Dushi Doshi

Shkruar nga: Edison Ypi  
Botuar më: 5 vite më parë

Edison Ypi
Dushi Doshi

Dushi Doshi është si Fruthi; Të zuri, s’ke ç’i bën, do ta durosh.

Doshi të bën Dush kur nuk e pret. E parashikueshme dhe e frikshme, ardhja apo rrjedhja e Dushit të Doshit, i ngjan dukurisë astrofizike të goditjes së tokës nga një shi asteroidësh. Si i tillë, Dushi i Doshi nuk varet nga rrethana lokale banale planetare si, stina, kushtet meteorologjike, politike, gjeopolitike, ekonomike, dhe shprehjet aq të qëlluara të Shqipes “Të ardhtë nga mos e pandehsh” dhe “Si rrufe në qiell të kaltër” duket sikur janë shpikur enkas për Dushin e Doshit, dhe Doshi i Dushit për të ilustruar ato shprehje.

Mos e vrit mendjen nga cila gurrë, përrua apo liqen, pellg apo kanal, tub apo qynjgj, vjen uji i Dushit të Doshit. Doshi e di vetë kur e bën, me çfarë e bën dhe si e bën Dushin. Thuaj shyqyr që Dushi Doshi mbi kurriz të lëshon ujë dhe jo ndonjë lëng tjetër, për shembull, mjaltë, dhallë apo uthull, raki apo acid, dhe mjaftohu me aq. Mos u preokupo për hollësirat. Ta zemë, temperaturën e ujit të Dushit të Doshit. Se dihet që Doshi të bën Dush me vetëm 2 temperatura; Zero gradë ose 100 gradë të cilat gjatë Dushit i alternon herë njërën herë tjetrën. Pra Doshi të bën Dush për të shkaktuar plevitosjen ose përvëlimin, prej të cilave objektiva, në mos të dyja, njërin e realizon gjithmonë me sukses.

Uji që Dushi i Doshit hedh mbi kurrizin e cullakut është i njëjti ujë që qarkullon nga rubineti tek kurrizi, nga kurrizi në dysheme, nga dyshemeja tek një pompë e fshehtë që s’dihet se ku ndodhet, nga pompa përsëri tek rubineti, nga rubineti mbi kurriz, nga kurrizi në dysheme e kështu me rradhë. Pra pak ujë për shumë punë. Sepse Dushi Doshi nuk ka qëllim larjen, e aq më pak rehatimin, por përkundrazi, vetëm ndotjen, sëmurjen, dhe mundësisht çmendjen.

Pisllëku qarkullues i Dushit të Doshit është një pështirosje e padurushme. Por vetëm në vështrim të parë. Se po të kesh parasysh plevitosjen ose përvëlimin që gjatë Dushit të Doshit do të duhet të përballosh, pisllëku nuk do jetë shqetësim primar.

Doshi nuk kujdeset për hollësira; madhësinë, formën, materialin e rubinetit prej nga nxjerr zhulin, i vogël, i madh, i hekurt, i bakërt, apo i larë me flori. Mjaft që zhuli nga ai rubinet të dalë dhe Dushi Doshi të jetë sa më i efektshëm.

Megjithatë Dushi Doshi nuk është ndonjë e keqe aq e madhe para së cilës duhet ndejtur duarkryq.

Ekziston mundësia për marrjen e masave mbrojtëse që ndalojnë përkeqësimin e skajshëm të gjendjes shëndetësore të atij të cilit Doshi i bën Dush. Nga ky këndvështrim, jo Dushi i Doshit, por Doshi i Dushit i ngjan diktaturës; Të çon deri në zgrip, por nuk të vdes. Po ashtu si diktatura e cila po të të vdiste s’do të kishte kë të torturonte, edhe Dushi i Doshit nëse do të të ngordhte nuk do mund të ekzistonte.

Pra ndaj rrezikshmërisë që Dushi i Doshit paraqet disa masa mbrojtëse mund të merren.

Kujdesu që ambjenti ku drama doshianeske do konsumohet të ketë së paku një dritare prejnga të vijë drita dhe të mund të shohësh me sytë e tu, si ndotjen e neveritëshme, dhe lëkurën që do të bëhet si mish pule. Dritarja duhet të jetë e mbyllur. Nëse dritaren e lë hapur, flladi që do vijë nga jashtë, do të kalli një ftomë që nuk do të lëshojë kurrë.

Sa kohë Dushi Doshi nuk bëhet për higjenë fizike por vetëm si lavazh terapeutik psikik për të ta mposhtur rezistencën psikologjike, sapun nuk të lypset.

Që nuk lypset sapun, nuk do të thotë që ta dobësosh syçelësinë ndaj disa gjërave të tjera në dukje të parëndësishme.

Përkundrazi, duhet të bësh shumë kujdes që gjatë Dushit Doshi, i cili, si e theksuam më lart, më tepër se çdo gjë synon prishje ekuilibri, gjatë rrjedhjes së këllirave mbi kokë, të kesh nën këmbë një pllakë të përshtatëshme që të mos rrëshqasësh.

Kujdes bidenë. Mos ja ndaj sytë. Të shërben për gjenerimin e përfytyrimeve erogjene që me gjasa mund të t’i paksojnë sadopak dhimbjet.

Mos nënvlerëso WC-në. Është i vetmi vend ku gjatë Dushit Doshi mund të ulesh për pak çaste për tu liruar sadopak nga frika.

Ku pisllëku ka marrë dhenë, funksionon apo nuk funksionon sifoni i shkarkimit të WC-së, s’ka asnjë rëndësi.

Sa kohë qëllimi i Dushit të Doshit nuk është vdekja por vetëm kallja e tmerrit, është i këshillueshëm një peshqir që do ta përdorëshpër fshirjen e djersëve të emocioneve ekstreme që do provosh.

Gjatë Dushit Doshi, nuk është keq të sjellësh ndërment disa kërkime që i ke bërë në Internet lidhur me si i kanë përballuar sprovat me Dush dhe Dosh, Dush Doshi dhe Dosh Dushi, figurat e shquara të historisë botërore; Napoleon Bonaparti, Xhorxh Uashingtoni, Pjetri Madh dhe të tjerë të mëdhenj, përveç kurvit i cili, siç dihet, Dush, Dosh, ujë, këllirë, acid, tavan, dysheme, mure, WC, tub, rubinetë, ishte vetë.

Mbylljen me dry që askush të mos shohë çfarë bëhet brenda Dushit të Doshit, kaq gjë gjynahqarit nuk i lejohet të mos e dijë.

Masa mbrojtëse shtesë për tu mbrojtur nga tmerret e atypëratyshme dhe pasojat e ardhëshme të Dushit të Doshit mund të jenë;

Një video kamera që të regjistrojë me zë dhe figurë të gjitha piskamat dhe përpëlitjet.

Ndonjë tablo rinascimentale në mur, kqyrja e së cilës asocion sentimente fine, do bënte një efekt pakashumë si të valiumit që largon njëfarsoj mendjen nga bezditë, s’do ishte keq.

Një film horrori nga ata që sa më të frikshëm janë aq më tepër të sjellin në vete, i projektuar mbi njërin nga muret, ku ma gjen.

Përfytyrimi i pamjeve sa më të bukura nga Skrapari ose Tropoja, do ndihmonin goxha në paksimin e dhimbjeve.

Nuk beson ?

E ke gabim.

Indiferenca moskuptuese, si e publikut dhe e rrezikziut të momentit, shkakton gjithmonë tërbimin e Doshit. I cili në eventualitet e bjerrjes së frikës ndaj tij, i habitur në kulm nga padituria shqiptareske, duke sharë e mallkuar sa majtas e djathtas, ndërron taktikë. E detyron fatkeqin që Dushin të mos e bëjë më këmbë, por shtrirë, zhytur në një vaskë jo me ujë por me acid, ku pak minutash gjëndja bëhet aq dramatike sa nuk do mund të jepnin dot ndihmesën përkatëse, asnjë hoxhë, asnjë prift, asnjë baba teqeje. Vaska do shndrrohet në arkëmort. Viktima e rradhës në kufomë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama