Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Përtej të majtës

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 16 vite më parë

Skënder Minxhozi
Përtej të majtës

Në fushatën elektorale aktuale ka hyrë gradualisht një tezë e cila po trazon jo pak ujëra në të majtë të spektrit politik. Edi Rama ka hedhur prej muajsh idenë se partia e tij ka si mision jo vetëm grumbullimin maksimal të votave të votuesve të saj, por edhe të një pjese të konsiderueshme të atyre që, duke mos qenë socialistë apo simpatizantë të PS-së, janë gjithsesi kundër qeverisë aktuale dhe kërkojnë largimin e Berishës më 28 qershor. Një mision më shumë sesa fushatë, një frymë popullore më shumë sesa një anëtarësi e një partie politike, ja çfarë duket se ka ndërmend Rama për veten dhe forcën politike që drejton në këto tre muaj që na ndajnë nga zgjedhjet.

Natyrshëm teza e mësipërme ka ngacmuar humore të ndryshme brenda opozitës së sotme. Një pjesë jo e vogël e saj ndjehet keq me idenë e zgjerimit të përkohshëm, e sipas saj artificial, të bazës elektorale të partisë, apo partive të majta. Ka jo pak përfaqësues të pakicës së majtë që mendojnë se është më racionale, e ndershme dhe transparente, që t’i kërkosh votat duke respektuar konturet e simbolit të partisë që drejton, sesa të bësh akrobaci dhe përdredhje termash, duke u munduar të zgjerosh një thes, i cili në fund të fundit ka sipër një markë të vetme, qoftë kjo PS, LSI, PSD apo G99.

Nuk është e vështirë të dallohet se kjo frymë tradicionaliste ka zënë vend kryesisht tek ajo pjesë e opozitës, që konteston njëkohësisht si Berishën, ashtu edhe Ramën. LSI dhe PSV ’91 ka qenë qysh në krye të herës mjaft të angazhuara për të dëshmuar se kjo që po bën kryetari tashmë jo fort i ri i PS-së, është një bjerrje e vlerave dhe objektivave politikë e elektoralë të PS-së, e bashkë me të, të të gjithë opozitës. Meta dhe Koçi janë munduar gjatë që t’u flasin jo vetëm përkrahësve të tyre, por edhe socialistëve brenda partisë së “vjetër”, rreth rrezikut që kjo dalje nga “baseni” natyror ideologjik i PS, përbën për atë listë vlerash dhe kredosh që përbëjnë “Biblën” tradicionale të të majtës shqiptare dhe që bazohet fort ndër të tjera, tek pigmenti i dallueshëm ngjyrë rozë, në të gjitha kuptimet e këtij simboli.

Nga ana tjetër, përballë kësaj fryme kontestuese, qëndron fort një tjetër frymë, edhe ajo në thelb kontestuese. Rama ka vite tashmë që rreh rrugët e Shqipërisë nga Veriu në Jug, në një liturgji të gjatë takimesh, kontaktesh me njerëzit, njohjeje të bazës së partisë dhe përgjithësisht të të gjithë sistemit të koklavitur që paraqet PS-ja në territor. Në fillim “Dialogu me Shqipërinë” e më pas turi i fundit i Vullnetarëve, por edhe shumë më tepër se kaq, duket se kanë pjekur tek ai idenë se në 28 qershor nuk do të mjaftojnë vetëm votat që PS-ja ka në “inventarin” e saj zgjedhor, për të larguar zotin Berisha nga pushteti. Jo vetëm kaq. Sfida e Ramës në fakt nuk adresohet vetëm kundër qeverisë, më saktë koalicionit të djathtë, por edhe kundër një pjese të së majtës. Në 28 qershor ai do të kërkojë jo thjesht të presë i pari fotofinishin e zgjedhjeve, por të sigurojë një shumicë qeverisëse i vetëm, pa ndihmën e askujt. Kjo është një gjë komplekse dhe e vështirë për cilindo, përfshirë edhe Edi Ramën. Prej ku duket se ka dalë edhe nevoja për të artikuluar një strategji të re mobilizimi popullor, e cila bazohet në një simbiozë të çuditshme dhe mbi një rrethanë disi rastësore.

Në një plan të përgjithshëm, jashtë skemave të ngushta të spektrit politik, situata është megjithatë mjaft e ndryshme. Ky vend ka parë qeveri të majta që kanë adoptuar politika të djathta liberale e monetariste, ashtu siç ka parë administrata të djathta që kanë zbatuar politika populiste e sociale, atribut i natyrshëm i të majtës. Në këtë sens, teza “përtej të majtës dhe të djathtës” nuk shtron ndonjë problem të pakalueshëm për një vend ku e djathta dhe e majta janë ende të reja dhe në proces stabilizimi.

Ardhja e Ramës në krye të PS-së krijoi kushtet teorike që kjo parti tradicionaliste të drejtohej nga një njeri me të shkuar anarkiste dhe larg së majtës historike. Këto dy shpirtra, pra PS dhe Rama, të vënë përkrah në një moment të caktuar falë ‘bixhozit’ të habitshëm të kartave politike në vjeshtën e vitit 2005, kanë krijuar një situatë të paprecedent, në raport me peshën elektorale, rolin dhe imazhin e PS-së së sotme. Rama përfaqëson një figurë, e cila, e vetme, ka mobilizuar jo pak përkrahje popullore në Tiranë në dekadën e fundit. Ai ka marrë rregullisht, bashkë me mijërat e votave të PS-së dhe opozitës tjetër, edhe plot vota zgjedhësish, të cilët normalisht nuk do të votonin një kandidaturë të majtë, nëse ajo nuk do të quhej Edi Rama.

Ky binar i dyfishtë votuesish, tashmë jo më vetëm brenda Tiranës, por edhe larg saj (në shumë anë të vendit Tirana merret ende si një model suksesi, paçka se ne këtu shpesh na mërzitet ky qytet), duket se përbën thelbin e formulës “përtej të majtës dhe të djathtës”. Pra, jo thjesht një votim anëtarësh dhe simpatizantësh, jo thjesht një ritual zgjedhor ku hyhet me bindje ndaj ikonës së partisë dhe të asaj që ajo përfaqëson, por një frymë popullore që do të afirmonte largimin e Berishës nga jeta politike dhe mbylljen e ciklit të figurave historike në skenën shqiptare. Me fjalë të tjera, një bashkim teorik votash i atyre që votojnë PS-në, me ata që votojnë Ramën dhe idetë e tij.

Kritizerët e Edi Ramës këtë qasje të re të shefit të opozitës e kanë pagëzuar tashmë me togfjalëshin ironik “partia-bashki”. Në 28 qershor do të shihet nëse ata kanë pasur të drejtë në sarkazmën e tyre, apo nëse kreu i PS-së do t’ia ketë dalë që me ‘alkiminë’ e tij të radhës të përmbledhur në sloganin “përtej të majtës dhe të djathtës”, të fitojë kundër të gjithëve në të përpjetën e fortë të zgjedhjeve të kësaj radhe. Ajo që shihet sot është se, larg çdo trajtimi të lehtë dhe lozonjar, kjo gjetje është shumë më hileqare dhe e rrezikshme për armiqtë e kryetarit të PS-së, sesa shumë lëvizje të tjera që kjo parti ka bërë deri tani në rrugën e saj drejt zgjedhjeve.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama