Imam Kosove

Shkruar nga: Edison Ypi  
Botuar më: 5 vite më parë

Edison Ypi
Imam Kosove

Mafja, korrupsioni, hajdutllëqet, dallaveret, atentatet, plagosjet, vrasjet, fukarallëku, mungesa e shpresës, mungesa e perspektivës, ma kanë largu Kosovën ku tash sa vjet nuk kam shku.

 

Por tash sa muaj që po shoh me tmerr se serbët vrasës e genocidistë munden me bo qeveri, e kosovarët e shumvuajtur jo, Kosova e Prizrenit elegant, Pejës së çikave shtatnalta, Mitrovicës së therur, Prishtinës fantastike, pasulit madhështor, mirjelljes, qytetarisë, urtësisë, dhimbjes, vuajtjes, durimit, heroizmit, sakrificave, më është bërë edhe më e largët. Prandaj ende në Kosovë nuk mundem me shku. Se më vjen me qa, e Kosovën përmes lotësh nuk mundem me e pa.

 

Por Kosovën nuk mundem me e harru.

 

Kosovën që nuk mundem me vajt me e pa me sy, po e kqyri përmes Internetit.

 

Po çfar me pa ?!

 

Më pat’ rënë në sy aty-këtu ndonjë Imam Kosove duke predikuar broçkulla. Për shembull duke thënë se maca e zezë që të del para kerrit nuk ësht kurrnisen, është bestytni, e frikën nuk duhet me ja pas macës, por tjerave sene, që i di Imami.

 

Por nuk i pata dhënë rëndësi. Më janë dukur episode sporadike brenda lirisë që gjithkush mundet të thotë gjithçka.

 

Mirpo Imam pas Imami, broçkull pas broçkulle, konstatova se Imamët e Kosovës dhe broçkullat e tyre vetëm sporadike nuk janë.

 

Kështu mes broçkullash dhe imamësh rrëshqita në një gropë të thellë e të errët plot me çudira të papara dhe të padëgjuara, dhe interesimi për imamët mu shtua.

 

Dihet se po të kërkosh në Internet diçka, bashkë me atë që kërkon të dalin edhe gjëra të tjera të përafërta që me gjasë mund të të interesojnë. Kështu e ka bërë kaurri Internetin. Meqënse fjala erdhi të kaurri, për me i qetësu dyshimtarët, po u them se emrin e kam, por kaurr nuk jam, Allahun e besoj, nënë e babë musliman i kam, dhe synet jam, të interesuarve dyshimtarë pa problem mund tua demonstroj.

 

Pra mund të kërkosh në Internet, ta zemë, kompjuter, dhe Interneti të nxjerrë kompjutera, e bashkë me kompjuterat të sugjeron edhe tableta, modema, kamera dhe të tjera gjëra.

 

Të kërkosh në Internet për Imam Kosove gjen vetëm imam Kosove, asgjë tjetër.

 

Imami i Kosovës nuk ka të përafërt apo të ngjajshëm.

 

I vetmi i ngjajshëm me Imamin e Kosovës është Imami i Kosovës.

 

Tullat, tjegullat, kompjuterat, veshjet, të ngrënat, kondomat, vibratorët, ushqimet, janë gjithfarësh. Imamët e Kosovës jo, ata janë të gjithë identikë.

 

Ngjajshmëria rrënqethëse e imamëve të Kosovës, secili veç e veç si të gjithë bashkë, dhe të gjithë bashkë si secili veç e veç, të fut drithmat.

 

Bërtitës, uluritës, arrogantë, kërcënues, imponues, invadues, imamët e Kosovës të kallin tmerrin.

 

Fjalori i njëllojtë, lëvizjet nervoze të gjymtyrëve, gjestet e rrëmbyera si të Hitlerit dhe Musolinit, argumentat banale deri në turp e neveri, deri edhe shëndeti i imamave të Kosovës, janë identikë. Ke parë njërin, i ke parë të gjithë. Ke dëgjuar njërin i ke dëgjuar të gjithë.

 

Nëse të ka marrë malli për uniformitetin, linearitetin, gjithpërfshirjen, krekosjen, burracakërinë e Shqipërisë diktatoriale, shko se e ke të tërën në krismat e çartuna të predikimeve të Imamit të Kosovës.

 

Zëvendësoje për një moment në të folurën e Imamit të Kosovës, Muhametin me kurvin, xhaminë me Komitetin e Partisë, vetë Imamin me sekretarin e partisë, ata që e dëgjojnë Imamin me një “kolektivin punonjës” të ndonjë ndërmarrje shqiptare. Pa më të voglin ndryshim, as në sipërfaqe as në thellësi, as në qëndër as në margjina, lart e poshtë, majtas e djathtas e rretheqark, pa absolutisht asnjë dallim, asnjë ndryshim, asnjë diferencë, asnjë distancë, ngjajshmëria është frymëndalëse, para sysh të ka dalë zezona më e madhe e historisë njerëzore, vetë ferri, me të gjitha ligësitë dhe egërsitë e saj, Shqipëria e viteve ’70.

 

Imami, apo Hoxha, si e njohin historikisht shqiptarët, është mëshirimi i urtësisë dhe përunjësisë.

 

Tek predikon, Imami i Kosovës ka krejt tiparet e një sekretari partie apo të një agjenti të Sigurimit që po flet kërcënueshëm para një tufe budallenjsh, para një kopeje bagëtish.

 

Imami i Kosovës flet për Allahun krejt njësoj si për kurvin, Stalinin apo Leninin.

 

Imami i Kosovës bërtet, uluret, urdhëron, detyron, imponon, si diktator, si komisar ushtarak, si komandant burgu.

 

Imami i Kosovës deri edhe “çikat e mbuluara” i quan leperica, magarica, kurva, rruspia për të vetmen arësye se kanë dalë shëtitje me dy frajera.

 

Që “çika e Kosovës” duhet me qënë e mbuluar, këtë, me të njëjtën masë arrogance dhe kërcënimi, Imami i Kosovës e quan të padiskutueshme dhe të detyrueshme si kurvi konsideronte shallin e pionierit. Madje Imami i Kosovës futet edhe më thellë. Tek nëna e çikës së Kosovës. Që edhe ajo, sipas Imamit, është një lepericë e magarisë, sepse nuk lejon çikën e vet me marr për burrë një si budalli që ajo vetë, nëna e çikës, ka marrë, por ndonji me pare, me biznes, me kerr.

 

S’po zgjatem me gomarllëqet e pafundme për “Mbulesën” se s’dua ta le lexuesin pa gjumë një muaj rresht. Ama një pyetje lidhur me mbulesën e kam;

 

Sa kohë tundimet mishtore janë reciproke dhe identike, pse Imami nuk predikon edhe mbulimin e mashkullit por vetëm mbulimin e femrës ?

 

Nuk po them, Allahu më ruajt, të mbulohen të dy, që bota të sterrosej, e aq më pak, të zbulohen të dy, që qytetërimi të shembej. Thjesht bëra një pyetje.

 

Prej kohësh pata konstatuar se hera-herës vihet re një hov i shtuar i çikave të Tiranës për t’i zbuluar edhe më tepër cicat, për t’i zvogëluar edhe më tepër breçkat.

 

Pasi bëra disa paralelizma kohore, këtë enigmë arrita ta zbërthej.

 

Sa më tepër klithin imamët e Kosovës, aq më tepër i zbulojnë çikat e Tiranës cicat, dhe aq më tepër i zvogëlojnë breçkat. Zbulimi progresiv i cicave dhe zvogëlimi galopant i breçkave të çikave të Tiranës është një kundërpërgjigje e klithmave të imamëve të Kosovës.

 

Nga ana tjetër, cicat e zbuluara dhe breçkat e zvogëluara të çikave të Tiranës, si kundërpërgjigje e kundërpërgjigjes së çikave të Tiranës, provokojnë klithma edhe më të forta nga imamët e Kosovës, të cilët, si vigjilentë të mëdhenj të cicave dhe breçkave që janë, ndaj këtyre zbulimeve dhe zvogëlimeve respektive s’mund të rrinë duarkryq.

 

Se ku do përfundojë kjo garë cicash që zbulohen, breçkash që zvogëlohen, dhe imamësh që tërbohen, Allahu e di.

 

Muslimanizmi si marksizëm leninizmi, Muhameti si kurvi, Meka si Komiteti Qëndror, xhamia si hetuesia, Imami i Kosovës si Koçi Xoxja i Shqipërisë, si e thashë në krye, të gjitha i kam nga Interneti, i cili, siç dihet, është i kaurrit që mund të ketë bërë ndonjë hile të cilën unë s’e kap dot, mua thjesht më dëshpëron.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama