Asgjë për t’u shqetësuar

Shkruar nga: Mero Baze  
Botuar më: 13 vite më parë

Mero Baze
Asgjë për t’u shqetësuar

Kryeministri, Sali Berisha, po përpiqet të korrigjojë imazhin e tij në publik duke u përpjekur të bëjë “lojë luftash” me ministrat, madje dhe zëvendësministrat e kabinetit të tij, për të ilustruar me këtë mungesën e kontrollit mbi qeverisjen dhe frymën e debatit brenda qeverisë. Në një inskenim thuajse banal, kryeministri dhe dy zyrtarët e tij të financave debatuan mbi shifrën e rritjes ekonomike në vend. Sipas kryeministrit, Sali Berisha, kjo ka qenë fillimisht 14 për qind, pastaj, po sipas tij, u bë 12 për qind dhe së fundmi, po sipas tij dhe INSTAT, u bë 9,9 për qind, kurse sipas zyrtarëve të financave ajo është rreth 7 për qind, e sipas FMN, 6 për qind. Kjo kakofoni shifrash, që dëshmon mes të tjerash krizën e ekspertizës dhe besueshmërisë së institucioneve tona statistikore, u përdor dje publikisht prej Berishës, jo për të dëshmuar krizën e statistikës te ne, por për të demonstruar fuqinë e debatit dhe mungesën e kontrollit të tij të plotë mbi ekipin që drejton.

Loja “luftash”, e shfaqur para kamerave, natyrisht që nuk i shpëtonte dot detajeve të buzagazit të ministrit të Financave dhe qetësisë së zëvendësministrit të tij. Rritja dyshifrore ka qenë prej muajsh refreni i propagandës elektorale të kryeministrit Berisha. Askush tjetër veç tij nuk e thoshte dhe nuk e citonte. Ai e shpiku, e shpalli dhe zhvlerësoi vetë. Tashmë, për të shmangur efektin banal që pati në publik rritja e tij dyshifrore, ai po përpiqet të shpikë një konflikt fals me autoritetet e financave, të cilat janë të dënuara të mos bëjnë shumë propagandë me shifrat, pasi mbi bazën e tyre ndërtojnë buxhetin dhe politikat financiare.

Por përtej lojës së Berishës për debat me Boden, zbulohet një prirje tjetër e papërgjegjshme në qeverisje, ajo e debatit mbi perceptimin e rezultateve dhe jo mbi realitetin e tyre. Kryeministri e shikon qeverisjen si një betejë propagandistike dhe jo si plan konkret veprimi. Nëse debati Bode-Berisha do ishte real, do të ishte një katastrofë e vërtetë për vendin, pasi ne do të kishim minimumi një kryeministër që nuk ka një plan të tij për qeverisje, por një “tabelë emulacioni” socialist, ku shënon me shkumës shifrat që do. Nëse debati do të ishte i vërtetë, atëherë njëri prej tyre duhet të jepte dorëheqjen. Duhet të jepte dorëheqjen, pasi diferenca për atë që ata debatojnë nuk është një shifër e zakonshme, por shifra mbi të cilën është mbështetur buxheti dhe perspektiva e zhvillimit të vendit.

Por nuk ka vend për panik, pasi nuk janë duke debatuar për rritjen ekonomike. Atë e dinë sa është dhe nuk kanë ndonjë plan për ta rritur apo për ta çuar aty ku duan. Nuk kanë fare asnjë plan dhe ajo shkon sa të dojë, ose rritet, ose bie vitin që vjen. I vetmi plan i tyre është të justifikojnë budallallëkun tremujor të Berishës që del ekran më ekran dhe thotë se Shqipëria ka rritje dyshifrore.

Problemi i vetëm që mendoj se del pas kësaj është vetëm se mos këtë debat të inskenuar në ekrane ua përkthen dikush përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare financiare, pasi mund të vihen në alarm duke e marrë seriozisht mungesën e seriozitetit të qeverisjes. Këtu nuk ka vend për panik, pasi diferencat në shifra të tilla shkaktojnë tërmete vetëm në ato vende, ku këto shifra janë efekt i një plani veprimi dhe qeverisjeje. Te ne këto shifra janë rezultat i një ekonomie të re në zhvillim pa ndonjë strategji, të cilën jo vetëm që nuk e parashikojmë dot sa do të jetë, por nuk kemi as fuqi ta llogarisim, pasi ndodh. Për këtë shkak debati nuk është real, nuk është përmbajtësor dhe nuk iu thotë asgjë as ekspertëve dhe as qytetarëve shqiptarë.

Është thjesht një nevojë politike e kryeministrit të shmangë efektin qesharak të deklaratave të tij paraelektorale për rritje dyshifrore, për shkak të furtunës së krizës ekonomike që po i afrohet vendit dhe si pasojë e krizës botërore. Në atë debat nuk ka asnjë lajm të ri. As qetësia e Bodes dhe Mimës dhe as ngritja e zërit të Berishës nuk kanë të bëjnë me rritjen ekonomike dhe as me performancën e qeverisjes. Janë thjesht nevoja personale të Berishës dhe, sa herë ai ka të tilla, të tjerët janë gati t’i mbajnë oturakun.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama