Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Varrezat dhe shkollat. Kisha ne mes

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 16 vite më parë

Mentor Nazarko
Varrezat dhe shkollat. Kisha ne mes

Ditët e fundit, mediat shqiptare kanë sjellë në vëmendjen publike dy ngjarje, në dukje të pashkëputura nga njëra-tjetra. Në Gjirokastër, një shkollë private e ngritur apo e mbështetur nga kisha, po mbledh nxënësit e minoritetit që ikin nga shkollat publike me numër të vogël syresh, kryesisht në zonën e njohur të minoritetit, në Dervician. Ndërkohë, në Çiflig, një fshat fare afër Korçës, Kisha përsëri ka mbështetur ndërtimin e një manastiri, pranë të cilit janë paraparë dhe vendet për njëlloj mauzoleu për ushtarët e vrarë grekë.

Në fakt, ngjarjet nuk janë të pashkëputura nga njëra-tjetra. Ato lidhen me një aktor që duhet të jetë i rëndësishëm në jetën shpirtërore të ortodoksëve tanë, por me sa duket nuk qenka thjesht i jetës shpirtërore. Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare është mbrapa këtyre ngjarjeve si një subjekt që në të dyja rastet shkel ligjet e vendit. Shkolla dhe Manastiri janë pa leje, ashtu si dhe mauzoleu pranë tij, raportojnë mediat dhe Kisha nuk ka reaguar për ta përgënjeshtruar. Për hir të së vërtetës, shumë objekte kulti dhe të fesë myslimane - nuk kam dijeni për ato katolike, janë pa lejen e autoriteteve përkatëse. Shkolla mund të legjitimohet a posteriori, dhe siç duket dhe manastiri apo varreza pranë tij. Ndërsa për shkollën, mjaftojnë paragjykimet apo kritikat e ngritura nga një përfaqësues i spikatur i vetë minoritetit si Vangjel Tavo apo gazetari i njohur Panajot Barka, për çështjen e varrezave duhet të shtrojmë për diskutim argumente të tjerë.

Sa shqiptare është kisha?

Çfarë statusi ka Kisha e ashtuquajtur autoqefale që përfshihet në ndërtime varrezash ushtarësh grekë, për të cilët nuk ka formalisht një Marrëveshje të nënshkruar midis dy vendeve tona? Skenari më i mundshëm është se qeveria shqiptare e zotit Berisha e cila nuk ka pasur asnjëherë nevojë për Dulen që të komunikojë me Athinën, siç thotë një komentator, ka zgjedhur formulën e miratimit të heshtur post factum të varrezës së tretë të ushtarëve grekë. Ka një precedent siç është ai i Këlcyrës, ku qeveria socialiste toleroi të njëjtën gjë, dhe askush nuk reagoi, veçse kur plasi skandali i eshtrave të banorëve shqiptarë të Kosinës të blerë si eshtra ushtarësh grekë prej njerëzve të kishës, të organizuar në një strukturë gjoja joqeveritare. Dhe në një skenar të tillë, tolerimi të ndërtimit të varrezës së tretë - shtypi po flet për të katërtën në Kolonjë - Kisha e gjendur tërësisht brenda kësaj marrëveshjeje të fshehtë midis autoriteteve tona dhe atyre greke ka proceduar heshturazi me ndërtimin e mauzoleut në fshatin Këlcyrë dhe tanimë dhe në fshatin Çiflig të Korçës. Në Këlcyrë madje, kryepeshkopi ynë, pasi shoqëroi për dy ditë rresht Presidentin grek në makinën e tij, shkoi bashkë me të për të shikuar punimet. E pra, a është brenda statusit të Kishës të përfshihet në marrëdhëniet ndërshtetërore pa asnjë lloj skrupulli? Nuk dimë kush i ka financuar punimet e dy manastireve, por me siguri autoritetet greke. Kjo mirëqenie e lartë e Kishës "sonë" ortodokse, me fonde publike greke, vërtet kërcet shumë, kur shteti shqiptar, shoqëria shqiptare nuk di asgjë për burimet e saj të financimit, kur administratorët kryesorë të Kishës, drejtuesit e saj janë në shumicë greke. Apo kur kryepeshkopi kërkon shtetësinë shqiptare për meritat e tij në favor të Shqipërisë dhe kur kërkesa e tij për shtetësinë shqiptare shtrohet jashtë mandatit të tyre nga autoritetet greke deri në takimet e tyre me Departamentin amerikan të Shtetit.

Situata e krijuar në të dyja rastet siç duket ka në thelb një veprimtari antiligjore të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, të drejtuar nga hirësia e tij Anastas. Është vijim i sjelljes me Pallatin e Kulturës së Përmetit apo me raste të tjera. Nuk është thjesht antiligjore, por e vendosur haptaz në krah të atij shteti, që historikisht ka pretenduar rol tutori mbi komunitetin ortodoks shqiptar, duke e shpallur atë si grek. Greqia dhe sot vazhdon të pretendojë zgjidhjen e problemeve të pronave të Kishës ortodokse në forume ndërkombëtare, madje gazetarë grekë e bëjnë këtë dhe gjatë konferencave të përditshme të shtypit në Departamentin e Shtetit. Një situatë e tillë, një trimërim në përmasa si këto, një rreshtim haptazi i Kishës në krahun e një shteti fqinjë vjen në një kontekst vërtet të veçantë që meriton vëmendje.

Konteksti i ngjarjeve

Jemi në procesin e miratimit të Marrëveshjes së Asociim- Stabilizimit me BE-në dhe të ratifikimit të Protokolleve të anëtarësimit në NATO, ku duket se është rritur forca negociale e Greqisë ndaj vendit tonë. Që do të thotë se qeveria sot ka më shumë frikë se dje nga Greqia. E vërteta është se në planin politik, në këto tre vjet, qeveria e sotme ka treguar shenja shumë më të spikatura servilizmi ndaj autoriteteve greke sesa paraardhësja e saj socialiste. E tregon tolerimi i varrezave, tolerimi i tarifave të larta të AMC dhe Vodafonit me kontratat e interkonieksionit, i centraleve grekë me qymyr që priten të ndërtohen, e tregon mbyllja totale e gojës për problemin e pronave të shqiptarëve në Greqi, pranimi i Himarës si zonë minoriteti, etj., etj. Në këtë kuadër, pranimi në heshtje i ndërtimit të varrezave është më komprometues sesa ligjërimi i tyre me një marrëveshje të hapur. Nëse për arsye humanitare pranohet ndërtimi i varrezave, kjo duhet të ndodhë me një marrëveshje që duhet të negociohet, ku duhet të sqarohet dhe fiksohet legalisht statusi i këtyre ushtarëve të rënë në Shqipëri, statusi i Shqipërisë gjatë luftës antifashiste posaqë grekët vazhdojnë ta konsiderojnë Shqipërinë si vend që i pushtoi gjatë saj! Nuk mund të kërkosh të ndërtosh varreza ushtarësh në një vend që konsideron edhe sot se të ka sulmuar! Për më shumë, ky pranim i heshtur i varrezave prej autoriteteve tona komprometon dhe Kishën ortodokse. Nuk ka vend alibia se Greqia na ka në dorë me ratifikimin e MSA-së, apo Protokollet e NATO-s që duhen ratifikuar dhe prej Parlamentit të saj. Maqedonia po guxon shumë më shumë dhe në fund të fundit, kjo alibi i bie të jetë në fuqi deri në anëtarësimin tonë të plotë në BE. Çfarë duhet të tolerojmë dhe s‘duhet të kërkojmë deri në 2015 apo më vonë kur të vijë dita e anëtarësimit?

Ndërkohë qeveria e sotme shqiptare duhet të kishte miratuar me kohë një ligj modern për komunitetet fetare shqiptare. Një ligj që duhet të impononte transparencën në veprimtarinë e tyre, në emër të lirisë dhe autonomisë së tyre administrative dhe funksionale, megjithëse ka shumë modele dhe shumë shkallë autonomie të ndryshme në vende të ndryshme demokratike. Qeveria duhet t‘ia rikthente prej kohësh pronat komuniteteve fetare, duke imponuar bashkë me këtë rikthim, kontrollin në financat e këtyre komuniteteve. Ky është një gabim i të gjitha qeverive, por kjo e fundit nuk ka asnjë justifikim, veç frikës dhe imponimit grek për të pasur klauzola të veçanta në ligjin në fjalë.

Dy ngjarjet e fundit janë dëshmi e arrogancës së autoriteteve administrative të Kishës që po tregojnë se në veprimtarinë e tyre të përditshme nuk është dominante veprimtaria shpirtërore, por ajo që shkel ligjet, ndjeshmërinë kombëtare të shqiptarëve. Por nëse Kishës nuk mund t‘i bëjmë asgjë, servilizmin e autoriteteve tona duhet ta denoncojmë si të turpshëm.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama