Me sy mbyllur

Shkruar nga: Edison Ypi  
Botuar më: 5 vite më parë

Edison Ypi
Me sy mbyllur

Me sy mbyllur pashë një derr të therur varur në çengel që rridhte gjak.

Me sy hapur pashë një tuf’ qënsh që lëpinin në dysheme pllangat e gjakut të derrit të therur.

Me sy mbyllur pashë disa djem dhe vajza të reja veshur e mbathur casual, mbaruar universitete të famshme të botës duke folur me zjarr për ta bërë Shqipërinë Zvicër.

Me sy hapur pashë po ata djem, por të pispillosur, dhe po ato vajza, por të ngrehura, në një kafene duke dërrdëllitur për postime në rrjete sociale dhe të tjera broçkulla që mendja s’i rrok.

Me sy mbyllur pashë një gazetë e cila në faqen e parë kishte lajmet më të rëndësishme nga ekonomia, politika, zhvillimet parlamentare, rajoni, bota, ndërsa në brendësi analiza dhe komente nga autorë seriozë dhe të përgjegjshëm, habere nga Kultura, Arti, dhe në fund krimet, fatkeqësitë, sëmundjet, vuajtjet, vdekjet.

Me sy hapur pashë po atë gazetë, por me renditje të kundërt; Në faqen e parë krimet, shpërthimet, tmerret, batërditë, pastaj të tjerat.

Me sy mbyllur lexova një libër të mirë që më kënaqi.

Me sy hapur pashë promuovimin zhurmëmadh të librit të palexueshëm të një ish-spiuni pa asnjë talent, asnjë frymëzim, asnjë sugjestion.

Me sy mbyllur pashë një adoleshent që i lëshoi një të moshuare vendin në autobuz.

Me sy hapur pashë në televizor dy adoleshenta në spital duke ngacmuar në relievin intim një mikeshën e tyre pa ndjenja shtrirë mbi një shtrat.

Me sy mbyllur pashë një djalë që i bëri një vajze një kompliment të bukur, dhe vajza u skuq nga kënaqësia.

Me sy hapur pashë një djalë që i tha një vajze “du me të çi” dhe vajza i tha ftohtësisht “faleminderit”.

Me sy mbyllur pashë një lugë bosh plot me mish.

Me sy hapur pashë një pirun plot me supë përgatitur nga një amvisë televizive me receta të marra nga Interneti.

Me sy mbyllur pashë një pllajë mahnitëse në Skrapar me ujvara që rridhnin në Osum.

Me sy hapur pashë një kazan plehrash brenda të cilit një i rreckosur në bashkëpunim me disa mace kërkonin me ngulm diçka misterioze që gjatë një ore nuk e gjetën dot.

Me sy mbyllur pashë sikur duke mu marrë fryma e duke më rrahur zemra, i lodhur dhe i lumtur arrita të ngjitem më këmbë në majën e një mali.

Me sy hapur pashë një obez tek të tridhjetat brenda një makinë të madhe me xhamat mbyllur duke ngrënë i babëzitur një hamburger sa një byrek, por i palumtur, madje i xhindosur, se ndërkohë që hante i binte celulari.

Me sy mbyllur, pasi hëngra groshë dhe piva dhallë në një katund, j’a futa një sy gjumë në një livadh.

Me sy hapur pashë një restorant në Bllok ku ca karaputana OJQ-sh që s’bëjnë asnjë punë, nga ato që në ’91-in ishin të reja dhe fukaresha, ndërsa tani plaka me zinxhira floriri dhe rruaza nëpër qafa, po hanin e pinin ushqime dhe pijë të shtrenjta me paret e taksapaguesve tanë dhe të huaj.

Me sy mbyllur pashë Voskopojën magjepsëse plot me kisha dhe monastere.

Me sy hapur pashë i tmerruar Durrësin mesdhetar plot me palma si qytet tropikal.

Me sy mbyllur pashë një prift të urtë duke mbajtur meshë para disa besimtarëve kokulur.

Me sy hapur pashë në Youtube një imam Kosove duke predikuar herezira me urdhëra dhe ulurima.

Me sy mbyllur pashë kurvin e Gjirokastrës duke i shkruar letër lavirit të Prishtinës. Letra e kurvit për lavirin fillonte me fjalët; “I kam dhënë urdhër sigurimit që pasi të të regjistrojë si bashkëpunëtor, të firmosësh dhe t’i falenderosh, librat e tu për të vjellë t’i shpërndajë në Shqipëri si kryevepra të ndaluara…”.

Me sy hapur pashë lavirin e Prishtinës duke j’u përgjigjur letrës së kurvit të Gjirokastrës; “Faleminderit që më bëre bashkëpuntor të sigurimit, pra agjent të dyfishtë, se jam edhe i UDB-së. Të lutem bëj kujdes të mos më hapet nami si spiun. Se pas ngordhjes tënde, në bashkëpunim me mbeturinat e sigurimit, do lidhem me një televizion të Tiranës ku do jap intervista për të mbrojtur ty nga përdhosja dhe nexhmien nga vdekja…”.

Me sy mbyllur pashë një vjeshte bollëku plot me fruta dhe të korra që erdhi fill pas një pranvere me ngrica dhe suferina.

Me sy hapur pashë një dimër duke u betuar se nuk do largohej kurrë pa i kalbur përgjithmonë mishrat dhe kockat e shqiptarëve me reumatizma dhe patologjira neurotike të pa shërueshme.

Me sy mbyllur pashë një peshkaqen gjigand i cili, pasi doli nga Erzeni dhe rrafshoi të gjitha ndërtimet abuzive të Tiranës, u zvarrit i përgjakur deri te Lumi i Tiranës për në det.

Me sy hapur pashë një harabel që ra i ngurdhur nga një degë drejt mbi trotuar ku një fëmijë e shtypi pa dashje me këpucë.

Me sy mbyllur mu bë sikur diktatura kishte mbyllur nëpër burgje vetëm Poetët.

Me sy hapur pashë se diktatura, për t’i përdhosur poetët, bashkë me ta kishte futur nëpër burgje edhe plot rrugeçër.

Me sy mbyllur mu faneps sikur dosjet u hapën, u hodha përpjetë nga lumturia, dhe bërtita; Shpëtuam nga mutërit që po na mbahen për të pastër.

Me sy hapur më thanë se manipulimi i dosjeve nuk ka filluar pas ’90-ës si thonë ca budallenj, por që në fillim, qyshkur kur janë përpiluar si thonë ca që këto gjëra i dinë, dhe, nëse disa syresh kanë mbetur, po u hapën, nuk do hapen dosjet e xhelatëve, por vetëm dosjet e viktimave, për t’i viktimizuar edhe një herë.

Me sy mbyllur pashë Djallin duke u lodhur ta bindi Zotin të hiqë dorë nga mirësitë, butësitë, urtësitë, dhe të fillojë të zbatojë strategjira perverse por kurative për shpëtimin e shqiptarëve nga veset dhe vënien e tyre në rrugë të mbarë.

Me sy hapur pashë Zotin duke u përpjekur me një mijë mënyra t’i bindi njerëzit të mos kenë frikë nga asgjë sa kohë është e vërtetë thënia e Shekspirit; “Ferri është bosh, të gjithë djajtë janë midis nesh”.

Me sy mbyllur pashë një qytetar të zemëruar sepse dyqanxhiu nuk i dha kupon tatimor. Një të rrëmbyer një çekiç i theu dyqanxhiut rruzën e 7-të të qafës dhe me një brisk rroje të ndryshkur i preu “Nervus Vagus”, nervin përgjegjës për lëvizjet e të dy krahëve, të majtë dhe të djathtë. Priti pak çaste sa dyqanxhiu nisi të ulurasë nga dhimbjet dhe krahu t’i varej, pastaj u largua i qetë.

Me sytë hapur pashë një kontrollor duke gjobitur një biznesmen për mospagim të energjisë. Biznesmeni bëri naze. Kontrollori një të marrë një varre dhe bam i ra mu në fund të kolonës vertebrale te koci i bythës dhe e la top në vend.

Me sy mbyllur mu duk se Shqipëria hyri atje ku s’ka se si të hyjë sepse është, në Europë.

Me sy hapur më zuri gjumi.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama