Përse duhet të nisin hetimet për Jalën!

Shkruar nga: Mero Baze  
Botuar më: 13 vite më parë

Mero Baze
Përse duhet të nisin hetimet për Jalën!

Ka tri probleme që drejtësia shqiptare duhet të hetojë te skandali i projektit të Bankës Botërore për Studimin e Bregdetit Jugor. I pari është, nëse dhëndri i kryeministrit, Sali Berisha, i ka dërguar Policisë Ndërtimore kërkesë për prishje të godinave dhe e ka bashkëshoqëruar atë me fotografi ajrore dhe CD për të identifikuar objektet. Së dyti, duhet hetuar fakti që deri në vitin 2006, ky projekt ka parashikuar kondicionet e ndërtimit në atë zonë, deri në detaje, përfshi dhe lulet e rrugicat që duheshin rrotull godinave, kurse tani qeveria thotë se projekti ka detyrë vetëm të tregojë ku nuk duhet të ndërtohet. Ky fakt mund të na çojë te ndryshimi i objektit të projektit pas nisjes së hetimeve dhe shpërdorim i kotë i studimeve të bëra deri në vitin 2007. Së fundmi duhet hetuar dëmi ekonomik që iu është bërë familjeve në Jalë dhe kompensimi i tyre.

Hetimi duhet të fillojë nga të gjitha aktet e firmosura nga dhëndri i kryeministrit, Jamarbër Malltezi. Kjo është e domosdoshme, pasi te mënyra se si qeveria po mbron veprimet e tij, kemi një konflikt të pastër interesi dhe te mënyra se si ai ka rekomanduar prishjet e ndërtimeve, kemi një arrogancë të pashembullt pushteti ndaj pronës së qytetarëve. Angazhimi i qeverisë për të mbrojtur dhëndrin e kryeministrit nga një skandal i bërë publik prej Bankës Botërore, duke shkelur mbi interesat e qytetarëve shqiptarë, është arsye e mjaftueshme të nisin hetimet. Mjafton kjo të nisin hetimet për ligjshmërinë e këtij akti ndaj pronës së të tjerëve dhe për mënyrën se si po mbrohet një zyrtar i lartë nga akuzat për korrupsion.

Është e patolerueshme që një çështje, e cila është bërë tashmë çështje ndërkombëtare, të mos jetë objekt hetimi nga prokuroria shqiptare. Nëse debati mbetet vetëm mes Bankës Botërore dhe qeverisë, qeveria natyrisht që do të mbajë anën e dhëndrit të kryeministrit. Drejtësia duhet të nisë hetimet për të parë se ku dëmtohen interesat e qytetarëve shqiptarë nga shkelja e ligjeve dhe çfarë interesash fshihen pas kësaj prishjeje selektive në fshatin Jalë.

Kryeministri, i cili thotë se Gjykata Kushtetuese nuk ka të drejtë të gjykojë një çështje kur ka konflikt interesi, vetë po mbron dhëndrin e tij përballë akuzave për korrupsion nga Banka Botërore, çka përbën më shumë sesa konflikt interesi. Kryeministri po ashtu ka toleruar faktin që dhëndri i tij ka ngritur një kompani private me objekt të njëjtë me atë të projektit të tij për menaxhimin e bregdetit të jugut dhe shumicën e punëve ua ka dhënë dy ortakëve të tij që kanë po ashtu kompani të tjera në pronësi të tyre.

Akti i dytë që duhet hetuar ka të bëjë me objektin e këtij studimi. Sipas disa fakteve të prezantuara në shtyp, në vitin 2006, zyrtarë të këtij projekti kanë bërë studim të zonës në Jalë, kanë parashikuar ndërtimet që duhen bërë, lulet që duhen mbjellë, rrugicat që do t’i rrethojnë, distancën nga deti, katet etj. Pasi skandali u bë publik, duket se objekti i studimit u fsheh dhe tani thuhet se studimi vetëm përcakton njollat ku nuk duhet të ndërtohet. Hetimi duhet të zbulojë detajet e studimeve të bëra deri më 2007 dhe nëse ato janë sakrifikuar për të maskuar prapavijën e veprimeve arbitrare mbi fshatarët e Jalës. Nëse ne kemi pasur një projekt, i cili do përcaktonte dhe standardet e ndërtimit apo njollat e ndërtimit dhe tashmë është fshehur nga frika ose përpjekje për trafikim të tij, kjo duhet hetuar nga prokuroria.

Veprimi i drejtësisë shqiptare në këtë rast shumë flagrant është i nevojshëm mes të tjerash për t’iu dhënë fund spekulimeve mbi seriozitetin e Bankës Botërore, i cili është institucioni kryesor financiar perëndimor që ka asistuar ekonominë shqiptare nga viti 1991. Përpjekja e kryeministrit për të fyer këtë institucion, duke i paraqitur kritikat e tij si luftë grupesh rivale, dhe duke i ndarë zërat e saj në miq dhe armiq të Shqipërisë, është e dëmshme dhe mund të dëmtojë realisht interesat e Shqipërisë.

Së fundmi duhet parë dhe interesi i qytetarëve të dëmtuar. Megjithëse hetimi ka nisur nga Banka Botërore dhe ka të bëjë me probleme të saj, dëmi realisht ka prekur qytetarët shqiptarë dhe ata duhet të mbrohen nga ligjet e vendit të tyre. Drejtësia shqiptare duhet të vihet në lëvizje për të hetuar atë çfarë ka hetuar Banka Botërore pas prishjes në mënyrë arbitrare të shtëpive të banorëve të fshatit Jalë. Paneli i Bankës Botërore konsideron përgjegjës për këtë shkatërrim drejtuesit e projektit në Shqipëri, dhe i ka rekomanduar qeverisë shqiptare të ndihmojë familjet që iu është shkatërruar pasuria. Ky është një realitet i hidhur, pasi qeveria shqiptare, edhe pse ka shkelur ligjet, edhe pse ka shkaktuar dëm, edhe pse ka vendime gjykate që e ndalojnë të prishë shtëpitë, ua ka prishur ato dhe nuk iu jep dëmshpërblim. Qytetarët shqiptarë kanë nevojë të ndjehen të mbrojtur në vendin e tyre, dhe drejtësia duhet t’i qetësojë ata.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama