Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mbi krizën e mediave

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 16 vite më parë

Mentor Nazarko
Mbi krizën e mediave

Në dy numrat e fundit të "Shqip"-it, dy kolegë, Mustafa Nano dhe Besnik Myftari, u morën në dy sprova të ndryshme, diku dhe polemike mes vetes, me të ashtuquajturën "krizë të shtypit" apo të medias në përgjithësi. Jam plotësisht dakord me konstatimin e krizës, por ndahem me ta rreth një pjese të shkaqeve të kësaj krize, apo dhe me një pjesë të pasojave të saj. Për shkak se argumenti është i bollshëm, ai lejon që dy sprovave t‘u përngjiten dhe të tjera, që zgjedhin këndshikime të ndryshme, apo ofrojnë perspektiva të ndryshme analize dhe zgjidhjeje. Po e nis analizën time me konstatimin thelbësor mbi të cilin mbështeten dy sprovat e kolegëve. Pse mediat janë në krizë.

Kriza sasiore dhe cilësore

Kriza duket në planin sasior, domethënë në kopjet e shitura të gazetave, revistave të aktualitetit. Pse jo dhe në audiencën e mediave elektronike. Për mediat elektronike mund ta krijosh indirekt idenë e krizës, nëpërmjet vlerësimit të tregut të reklamave, totali i të cilave nuk lejon mbijetesën pa subvencione të mediave. Nëse sponsorët, kompani tregtare kryesisht, nuk e shikojnë të arsyeshme të hedhin më shumë para në këtë treg, kjo sigurisht lidhet me audiencën e mediave, që ata e njohin me gjithë mungesën e audiencëmatësve. Ndërsa për krizën e shtypit mund të krijosh ide të plotë pasi tirazhet njihen. Pa hyrë në shifra në pikëpamje absolute, kush di tirazhet e gazetave në vite, di sigurisht se tirazhet e gazetave të aktualitetit nuk arrijnë ende totalin e vitit 1997. Argumenti se atëherë ishte krizë e rëndë politike, apo se nuk kishte televizione dhe internet, vlen, por ama trendi i tirazheve të gazetave kudo në botë njeh vetëm rritje, që do të thotë se mediat e shtypura gjetkë u janë përshtatur këtyre konkurrentëve. Madje dhe në vende fqinje. Nuk shihet ndonjë arsye pse në këto vende numri i lexuesve rritet, me gjithë fuqizimin e televizioneve apo internetit, ndërsa në Shqipëri, të bjerë. Ndërkohë, tirazhi i vitit 1997 në Shqipëri duket njëlloj si tirazhi potencial i atyre që duan, kanë dëshirë të lexojnë gazetë, por një pjesë e të cilëve sot nuk lexojnë si atëherë dhe që do të mund të tërhiqen sërish nëse oferta e gazetave do të ishte e ndryshme. Ndërsa analizojmë krizën në planin sasior, mjafton të shikojmë numrin e gazetave për banor, jo thjesht në Danimarkë, por dhe në Kroaci apo Maqedoninë fqinje.

Kriza në planin sasior i detyrohet sigurisht cilësisë së mediave, domethënë të cilësisë së produktit të tyre. Që në planin përmbajtësor duket madje dhe në rënie, me gjithë evoluimin e mediave në formë, apo në disa standarde profesionale të shkrimit dhe raportimit të lajmit, dizajnit etj. Shtypi i viteve ‘92-‘97, i angazhuar, luftarak, më së shumti shtyp opinioni, kishte peshë më të madhe në opinionin publik, jo thjesht pse atëherë televizioni i vetëm përdorej rëndshëm në favor të qeverisë. Por në një gjykim a posteriori, dhe si protagonist i tij, kjo vinte pse ai denonconte agresivisht shtypjet flagrante të të drejtave të njeriut, një argument tërheqës për lexuesin, anipse edhe ai nuk merrej më shumë se sot me problemet reale të vendit. Ai shtyp kishte një përmasë investigative të fortë dhe falë një cipe më të hollë të qeveritarëve të kohës arrinte të provokonte debat në jetën publike të vendit. Ndërkohë, sot shtypi dhe një pjesë e mirë e edicioneve të lajmeve, emisioneve të aktualitetit, merren më shumë me "fotografitë me leje" të realitetit të sotëm, njoftimet e shtypit, konferencat e shtypit, dhe jo me argumente të patretshme si ekonomia, financa, problemet e mprehta sociale dhe origjinën e tyre etj., etj. Shtypja e të drejtave të njeriut sot është më e sofistikuar, pasi shtetarët e sotëm kanë mësuar diçka nga dështimet. I vetmi ndryshim cilësor kah zbulimi i aktualitetit që nuk duket, por në formën e lajmit të patretur është listomania, apo botimi pa koment i ligjeve të ndryshme. Ndërkohë, zgjerimi sasior dhe cilësor i gazetarisë rozë (ja rritja sasiore e sotme) mund të ishte i justifikueshëm, nëse do të ndodhte e njëjta gjë dhe me shtypin apo median e fokusuar tek aktualiteti; përkundër kësaj, kemi zgjerim të shtypit të ashtuquajtur dokumentar të diktaturës. Ky lloj shtypi, në fakt më së shumti shtyp dëshmish të paverifikueshme protagonistësh të rremë të historisë së diktaturës, dëften dhe përbërësen dominante të lexuesve: pleqtë që po treten për shkak të ashpërsisë së kohës. Ka shembuj pozitivë të gazetarisë investigative, si "Fiks Fare", "Ekskluziv", emisione të caktuara të "News 24" etj., por shumë momente të rënda korrupsioni kalojnë para hundës sonë të injoruar nga të gjithë: media dhe institucionet kompetente.

Shkaqet e krizës. a) profesionale

Shkaqet e krizës së shtypit dhe mediave duhen kërkuar më së pari brenda vetë mediave. Është kollaj të hedhësh fajin te faktorët e tjerë shoqërorë, por nëse bën këtë gabim, nuk ndryshon shumë nga politika që ja hedh fajin popullit, apo botës, apo popullit që ja hedh politikës, një sport kombëtar i padobishëm. Pikëpamja se shkaqet e krizës së shtypit dhe mediave janë më së shumti të brendshme, mbështetet në premisën se nëse shtypi dhe mediat do të ishin të fortë cilësisht, ato do të ishin plotësisht tërheqëse si biznese, pra do të thithnin më shumë para nga biznesi privat, por ama do të ishin një fuqi e madhe publike e paneglizhueshme nga qeveria. Domethënë, një pushtet që do të impononte ligje favorizuese, kredi, subvencione, sistem shpërndarjeje etj., etj.

Në shkaqet e brendshme mund të shquajmë shkaqet profesionale nga ato të biznesit. Cilësia e gazetarëve të thjeshtë, reporterëve, është e ulët në mesataren e vet. Sigurisht, harlisja mediatike, shtimi gjigand i numrit të mediave, ka bërë që të shtohet kërkesa për krahë pune, edhe të pakualifikuar. Brenda kësaj mase "proletarësh", apo "ushtarësh të shtypit", më të mirët, pjesë e stafeve më të mëdha, duken më pak se sa dukeshin dje në stafet e vogla. Më të mirët e djeshëm- të fazës së parë të shtypit pluralist 1992-1997- dinin gjuhë të huaja, ishin më të kulturuar, më pasionantë dhe sakrifikues, më të përgjegjshëm dhe më larg pushtetit (edhe për shkak se pushteti të mbante larg në fakt). Nuk ndodh e njëjta gjë me "ushtarët" e sotëm. E keqja është se këta "ushtarë" të armatës së mediave, shpesh nuk kanë në krye "oficerë të mirë", domethënë redaktorë të mirë, pikërisht për shkak të zgjerimit të bujshëm të tregut, që injoroi cilësinë në emër të krijimit të mediave të reja. Shumë prej "oficerëve", megjithëse talente si reporterë, nuk kanë përgjithësisht shkollim adekuat, të tipit të përgjithshëm- Fakulteti i Gazetarisë ka njohur shumë ulje-ngritje dhe ndryshimet pozitive të tanishme duan kohë të japin efekte. Ndonjë vjen prej gazetarisë së kronikës, nga profesione të tjera, dhe në sytë e pronarëve të sotëm të medias ata gëzojnë minimumin e mjaftueshëm: janë të zellshëm, vendosin disiplinë, janë besnikë, dinë shkëlqyeshëm disa standarde profesionale formale apo të komercialitetit, sepse disa rrisin tirazhet deri diku etj., etj., por kjo nuk domethënë gjithçka.

Boshllëqet profesionale të shumë prej "oficerëve të mesëm" lidhen dhe me "gjeneralët e medias", që nuk trashëguan shumë nga paraardhësit e tyre, ata që lëvruan gazetarinë në vitet ‘80. Ku qelbet peshku? Shumë prej "gjeneralëve", lëvruesit e parë të shtypit të viteve ‘90, në role të ndryshme kyçe sot, kanë përsosur shumë stilin e të shkruarit dhe të komunikuarit në përgjithësi, janë afruar shumë me politikën dhe falë këtij afrimi njohin shpesh shkëlqyeshëm lojërat e pushtetit ku dhe përfshihen, por jo fushëveprimin e pushtetit, ekonominë, ligjin, institucionet etj. Për këtë arsye, emisionet e debateve, shpesh herë me tema të imponuara nga politika dhe jo të imponuara asaj, përfundojnë me fitore të njerëzve të ekzekutivit, që kanë përditë informacion cilësor dhe e njohin realitetin shumë më mirë se njerëzit e medias. Disa prej njerëzve në pozita kyçe në media janë të pazëvendësueshëm, posaqë ata vetë nuk mendojnë për pasardhës, për numrat dy të tyre, aq më shumë nuk mendojnë menaxherët e mediave, ndaj pesha e tyre është absolute. Kështu shpjegohet riciklimi në role drejtuese vetëm i një numri të vogël njerëzish që imponojnë në këto role axhendën publike sot. Domethënë, këneta duket e garantuar; përmirësimi duket thuajse pashpresë. b) shkaqe biznesi

Kjo situatë e sotme e shtypit dhe medias lidhet shumë me panoramën e pronësisë në media. Shumë prej mediave kanë pronarë unikë, që më së shumti vijnë nga fusha e ndërtimit, lokomotiva e ekonomisë sonë kapitaliste. Këto figura biznesi, në ndryshim cilësor nga shtypi i viteve ‘92-‘97, kur kishim pronarë gazetarë, janë shumë më të kushtëzuar nga politika e sotme, më saktë nga ekzekutivi. Ata orientojnë median e mbipopulluar nga ushtarë dhe oficerë syresh, në pozicione mbrojtëse apo shantazhuese të zyrtarëve të veçantë të shtetit apo kreut të qeverisë, sipas koniunkturës së projekteve të tyre të biznesit. Shumë më ndryshe do të ishte davaja nëse do të kishim grupe aksionerësh: politika editoriale do të ishte produkt i mesatares së bindjes së tyre dhe jo produkt i bindjes së një njeriu të vetëm, pra diçka shumë më e ekuilibruar. Një grup biznesesh është më i fuqishëm dhe më i pashantazhueshëm përballë pushtetit, sesa një individ i vetëm. Në instancë të fundit, ky grup në emër të ruajtjes së ekuilibrit brenda vetes do të prodhonte rregulla loje që garantonin mosndërhyrjen e individëve në politikën editoriale, diçka e bezdisshme për atë që bën media si profesionist. Një politikë editoriale e ekuilibruar afron më shumë lexues sigurisht. Krijimi i grupeve shumaksionerëshe është një sfidë dhe për biznesin në përgjithësi: në momentin kur biznesi i sotëm dominohet nga ai tregtar apo i ndërtimeve, pronësia e tij është më së shumti unike. Biznesi prodhues që kërkon më shumë kapital, ai bankar, ende nuk është përfshirë në fushën e mediave.

Shenja pozitive po duken me shfaqjen e grupeve të huaja. Ata duhet të sjellin më shumë kapital, më shumë fuqi, më shumë eksperiencë organizuese, më shumë profesionalizëm. Por analiza e tyre do të kërkonte më shumë kohë dhe hapësirë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama