Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Rama, Blushi Bushi dhe... Obama

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 16 vite më parë

Andrea Stefani
Rama, Blushi Bushi dhe... Obama

Lideri i PS, Edi Rama, tashmë e ka të shpallur ambicien për të hyrë në fushatë si një Obama shqiptar. Veç ato që thotë, por mbi të gjitha ato që po bën, dëshmojnë se më shumë se të majtit Obama, lideri i politikës së "re" i ngjan të djathtit Bush, që sapo u largua nga pushteti. Është një pozicion që konfirmohet edhe nga disa deklarata të bëra kohët e fundit nga Ben Blushi, një prej figurave më të spikatura në lidershipin aktual të PS. Krejt ndryshe nga Rama, deklaratat e të cilit vuajnë nga një si ngërç i fshehtë për të mos e thënë të vërtetën deri në fund, Blushi pati guximin të thotë troç se ato që cilësohen sot (madje edhe nga Berisha) si reforma madhore, PS i ka bërë që nesër të mund të qeverisë e qetë, pa pasur nëpër këmbë parti të tjera që mund t‘i vënë kushte apo të pengojnë vendimmarrjen e qeverisjes. Blushi e konfirmoi këtë "filozofi" edhe në rastin e debatit për buxhetin e Bashkisë së Tiranës. Sipas tij, bllokimi i buxhetit nga LSI dhe opozita ishte një tjetër provë e nevojës që PS të jetë në gjendje të qeverisë nesër e vetme. Ose, shtojmë ne, edhe me aleatë servilë, që as nuk kundërshtojnë dhe as nuk bllokojnë. Duhet ta themi që në krye të herës se kjo "filozofi" politike nuk ngjason fare me atë të partisë së Presidentit Obama, por është tmerrësisht afër filozofisë politike të partisë së ish- Presidentit Bush. Dhe sipas asaj që shkruan Barack Obama, në librin e tij "Guximi për të shpresuar", thelbi ideologjik i Partisë Republikane të sotme "është absolutizmi dhe jo konservatorizmi". Një epsh të tillë absolutist, tipik për "të djathtin" dhe beniaminin e Bushit me emrin Sali Berisha, po manifeston edhe politika "e re" e Edi Ramës, që tashmë ofron çlirimin nga Berisha por, mjerisht, jo nga autoritarizmi.


***

Një nga tiparet e politikës absolutiste të Bushit që ka kritikuar Obama është "besimi absolut në autoritetin dhe vullnetin e shumicës ose, të atyre që kërkojnë pushtet në emër të shumicës". Ndërkaq, politika e re e Obamës i përmbahet parimit se "demokracia duhet të jetë diçka më shumë se thjesht ajo që kërkon mazhoranca". Himnin e vjetër të tiranisë se shumica ka të drejtë të bëjë çfarë t‘i dojë kokrra e qejfit, e kemi dëgjuar dhe pësuar me fjalë dhe me vepra gjatë qeverisjes së I-rë e të II-të të Berishës. Por pikërisht atëherë kur shpresonim një ndryshim, po e dëgjojmë përsëri në versionin e avazit të politikës "së re", që me amendimet e Kushtetutës dhe një reformë zgjedhore që spastron "të vegjlit e bezdisshëm", synon përsëri të njëjtin absolutizëm qeverisës, por këtë herë për të mirën e një "populli" që qëndron tej të majtës dhe të djathtës. Është e vërtetë që politika shqiptare ka vuajtur tradicionalisht nga ajo që Obama kritikon edhe në politikën amerikane, nga paaftësia skandaloze për të arritur konsensuse edhe për çështje madhore. Por dihet ndërkohë se simptoma të tilla të një konfliktualiteti afatgjatë kanë qenë historikisht preteksti i të gjithë autoritaristëve për të rivendosur stabilitetin absolutist. Por jo për liderë si Obama që janë të dedikuar ndaj lirisë. Synimi i Obamës nuk është që, duke shfrytëzuar pakënaqësitë, lodhjen dhe dëshpërimin e njerëzve nga një politikë e paaftë për konsensus, ta flakë fare nevojën për konsensus, duke i falur qeverisjes me ca biçim "reformash" një stabilitet absolutist. Por pikërisht këtë po përpiqet të bëjë Rama. Ndërkaq, Obama bën thirrje që politika amerikane të rrisë aftësinë për konsensus, duke risjellë në plan të parë vlerat e përbashkëta të të gjithë krahëve, të të gjithë partive, të të gjithë qytetarëve.


***

Është një zhgënjim që politika "e re" e Edi Ramës po manifeston jo vetëm besim arrogant në autoritetin e vullnetit të shumicës, por edhe atë që Obama e kritikon rreptë në politikën e Bushit si një përçmim për çdo pengesë institucionale, si për shembull për Kushtetutën, gjykatat apo edhe shtypin. Amendimi vulgar, arrogant dhe jo transparent i Kushtetutës në bashkëpunim të plotë me autoritaristin Berisha, është një provë e hidhur e rreziqeve që i kanosen lirisë dhe demokracisë nga politika "e re" e Ramës. Por ndërkaq, më në surdinë dhe në nivele nga më të ndryshmet, ka nisur të shfaqet edhe arroganca e kësaj politike dhe e liderit të saj ndaj institucioneve, gjykatave dhe deri atyre gazetarëve apo mediave që guxojnë të kritikojnë politikën e tij "të re".

Ben Blushi mezi e përmbante kënaqësinë për rezultatet e sondazhit të "Zogby"-t, të cilat sipas tij do t‘i jepnin mundësi PS të qeveriste e vetme. Por duhet thënë se kjo është një ambicie që të shpie shumë më afër asaj që Obama kritikon te republikanët e Bushit, që "falë parimit kush fiton zgjedhjet i merr të gjitha, kontrollojnë çdo degë të qeverisë dhe nuk ndjejnë nevojën për kompromis". Dhe a s‘është pikërisht kjo që kemi kritikuar te Berisha? Prandaj alarmohemi kur shohim që edhe Rama nuk e fsheh dot epshin për t‘i marrë të gjitha. Madje, Blushi ka shpallur edhe vizionin e hatashëm (që Rama nuk e ka kundërshtuar ende) për një qeverisje të përbashkët PS-PD, gjë që mund ta çonte absolutizmin e një qeverisjeje në shkallën më të lartë të mundshme dhe nevojën për konsensus në pikën më të ulët të mundshme. Po ashtu, edhe pluralizmin politik.

Kjo lloj politike që thellon atë absolutizëm që e kemi parë dhe kundërshtuar nën Berishën, nuk mund të jetë "e re", vetëm se do të zbatohet nga një tjetër lider si Rama. Ajo mbetet po aq e rrezikshme për ardhmërinë e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri. Madje, më e rrezikshme, sepse është ende e padiskredituar, është ende "e re". Ndërkaq, një politikë vërtet e re nuk do të përdorte paaftësinë e politikës për të arritur konsensuse, si pretekst për të shmangur fare nevojën për konsensus (që është edhe thelbi i amendimeve të Kushtetutës) dhe bashkë me të, edhe gjithë mekanizmat institucionalë që mbajnë gjallë lirinë. Një politikë vërtet e re do të përpiqej të kultivonte vlerat që sjellin konsensus, të paktën në krahun e majtë. Me ardhjen e Ramës, krahu i majtë është i përçarë edhe më keq dhe Edi Rama nuk mund të lajë duart si Pilati, duke fajësuar për përçarjen Ilir Metën dhe LSI. Gjendja e sotme e së majtës provon se, pavarësisht vështirësive që shfaq gjetja e gjuhës në turmën e politikanëve shqiptarë, Edi Rama u tregua, në komentin më të mirë, i paaftë dhe në komentin më të keq pa vullnet që ta bashkojë atë. Ashtu si republikanët e Bushit që kritikon Obama, edhe Rama nuk e shikon politikën "si një përballje vizionesh politike konkurruese, por si një luftë midis së mirës dhe së keqes". Rama dhe propaganda e tij në media, gjithnjë e më mbështetëse dhe më servile ndaj tij, paraqet një të majtë "të mirë" të kryesuar nga Rama dhe një të majtë "të keqe" të kryesuar nga Meta.

Për një botëkuptim të tillë kompromisi është dobësi dhe jo ndriçim e forcë (prandaj Rama nuk i bën lëshime LSI as edhe për një kolektor në buxhetin e Bashkisë së Tiranës) dhe për këtë shkak motoja e tij e thellë dhe e errët është ajo që kritikon Obama: O me ne, o kundër nesh. Dhe ky lider që s‘do ose s‘bashkon dot shqiptarët e njërit krah, pretendon t‘i bashkojë shqiptarët tej së majtës dhe së djathtës, një tezë kjo me konotacion populisto-fashist. Ndërkaq, është skandaloze të shohësh se si ai ka pasur aftësinë e "jashtëzakonshme" për të arritur konsensuse dhe për të bërë reforma me autoritaristin e pandreqshëm Berisha. Kohët kanë provuar se nuk mund të arrish konsensus me Berishën, nëse nuk i bën lëshime autoritarizmit të tij. Dhe Rama i ka bërë këto lëshime autoritarizmit sot, me qëllim që t‘i gëzojë në qeverisje nesër. Një fakt i hidhur që na dëshpëron, dhe besojmë edhe shumë socialistë që e kanë kundërshtuar fort autoritarizmin si berishizëm dhe që nuk do të pajtohen me autoritarizmin edhe pse ai mund të shpallet si "politikë e re". Sepse vërtet autoritarizmi mund të marrë ngjyra të ndryshme, madje mund të jetë edhe i zi, fare pa ngjyrë, tej spektrit të ngjyrave dhe partive, por thelbin e ka të njëjtë, mbytjen e lirive dhe të drejtave të njerëzve, që është zemra e çdo politike vërtet të re. Prandaj, edhe asaj të Obamës.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama