Na detyrojnë të shpallemi një shtet. Kush na pengon e kush na mëson të bashkohemi e të bëjmë Shqipërinë e Madhe?

Frashërllinjtë e mëdhenj që janë Hegeli ynë, e kanë treguar me kohë si bëhet Shqipëria e Madhe. Merreni veprën e Samiut të madh, e jepeni me detyrim nëpër shkolla, sa çdo nxënës a i rritur t’i plasë koka e ta dijë përmendësh. Shqipërisë nuk ka nevojë t’ia mësojnë me llafe politikanët si bëhet e madhe.

Po t’i lëmë edhe një herë qesënditë dhe të flasim pak më thjesht. Ai që kërkoi sot Shqipërinë e Madhe më shumë se të gjithë, dhe të huajt jo vetëm nuk e kritikonin, por e respektonin më shumë se ne, quhej Arbën Xhaferi. Ideja e tij e komunuelthit ekonomik shqiptar, është vijimi më i qartë e më i ndritur i veprës së Sami Frashërit. Merreni dhe jepeni me detyrim në shkolla.

Po si ta ndërtojmë në praktikë Shqipërinë e Madhe? Menaxheri Pacolli, që të huajt e respektojnë më shumë se ne që nuk lëmë rast pa e sharë, siç bëjmë me gjithë njerëzit e biznesit, është nga të paktët që e kuptoi mirë çfarë kërkonte Arbën Xhaferi. E kuptoi se si përkthehet kjo ide në ekonomi e në politikën për bërjen e Shqipërisë së Madhe. Ai tha thjesht se është bashkimi ekonomik ai që sjell edhe atë politik. Ajo për të cilën do bindur është fare e thjeshtë.

Nëse zëvendësojmë ideologët dhe menaxherët, me politikanë që thonë se na çliruan nga serbët dhe Enveri, e për këtë duan të na rrinë në qafë tërë jetën, jo Shqipëri të Madhe që nuk bëjmë, por dhe atë që kemi do ta humbim.

Për ata që do t’u mbetej qejfi e do tregonin se kështu nuk tregohet respekt për patriotët që na shpëtuan nga komunistët e këqij, nga gjermani e serbi, mund t’u thoshim thjesht.

Kur Atdheu është në rrezik, të tërë dalin ta mbrojnë, katundari e shkrimtari, opingari e filozofi, por kur lufta mbaron, secili var armët në mur e vazhdon zanatin e tij. Nëse ka luftëtarë që përmendin tërë kohën se ata dhe partia e tyre na shpëtoi nga e keqja, mund të nxjerrësh një përfundim që vetëm një budalla i ngratë nuk e kupton. Këta luftëtarë kanë vajtur në luftë vetëm për një gjë. Të vjedhin Atdheun, apo ta zvogëlojnë atë vazhdimisht.

Nëse ky përfundim nuk na pëlqen ta dëgjojmë, duhen pyetur pak francezët e anglezët. De Goli dhe Çurçilli nuk shpëtuan vetëm vendin e tyre, por edhe gjithë Botën nga nazizmi. Franca dhe Anglia i dërgoi menjëherë pas luftës në shtëpi. Thua ua harroi meritat? Jo, i thirri prapë kur Atdheut i duheshin, por jo kur donin ata.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama