Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Politika e zbythjes: Berisha mos ik!

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 16 vite më parë

Andrea Stefani
Politika e zbythjes: Berisha mos ik!

Një ditë pas mitingut të opozitës, lideri i PS-së, Edi Rama, u shfaq në ekrane për të kritikuar të gjithë ata që kërkojnë largimin e menjëhershëm të Berishës me anë të asaj që Rama e klasifikon "politika e vjetër". Duhet nënvizuar që në fillim se sipas pozicionimeve të liderëve në miting, eksponent i "politikës së vjetër" nuk del vetëm Ilir Meta, pra vetëm ai për të cilin në fakt Rama e hedh llafin, por edhe aleati më i qëndrueshëm i Ramës, socialdemokrati Gjinushi, që kërkoi po ashtu largimin sa më të shpejtë të Berishës. Po si planëzon ta largojë Berishën "politika e re" e Ramës? Vetë lideri socialist jep të kuptohet se ka një strategji të largimit të Berishës duke përdorur fillimisht prokurorinë dhe pastaj edhe votën e qytetarëve. Duket se PS nuk u hodh në aksion të fuqishëm qytetar për të larguar Kryeministrin menjëherë pas tragjedisë së Gërdecit, pikërisht për t‘i hapur rrugë kësaj strategjie "urtë e butë e plot tiganin" që bazohet te drejtësia e pavarur dhe vota e lirë. Mos vallë kjo politikë është më largpamëse, mos është më e mençur nga ajo që kërkon largimin e menjëhershëm të Kryeministrit?

Mund të kishte iluzione po të ekzistonin dy premisat mbi të cilat ajo ngrihet, pra po të ekzistonin prokuroria e pavarur dhe vota e lirë dhe e garantuar. Po edhe sikur të kishim në Shqipëri prokurori dhe drejtësi të pavarur, intensiteti krejt i ndryshëm i hetimit të tragjedisë dhe rezultatet e tij vetëm do ta kishin inkurajuar edhe më shumë opozitën për të kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit dhe jo ta shtynte atë për në "Kalenda". Me dhe pa drejtësinë e pavarur, kërkesa për largimin e Berishës mbetet akti më i përligjur politik dhe askush nuk do të guxonte të keqgjykonte opozitën. Sepse nga një shpërthim i tmerrshëm apokaliptik, dukshëm faj i drejtpërdrejtë i qeverisë, u vranë 26 njerëz, u plagosën rreth 300 të tjerë dhe u shkatërruan mijëra shtëpi e godina. Kufomat morën ngjyrën e dheut dhe të mbeturit gjallë, zbehtësinë e kufomave. Asnjë lider i ndodhur në opozitë, i mirë apo i lig, nuk do të kish këshilluar zbythjen e opozitës në ato momente.

Një opozitar i lig, dhe ne kemi shembullin e Berishës, do bënte gjithçka për të maksimalizuar dhunshëm përfitimin politik. Ashtu si në rastin e vrasjes së Azem Hajdarit, 26 arkivole do të ishin përdorur si deshë për të rrënuar portat e qeverisë. Po të perifrazojmë Shekspirin, sikur Berisha të kish qenë në opozitë kur shpërtheu Gërdeci, do t‘i kish vënë çdo kufome, çdo plage, çdo gërmadhe, çdo tulle, çdo gëzhoje nga një gjuhë, duke bërë të dridhej jo vetëm Shqipëria, por gjithë Evropa!

Po cili duhet të qe qëndrimi i një lideri të mirë? Mos vallë mosveprimi, zbythja e opozitës, pra shtegu që mori Edi Rama? Aspak, edhe pse në pamje të parë duket sikur moderacioni politik ndaj një katastrofe qeverisëse është e kundërta e agresionit dhe dhunës berishiste. Në thelb nuk është fare ashtu. Një opozitë e butë përballë një qeverisje që vret qytetarët e vet për shkak të papërgjegjshmërisë dhe korruptimit është, minimalisht, një lloj tjetër papërgjegjshmërie ndaj qëllimit të themelimit dhe ekzistencës së një shteti që është mbrojtja e jetës së qytetarëve. Moderacioni në një rast të tillë është një lloj tradhtie (Burke). Në vend që të organizonte një protestë paqësore, jo violente të të gjithë qytetarëve në mbrojtje të jetës, në vend që të mobilizonte të gjitha mjetet politike, nga mocionet e deri te bojkoti i një Kryeministri dhe qeverisjeje së cilës i shpërtheu baruti i trafiqeve deri në largimin e Berishës, lideri i socialistëve vendosi të bëjë "çunin e urtë" që pret "të vijë koha", të vijnë zgjedhjet që ta rrëzojë Berishën me votë.

Sipas Ramës, të detyrosh me mjete politike dhe presion qytetar paqësor (e theksojmë paqësor dhe as me gurë e me shkopinj sikundër rëndom e ekzagjeron Rama këtë kërkesë) largimin e një Kryeministri që mbjell katastrofa, është "politikë e vjetër", jo evropiane. Po përse kohë pas kohe dëgjojmë ngado në Evropë për kryeministra që dorëhiqen pa mbyllur mandatin? Epo Berisha nuk dorëhiqet kurrë - mbrohet Rama. Tani, kur dheu është qetësuar nga lëkundjet e shpërthimit që e tundi gjithë Shqipërinë, ndoshta po, por jo në momentet e tragjedisë së tmerrshme. Rasti është i ikshëm thotë Hipokrati. Aq më tepër në politikë. Asnjë qeverisje, asnjë Berishë, nuk mund t‘i kish qëndruar asaj trandje të tmerrshme. Por për këtë duhej që opozita të ngrihej menjëherë, me gjithë forcën që të jep e drejta për të kërkuar pa ekuivokë largimin e Berishës.

Është e vërtetë, ta bësh një gjë të tillë duke pasur përballë një skizofren të pushtetit si Berisha, kërkohet kurajë dhe zemër që ushqehet me rrënjët e dhimbjes. Lideri i opozitës, Edi Rama, duhej të ishte i aftë të hynte në zemrën e çdo nëne që humbi bijtë, e çdo gruaje që humbi bashkëshortin, e çdo motre që humbi vëllanë dhe çdo vëllai që humbi motrën. Mjerisht Rama nuk mundi ta bëjë të vetën dhimbjen, klithmën e shpirtit të këtyre njerëzve që humbën të dashurit, që humbën një pjesë të çmuar të asaj që e bën jetën të paçmuar. Mungesa e kësaj dhimbjeje të skajshme, që pse është e tillë nuk mund të bëjë dot konsensus me fajtorët e tragjedisë i lejoi Ramës, liderit "të popullit", të merrej me kalkulime politike dhe të tradhtonte dhimbjen e popullit. Berisha qëndroi në pushtet, populli u tradhtua për hir të kombit, për hir të hyrjes në NATO. Qëllimi politik doli më i shenjtë se jeta e qytetarëve, arsyeja "shtetërore" (a është vërtetë e tillë?) më e shtrenjtë se arsyeja, sesa dhimbja njerëzore.

Dhe përse Shqipëria nuk mund të hynte në NATO edhe duke qenë në rrugë për të kërkuar largimin e një Kryeministri ekstremisht të papërgjegjshëm, pra pse nuk mund të hynte në NATO duke qenë njëherazi edhe në protestë paqësore, shenjë kjo e demokracisë vepruese? Këtë nuk e shpjegon njeri. Madje arsyeja "shtetërore" e liderëve (po kush është shteti, populli apo liderët?) shkoi aq larg, sa pa u fashitur shtëllunga e tymit në Gërdec, ata realizuan me konsensus ndryshimin e Kushtetutës pa pyetur popullin po "për të mirën e popullit". Në konsensus me Berishën, me këtë Kryeministër ekzemplar të keqqeverisjes më të skajshme që nuk mund të mos prodhojë "gërdecër", Rama ndryshoi Kushtetutën për të mundësuar "mirëqeverisjen"! Si është e mundur, pyet arsyeja qytetare? Po duket se arsyeja "shtetërore" e liderëve ka arsyet e veta që, megjithatë, nuk është në gjendje t‘i shpjegojë para qytetarëve për të cilët betohet.

Megjithatë, rendi i ndodhive nuk është i panjohur. Përgjithësisht pas tragjedive vjen farsa. Po nuk duhet të harrojmë se pas farsës vjen tragjedia. Dhe ajo erdhi përsëri në formën e aksidentit Trebicka. Dhe përsëri Rama nuk guxoi as ta shqiptojë largimin e Berishës, por guxoi ama t‘i quajë eksponentë të "politikës së vjetër" të gjithë ata që kërkojnë gjënë më normale në demokraci dhe Perëndim, kërkojnë largimin e një Kryeministri dhe jo largimin e Perëndisë! Madje përvetëson edhe një tezë të Berishës kur propagandon se nuk duhet të ngulim flamurin e interesave partiake mbi varrin e tragjedisë. A nuk çirret kështu edhe propaganda berishiste? A nuk thotë e shkruan mos shfrytëzoni të vrarët për qëllime politike, të mos hidhni vallen e vdekjes?

Por a nuk është kjo e gjitha një provokacion absurd i pushtetit dhe një rënie po aq absurde në këtë grackë e liderit të opozitës? Sepse kur një Kryeministër, dukshëm i kriminalizuar, kërcënon me arrogancë që opozita të mos kërkojë ndëshkimin politik me dorëheqje të Kryeministrit, që me qeverisjen e tij ka kapur shtetin dhe i ka bërë të heshtin institucionet që duhet të parandalonin tragjedinë, që ka miratuar me dhunën e kartonëve të shumicës ligje që mundësuan trafiqe armësh dhe tragjedinë e këtyre trafiqeve, a nuk është njësoj sikur një kriminel që sapo ka vrarë një njeri, të kapë "mat" drejtësinë dhe policinë duke i thënë: mos shfrytëzoni të vrarin për të më arrestuar dhe dënuar? Kush është pala që shfrytëzon vdekjen dhe të vdekurit? Dhe pse qenkan "hiena" politike (sikundër thotë Rama dhe Berisha) ata që kërkojnë që sot largimin e Berishës si ndëshkim të përligjur politik (që më pas do t‘i hapte rrugë ndëshkimit penal) të përgjegjësve të tragjedisë? Kush është në anën vdekjes, ata që nuk duan të tregohen të moderuar me një Kryeministër që mbjell vdekje, apo vetë përgjegjësit e tragjedisë, qeveritarët dhe lakenjtë e qeveritarëve që bëjnë një gardh me kufomat e papërgjegjshmërisë së tyre dhe të fshehur pas tij ulërasin: mos shfrytëzoni të vdekurit!?

Pozicioni politik që ka marrë Edi Rama vuan nga kundërthënie dhe paragjykime. Para së gjithash paragjykon largimin e një Kryeministri me mjete politike demokratike sikundër janë mocioni i mosbesimit në Kuvend, apo edhe deri te bojkoti politik. Por vetëm sepse Berisha ka abuzuar sa ka dashur deri dje në opozitë me bojkotin, duke e përfolur si mjet të dhunës së tij politike, kjo s‘do të thotë që opozita e sotme duhet ta shpallë bojkotin një tabu dhe "politikë të vjetër". Bojkoti është shenjë se ka ende hapësirë për të kundërshtuar paqësisht një pushtet, që pasi i ka mbyllur shtigjet drejtësisë dhe ligjit, nuk përgjigjet për katastrofat që shkakton keqqeverisja. Rama nuk mund të pretendojë të jetë më paqësor se Gandi që e ka përdorur bojkotin si mjet politik paqësor, që shërben për të refuzuar një qeverisje arrogante dhe të dhunshme pikërisht duke shmangur dhunën. Edhe në këtë çështje, Rama ka rënë në grackën e propagandës berishiste që e shpall bojkotin "revolucion" dhe mjet të dhunshëm. Është në fakt krejt e kundërta. Në fakt, Berisha nuk ka faj. Ai njeh vetëm bojkotin berishist dhe jo atë demokratik.

Edhe për sa i takon një mocioni mosbesimi, Kryeministri ka qenë deri më sot i qetë. Por pas amendimit të Kushtetutës, me ndihmën e votave të grupit të PS, Berisha shfaqet edhe më i qetë. Pikërisht tani, kur shanset për një mocion të suksesshëm kundër tij (ftohja me demokristianët) janë rritur shumë. Sepse me Kushtetutën e ndryshuar, një Kryeministër i keq si Berisha, ka rast ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme nëse nuk fiton besimin e Kuvendit. Kryeministri ka shans tani të shantazhojë me humbjen e kolltukut të gjithë ata deputetë (që nuk janë të pakët) që zgjedhjet e parakohshme ju kërcënojnë kolltukun. Pra, në kundërshtim me sa thotë Edi Rama, Kryeministri Berisha po korr që tani përfitimet e ndryshimeve absurde që ju bënë Kushtetutës më 21 prill. Shto arsenalin e presioneve, shantazheve, shitblerjes së deputetëve, një iniciativë për largimin e Berishës me mocion mosbesimi, ndonëse e mirëpritur, jep pak shpresa për sukses. Ndaj bojkoti politik për largimin e Berishës mbetet rruga më e mundshme e suksesit për opozitën, në një kohë kur edhe hetimet për zbulimin e fajtorëve politikë dhe kriminalë po zvarriten. Rama thotë se Berisha duhet ndëshkuar me drejtësi dhe me votë në një kohë kur në Shqipëri nuk ka ende as drejtësi të lirë dhe as votë të lirë. Rama thotë se shumë shpejt do bëhet ligji që i jep liri prokurorisë, se po bëhet një reformë që do t‘i japë pavarësi gjyqësorit.

Ndërkohë, Kryeministri Berisha, me të cilin Rama shpreson të bashkojë votat për këto reforma, dhe ministri i "drejtësisë" Alibeaj po bëjnë hapur krejt të kundërtën, duke ju kundërvënë ashpër edhe prokurorëve dhe gjykatësve. Rama nuk do të kuptojë se pengesa kryesore për drejtësi në Shqipëri është Kryeministri Berisha. Se që prokuroria të hetojë Gërdecin, duhet më parë të largohet nga një pushtet që ka hedhur kthetrat mbi prokurorinë ai që bëri Gërdecin, Berisha. Rama premton (të paktën kështu thotë) ta ndëshkojë Berishën me votë, ndërkohë që Berisha e ka bërë tashmë thuajse të pamundur (edhe për shkak të pasivitetit të opozitës dhe Ramës vetë) bërjen dhe shpërndarjen e kartave të identitetit deri në zgjedhjet e ardhshme. Rama i ka mbështetur shpresat te një drejtësi që Berisha e ka vrarë dhe duhet ringjallur (sa shpejt mund të ringjallet drejtësia?) dhe te një votë që Berisha përgatitet ta manipulojë, korruptojë, vjedhë, tregtojë. Rama zbythet sot para Berishës duke premtuar një strategji fitoreje mbi Berishën, mbështetur në dy shtylla (drejtësi e lirë dhe votë e ndershme) që praktikisht s‘janë. Rama premton të vendosë drejtësi (ku është ajo?) me anë të votës, në një kohë që vota duhet mbrojtur me anë të drejtësisë. Rama premton që gjërat të ndryshojnë kundër Berishës, duke bërë reforma me Berishën! Ky është rrethi vicioz, kundërthënës dhe absurd ku ka rënë Edi Rama dhe nga ai mund të dilet vetëm duke hequr dorë nga "politika e re" e zbythjes.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama