Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kryeveper

Shkruar nga: Edison Ypi  
Botuar më: 16 vite më parë

Edison Ypi
Kryeveper

Ndodhi brenda një muzgu të mahnitshëm pranveror. Nga ata që ta hedhin Qiellin mbi kokë. Nga ata të cilët, pas dehjes, në fund fare, në formë pyetjeje, të kujtojnë fatkeqësinë e pashmangshme; Me këtë hov që kanë marrë shqiptarët, kur krismat të kenë heshtur, zhurmat të kenë reshtur, piskamat të kenë mbaruar, pra punët të jenë bitisur, dhe Shqipëria e gjallë ku ndodh gjithçka të jetë bërë për shembull e ngordhur si Zvicra ku nuk ndodh kurgjë, sa e këndshme, sa e shijshme do jetë, sa kuptim do ketë, të jetosh në Shqipëri ?! Që atë mbrëmje do bënte vaki’ diçka fort e rrallë, e paralajmëroi Hëna. Ajo, Hëna pra, e cila deri pak para Peqinit ishte sa një monedhë, aty befas u bë sa një bakllava dasme. U zmadhua sepse e pashë unë atë të menduar, apo sepse më pa ajo mua të dëshpëruar, këtë ka kush e gjen, kjo s’më përket mua. Pas pak iu dorëzova makinës, e cila, në kok’ të vet, pasi la autostradën mori një rrugë katundi në perëndim të Shkumbinit. Ishte ndoshta ai katundi i asaj historisë së çuditshme me, si thonë ca; një lopë që polli një viç me dy koka, ose ca të tjerë; dy viça me një kokë, çka nuk u kjartësua kurrë deri në fund. Katundin me koka dhe viça nuk e pashë. Pashë vetëm sesi makina nisi t’i ngjitej një të përpjete me kthesa.
Nga maja e kodrës pranë njëri-tjetrit po zbrisnin më këmbë dy. Jo dy koka në një viç. As dy viça me një kokë. Dy njerëz. Një mashkull, një femër.
Mezi shquheshin q’atje tej.

Ajo, femra, ishte ajo budallaqa gazetare televizive. Ajo që ka arritur një gradë aq të lartë përfeksionizmi të profesionalizmit sa nuk i intereson asgjë në botë përveç pyetjes së vet. Ajo që i bën të ftuarit pyetjen, dhe, fytin me sqepar t’ia çash, përgjigjen kurrë nuk e dëgjon. Disa thonë madje që as pyetjen e vet nuk e dëgjon. Por të mos futemi aq thellë.
Ai, mashkulli, ishte një nga të ftuarit e tarallaqes. Ai që gjithë vëmendjen e ushtron pikërisht për të kundërtën. Ai llapaqeni që, kur pyetet, jo vetëm të sajat, por asnjë pyetje nuk dëgjon kurrë.
Pse vallë të kenë ardhur këtu mes magjisë shejtanbudallenjtë të cilët atje në kryeqytet hiqen sikur nuk e dinë se katundet ekzistojnë ?! Për shpëtimin e shpirtrave ?! Këtu në katund, mes flladit, fushave, livadheve, a i respektojnë aq vendosmërisht rolet, si atje në kryeqytet ?! Cili hesht dhe cili flet ? A pyesin, a përgjigjen ?! Cili prej tyre pyet dhe cili përgjigjet ? Cili nuk pyet dhe cili nuk përgjigjet ? Telemavrinjve të telebudallallëkut të telepyetjepërgjigjeve pa teleshikues u zë rrugën një traktor me zhurmë. I mbulon traktori për pak caste. Dhe çfaqen përsëri.
Më të afruar. Më të kuptuar. Por s’janë ata të gallatës televizive. Janë dy të tjerë.

Ai, politikan. Ajo, si biçim ndihmëse. Pasi janë ngjitur, dhe sa duket punë kanë mbaruar, tani po zbresin. Kanë ardhur të takohen me popullin. Janë nisur herët nga Tirana. Të zinjtë ç’kanë hequr deri sa kanë mbërritur. Rrugës kanë ndalur nëpër të gjitha kafenetë dhe restorantet ku kanë përlarë të gjitha kafetë, qoftet, salcat, tavat e peshkut, pije nga më të ndryshmet, muhabete nga më të larmishmet. Tani ajo po i thotë atij; “Uaaaaa, sa nice ishte ai fishi që hëngrëm kur erdhëm”. Ai rri i ngrysur. Takimi me popullin e ka rënduar. Komunikimi me fshatarët nuk e pati return-in e pritur. Po i ankohet asaj për popullin; “Këta e dashur, nuk i ndihmon dot. Këta nuk i njohin hallet e tyre. Nuk i artikulojnë dot për shkak të prapambetjes së theksuar, gradës së ulët të zhvillimit intelektualo-qytetar me rrënjë të thella historike në vendin tonë. U mungon, si të thuash, aftësia për të komunikuar, për të dialoguar. U mungojnë mjetet shprehëse, fjalori, shkurt, kultura. Por e keqja më e madhe është se, më vjen shumë keq ta them, këtyre u mungon shpirti i protestës, guximi, pra nuk janë trima”. Ia pret carja; Të kam thënë një qint herë, kot e ke. Nuk është për ty ky vend. Ik përdore talentin e liderit diku tjetër. Këtu nuk ke hapësirë të mjaftueshme. Këta janë të kufizuar, të ngushtë, të padepërtueshëm. Mos u merr me këta kokderra që u ka zënë koka kallo. Këta s’dinë të bëjnë tjetër gjë veçse të ndërtojnë shtëpi të reja dhe të blejnë traktora. Shih sa të bukura këto lëndina”. Por ai nuk epet, e ka pllakosur dëshpërimi dhe vazhdon; “Un’ dua t’i ndihmoj, këta s’duan të ndihmohen. Shumë çudi ! Unë e pranoj ndihmën që më japin të gjithë. Këta e refuzojnë ndihmën time”. “Leri pallavrat, ia ndal brutalisht reflektimet tjetra, eja merremi me të huajt, ata janë ylli ynë, fati ynë, atyre ua marrsha t’ligat, ata paguajnë shumë për pak punë”.
Aty u dalin përpara ca mullarë. Mullarët pengojnë t’i shohësh.

Pas mullarëve; as gazetare shurdhe, as i ftuar dinak, as politikan i ri, as ndihmëse e tij.
Dy të tretë të vërtetë. Fare afër.
Ai mes njëzetë dhe tridhjetë.
Ajo tek të njëzetat.
Ajo pulë.
Ai dragua.
- Ç’e ke atë perri’ ?
- Grua.
- Cili është ky azgan ?
- Burri.
- Kur jeni martuar ?
- Para gjashtë muajsh.
- Duheni ?
- Sapo e iva.
- Po o yll, o star, o tmerr, o llaftar, o shqiptar, o i mbi dhe i nën jetesës Gjeni’, po. Duket qartë që sapo e ive. Dhe shumë mirë bëre. Dhe o shtofsh e u shumofsh për lavdinë e vatrës dhe të racës. Por s’po marr vesh një gjë lidhur me kokat tuaja; Mir’ ajo që e mban anuar sepse e lumturuar nga e ira, po ti pse me kokë rrëxuar ?
- Ehu ti dashke t’i dish të tëra. E kam një arsye. Unë gjeli dhe kjo pula punuam gjithë ditën nëpër ara. U lodhëm. Tani po zbres në katundin tjetër te njerëzit e saj. Kur të arrij atje posht’, s’dua llallallara, dua të çlodhem, dua t’i gjej gati të gjitha; Rakinë, dashi të jetë therur, njerëzit të jenë mbledhur, muhabeti të ketë krisur, pilafi të jetë duke valuar. Prandaj, që të mos vete atje e të gjej llafe, por fakte, me kokën ulur, po e kërcënoj vjehrrin me një SMS.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama