“Paniku i Mediut” lë zbuluar palën shqiptare

Shkruar nga: Mero Baze  
Botuar më: 13 vite më parë

Mero Baze
“Paniku i Mediut” lë zbuluar palën shqiptare

Dëshmitë e rëndësishme të diplomatëve amerikanë në Tiranë para drejtësisë amerikane dhe sidomos qëndrimi publik i ambasadorit Withers për këtë çështje, na japin një tablo të shëmtuar të mënyrës se si qeveria shqiptare dhe zyrtarët e saj janë përfshirë në panik dhe kanë bërë “gjëra të çuditshme”. Ambasadori Withers dëshmon në intervistën e tij për gazetën “Los Angeles Times”, se Fatmir Mediu e ka thirrur në panik me urgjencë dhe se i kërkonte t’i mbështeste kërkesa të çuditshme. E gjithë kjo ka ndodhur në fund të muajit nëntor. Siç kanë dëshmuar me rezerva publikisht kryeministri, Sali Berisha dhe ministri Mediu, ata janë marrë gjatë me sqarimin e stafit të gazetës “New York Times” për këtë çështje. Pra, të dy këta zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare kanë ditur çdo detaj, çdo parregullsi dhe element trafiku në këtë histori dhe janë përpjekur ta mbyllin me metodat e veta. Mediu ka përdorur dhe banditët për t’i rrëmbyer kasetën gazetarit të “New York Times”, Berisha është përpjekur ta sqarojë me letër se djali i tij nuk është i përfshirë në këtë histori e kështu me radhë. Por problemi është, përse qeveria shqiptare duhet të ishte në panik?

Sipas gjithë ligjeve, qeveria shqiptare, nëse arrin të bëjë një kontratë të rregullt shitjeje municioni dhe nëse e ka të sigurt ligjërisht përdoruesin e fundit të tyre, nuk ka arsye të jetë e shqetësuar, nëse armatimi është kinez apo sovjetik, mjaft që ai të jetë cilësor. Shteti amerikan është ai që e ka problem origjinën kineze të fishekëve dhe për ta përbën një shkelje të rëndë ligjore ky fakt. Por, nga dëshmitë që po dalin përditë dhe sidomos nga dëshmia bindëse e ambasadorit Withers, ministri i Mbrojtjes ka qenë në panik, kur i ka kërkuar takim, vetëm pse i ka telefonuar një reporter i “New York Times”, i cili i paska kujtuar dhe të kaluarën e tij problematike. Kjo do të thotë se kryeministri Berisha dhe ish-ministri Mediu kanë qenë të shqetësuar, se janë përfshirë me vetëdije në një histori trafiku. Nëse do të ishte puna vetëm për shitje të fishekëve kinezë, ky është një skandal amerikan dhe jo një skandal shqiptar. Skandal shqiptar është futja e një kompanie seksere në mes, dhe dhënia e monopolit Mihal Delijorgjit si njeri i besuar i një rrethi të ngushtë të kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes. Nëse në këtë histori nuk do të kishte shkelje, nëse nuk do të kishte sekserë nga Qipro që rrinë në pjesën serbe të Bosnjës, nëse në këtë histori nuk do të kishte monopol për Delijorgjin dhe histori të tjera të errëta me të, Fatmir Mediu mund të ishte i qetë më 19 nëntor dhe nuk kishte asnjë arsye ta thërriste nën panik ambasadorin Withers. Madje, me mendjelehtësinë që e karakterizon, mund t’i thoshte: “Dil nesër nga zyra, po pate kohë se janë “ca kalamaj që po iu hapin telashe këtyre çunave”. Problemi i panikut që ka kapur dy krerët përgjegjës të qeverisë shqiptare për këtë skandal, Mediun dhe Berishën, ka të bëjë pikërisht me dijeninë e tyre të plotë për gjithë detajet e këtij skandali dhe lejimin e vetëdijshëm të tyre. Drejtësia amerikane do të zbardhë, cila është përgjegjësia e zyrtarëve amerikanë që kanë lejuar ndryshimin e origjinës së fishekëve, pasi deri atje i intereson çështja drejtësisë amerikane. Por problemi ynë i madh mbetet se ne si shtet u bëmë palë me trafikantët dhe sekserët në këtë histori. Ne futëm një kompani seksere në mes, faturimi i së cilës ishte për Qipro, por fishekët shkonin direkt në Afganistan. Ne kemi rritur përmes këtyre sekserëve çmimin e një arke fishekësh nga 22 në 40 dollarë për arkë dhe qeveria jonë është përpjekur për muaj të tërë të mbyllë skandalin. Kjo histori ka lënë aq shumë gjurmë rrotull administratës së Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Drejtësisë, sa zor se dikush mund të luajë rolin e strucit duke fshehur kokën dhe duke lënë trupin jashtë. Është e frikshme që qeveria jonë është marrë me fshehjen e gjurmëve dhe tani nuk kemi asnjë deklaratë të qartë nga Berisha apo Mediu se çfarë arsyesh kishte për panik, nëse pala shqiptare nuk ka qenë e përfshirë në histori parash në këtë tregti fishekësh. Është e frikshme që kryeministri Berisha të ngrejë zërin, dhe po ia marrim të sinqertë këtë, që një deputet shqiptar shantazhon një reporter shqiptar, dhe nuk ngre zërin, kur një ministër i tij dhunon një reporter të “New York Times”. Është e frikshme që një ministër të sillet si horr, në përpjekje për të mbuluar një skandal dhe pastaj të sillet sikur s’ka ndodhur gjë dhe sikur nuk dinte gjë se çfarë ndodhte. Të dy këta qeveritarë, Berisha dhe Mediu, thonë që nuk kanë asnjë lidhje me Delijorgjin, ndërkohë që janë angazhuar në një betejë disamujore për të mbyllur skandalin e ripaketimit që e bënte Delijorgji. A thua nuk iu shkoi në mendje njëherë të pyesnin, se kujt po ia bënin gjithë këtë nder, me gjithë këtë angazhim, duke u futur në sherr me gjithë botën?

A thua nuk iu shkoi në mendje, kush ishte ky biznesmen që ankohej se djali i Sali Berishës i kishte hequr shansin të bënte pará me arkat dhe kush ishte ky tjetri që i kishte fituar këto pará? Fatmir Mediu së paku ka radhën të tregojë (nëse mban mend), ç’i ka thënë ambasadorit Withers dhe nëse është dakord me majorin Harrison apo me deklaratën e djeshme të ambasadorit Withers. Kjo ka shumë rëndësi për opinionin publik shqiptar, i cili po ndriçohet nga të vërtetat që po nxjerr në dritë media dhe drejtësia amerikane dhe po përpiqet të dezinformohet nga alibitë qesharake të kryeministrit dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, të cilët nuk dinë ç’të harrojnë më parë që të mos bien brenda me fjalët e tyre. Kjo është një histori e pistë hajdutësh, që në fund vranë njerëz nga arroganca dhe makutëria për të fituar pará me çdo çmim dhe askush të mos mendojë se mund ta hedhë lumin duke u bërë palë me problemet që kanë mes tyre disa amerikanë, qofshin këta dhe diplomatë, në këtë histori. Problemi i amerikanëve në këtë histori është vetëm një, ai i ndërrimit të origjinës së fishekëve për llogari të një biznesmeni, kurse problemet tona janë disa dhe që kanë të bëjnë me angazhimin e vetëdijshëm zyrtar të shtetit për të ndihmuar trafikantët për të ruajtur monopole kriminale të tyre në trafiqet e errëta të armëve dhe në fund për ta mbuluar të vërtetën. Kontradiktat që dalin gjatë hetimit amerikan, nuk janë alibi për trafikantët shqiptarë, por thjesht janë problem i brendshëm i amerikanëve. Problemi ynë është me panikun e kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes, kur amerikanët po zbulonin një problem, parimisht të tyre.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama