Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Familje

Shkruar nga: Edison Ypi  
Botuar më: 16 vite më parë

Edison Ypi
Familje

Besimi, burri i nënës së fëmijve, pra shtylla e familjes, është një i vdekur i pa groposur sa një grusht katandisur. Besimi merr ende frymë vetëm sepse ende s’ka vdekur. Besimi nuk ka qënë kurrë i shëndetshëm por tani është bërë keq fare. Para do kohësh, Besimit, nga një sëmundje e pashërueshme, i vdiq ajo që e mbante gjallë, Shpresa, gruaja. Tani i kanë mbetur pesë fëmijët; Tre djem, Shkëlqimi, Guximi, Krenari, dhe dy çupa, Dituria dhe Zana. Por prej vdekjes së Shpresës është tronditur aq tepër sa asgjë nuk i bën derman.

Një ditë një mjek i tha; Besim, kuptoje dhe besoje këtë që po të them. Ti Besim nuk po vepron drejt’, ty nuk të duhet një mjek i vetëm që t’i shërojë të gjitha sëmundjet, por një sëmundje e vetme që t’i sëmurë të gjithë mjekët. E besoi Besimi mjekun me shprehje të encryptuara dhe hoqi dorë nga varavingot nëpër doktorra. Por ndërkohë, baba Besimit, me përparimin e sëmundjes me simptoma të pa spjegueshme dhe mjekë misterioze, i është shkurtuar dhe ngushtuar shtati, i janë tkurrur gjymtyrët, s’ngrihet dot nga vendi, dhe i ka ikur pothuajse fare zëri. Të marrurit frymë, e folura, e kollitura, lëvizjet e pakëta, i ngatërrohen si një makine e vjetër me motorr të marrë fund që bën gërr-gërr të ndizet por s’mundet. Në këtë gjendje të mjerueshme asnjë nga bijtë dhe bijat nuk e begenisin më Besimin. Tashmë jo vetëm Besimi ata, por as edhe ata atë dhe ata njëri-tjetrin nuk e besojnë më. Dhe ngaqë s’i lipset njeriu, rri në një qoshe si rrangallë duke menduar nëse ka qënë ndonjëherë i vërtetë apo gjithmonë i rrejshëm.

Me vdekjen e nënës Shpresë, djali i madh, Shkëlqimi, është nxirë i tëri. Nga marazi për vdekjen e nënës dhe bjerrjes së vlerës së babait po se po, por edhe nga taksirati tjetër që e ka gjetur; Nusja e tij Besa ka nisur e tradhëton me komshiun Luanin. Vret e vret mëndjen i sterrosuri Shkëlqimi pse vallë legjandaria Besa e tradhëton me një ngordhalaq si Luani, por s’ia kap që s’ia kap dot fillin. Dy djemtë e tjerë, Guximi dhe Krenari, janë në emigracion. Telefonojnë ndonjëherë, por as njërit as tjetrit s’u dihet tamam si po u vete filli.

Guximi, bashkë me nusen Lumturinë dhe nipçen Fitimin, kanë ikur larg. Nuk dihet tamam ku. Disa thonë atje ku njerëzit janë fytyrë verdhë, flasin sikur cicërrijnë, dhe hanë me shkopinj. Kur marrin në telefon thonë se po bëjnë biznes, por nga zëri i mekur dhe numuri i celularit që nuk del në ekran, kuptohet që gënjejnë. Krenari çka. Krenari, nusen Lavdinë, me të cilën s’dihet pse nuk bën fëmijë, e ka lënë në shtëpi dhe vetë ikën e vjen në Greqi. E rrahin e zhdëpin, leckat ia grisin mishin me pulla ia mbushin, sa herë hyn e del kur kalon kufirin, por kokën përpjetë se përpjetë Krenari. Le të më rrahin, mjafton të mos më vrasin, thotë kryelarti Krenari.

Atyre që thonë se s’bëj fëmijë sepse e përdor shumë mëndjen, s’u besoj. Prandaj s’kthehem pa grumbulluar aq para sa të mund të blej ilaçin për të bërë trashëgimtarë të paepur që edhe atyre syri tërr të mos u a bëjë kur t’i grisin dhe t’i rrahin duke kaluar kufirin. Çupa e madhe Dituria, ka mbetur pa martuar. Dituria e ka namin të mirë. Dhe goxha e bukur Dituria. Por kush t’ia hedh sytë Diturisë ashtu kock’ e lëkurë si është katandisur nga vuajtjet e vetmisë ?! Vijnë turlilloj djemsh për ta parë. Nga fshatrat e tjerë, nga Italia, nga Greqia. Por asnjërit s’i mbushet mendja. Ajo është e zbehtë, ata e duan faqekuqe. Ajo është delikate, ata e duan të bëshme. Ata e duan të shpejtë të shkathët, ajo e javashme.

Ata e duan nëpërkë, ajo është zonjë. Prandaj sa duket beqare do mbetet. Një herë, një bashkëfshatar emigrant nga Greqia i quajtur Gdhë erdhi për ta parë. E pa sa e pa. Por muhabeti s’ecte. Dhe mendja s’iu mbush. Dhe ç’ndodhi ?! Gdhë dinaku nisi të shohë rrotull. Derisa syri i zuri një kushërirën e saj te largët, Fitoren, që tha se aty kishte ardhur rastësisht. Dhe u kry. Më vonë gojët thanë se kushërira Fitorja, ngaqë e dinte se Dituria gjë s’qulloste, pikërisht për këtë kishte ardhur, pra Gdhënë kushërirës për t’ia rrëmbyerr, siç edhe ia rrëmbeu dhe në Greqi iku, ashtu mes dyshimesh, pa u kuptuar kurrë nëse Fitorja vodhi Gdhënë apo Gdhëja korri Fitoren.

Ndërkohë Dituria hera-herës pi ndonjë kafe dhe llafoset me Kujtimin djalin e xhaxhait, Durimit. Edhe Kujtimi beqar. Por Kujtimin të qënët beqar nuk e brengos. Sepse, për Kujtimin, jo vetëm nuk është kurrë vonë, por sa më vonë, madje kurrë, aq më mirë. Dituria dhe Kujtimi nuk qajnë vetëm hallet e families së tyre. Ata shpesh llafosen edhe për tmerret e familieve më të mëdha shqiptare, komunitetit, fshatit, qytetit, shtetit. Të shumtat e ditëve Dituria i ngrys duke pritur muzgjet para pasqyrës duke parë se si tek erret nuri i shtohet. Çupa e vogël Zana ka pesë vite në Itali.

Perria Zana para se të ikte u fejua me një djalë nga Peqini, Shpëtimin. Fejesa u bë gjatë një dite të zhurmshme pazari në Rrogozhinë mes dajreve, daulleve, dollive, duhmave të qofteve dhe rakisë,. Ishte edhe babai Besimi në ceremoni. Atëhere Besimi ishte i fortë si lis dhe i freskët nga truri. Në të vërtetë, baba Besimi dyshoi për Shpëtimin me Benz të madh dhe zinxhira floriri në qafë, por s’foli. S’foli sepse tha me vete; “Kështu e ka kjo botë, ay që duket i keq del birinxhi’, ai që duket i mirë del ibret”. Pas dy vitesh u muar vesh se Shpëtimin e kishin sharruar copa-copa në një fshat të Rroskovecit.

Këmbët dhe koka këndej, duart dhe trupi andej. Kishte ndodhur kjo masakër kur, pas nja njëzet fejesave të tjera lart-e-posht nëpër Shqipëri, Shpëtimi nga Peqini po fejohej me një tjetër Zanë të atyre nahive. Por edhe pas kësaj askush s’foli. Për dy arsye; baba Besimit i kishte përparuar ajo sëmundja e çuditshme që shkurton kujtesën dhe mpin gjymtyrët, dhe Zana nga Italia kishte nisur të dërgonte ndonjë lek. Prandaj u la me aq. Në pritje që një ditë, kur ta shihtë të arsyeshme Zana, ‘ë zbriste nga trotuarët e Italisë të vinte këndej përgjithmonë për të mbajtur premtimin se kur të vinte do ishte bërë vajzë e mirë dhe do sillte me vete aq pare sa duhej për të mbaruar shtëpinë e re.

Për të tjerët më mirë mos pyet. Xhaxhai i kalamajve të Besimit, Durimi, babai i Kujtimit, atij që pi kafe me Diturinë, si dhe i dy çupave, Drita dhe Kujtesa, u çmend kur pa në një gazetë se i kishin shpikur një pseudonim. Pas shterrjes mendore të Durimit, gruaja e tij, Pranvera, në fillim u dha pas alkoolit, pastaj iu vërsul drogës, dhe sot Pranvera as vjen as ikën, as flet as kuvëndon më si dikur, as mbas dimrit as para beharit.

Kujtesa se ç’studjon në Angli. Drita është futur në një shpellë prej nga thotë se nuk do dalë më kurrë deri sa ta zbërthejë kuptimin e jetës. Tre djem hallash, Përparimi, Gëzimi, Fatmiri, njëri u mbyt në Otranto duke ikur ilegalisht, tjetri u ngatërrua në një trafik prostitutash dhe se ku u arratis pa nam pa nishan, të tretin e gjeti një bela’ me ca shokë të këqinj dhe po pret përfundimin e një gjyqi. Ka mbetur një çupë tezeje pakashumë për së mbari. Quhet Liri. Është ende e vogël kërthi’. Dhe hiç s’dihet me të ç’do bëhet kur të rritet.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama