Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Procesi amerikan dhe ndikimi në Shqipëri

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 16 vite më parë

Mentor Nazarko
Procesi amerikan dhe ndikimi në Shqipëri

Arrestimi i presidentit të kompanisë amerikane, Efraim Diveroli ndodhi vetëm dy ditë pas intervistës së ambasadorit amerikan me tone të ashpra ndaj Parlamentit shqiptar dhe tri ditë pas vendimit të diskutueshëm të këtij Parlamenti për të refuzuar 5 kandidatët presidencialë për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Vetëm kjo radhë ngjarjesh nuk mjafton për të vendosur lidhje shkakësore apo kontekstuale midis ngjarjeve në fjalë. Por, njëfarë lidhje ka dhe që meriton vëmendje për shumë arsye. Le t‘i marrim me radhë. Pse Parlamenti vendosi siç tha ambasadori Uithers, në "mënyrë të padenjë" të refuzonte 5 emrat e propozuar nga Presidenti? Logjikisht, sepse vendosi në mënyrë politike, d.m.th. i urdhëruar nga kreu i shumicës për t‘i refuzuar ata emra. Pse kreu i shumicës refuzoi këta emra? A thua pse presidenti nuk e kishte konsultuar siç ankohet kreu i shumicës? Këtu duhet theksuar një element, që të gjithë e injorojnë, jo thjesht analistët, por edhe konstitucionalistët e arsyeshëm, që thonë se presidenti bëri gabim që nuk u konsultua me shumicën, siç është fiksuar zakoni kushtetues. Po a është e vërtetë kjo? A mund të shpjegojë dikush se nëse Presidenti nuk qenka konsultuar me Kryeministrin, pse vallë është humbur shumë kohë për të zënë ato vende vakante të krijuara prej një kohe të gjatë në Gjykatën e Lartë? Prej shumë muajsh ishin vakante 5 vende dhe prej tre muajsh dy të tjerë? Ka pasur Presidenti probleme me gjetjen e emrave, apo në takimet kokë më kokë me Kryeministrin kur takoheshin, që prej gushtit nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët? Nëse po, a mund të quhen konsultime këto takime, për të cilat Presidenti Topi me sens shtetari nuk ka folur në publik?

Por ky element, që e zhvleftëson edhe më alibinë e mosrespektimit të procedurës nga ana e kreut të shtetit, nuk mjafton për të shpjeguar përse ambasadori amerikan foli me tone aq të ashpra në publik, për më shumë flakë për flakë në një intervistë që vetëm ngjante si e kërkuar prej gazetës ku ai foli. Realisht, shkelja e Parlamentit, në pikëpamje formale nuk ishte aq e rëndë sa për të provokuar një dënim të madh ndërkombëtar, pra më të gjerë se sa dënimi që vinte prej ambasadorit amerikan. P.sh., ambasadori anglez në OSBE, ku bën pjesë dhe SHBA-ja, tha diçka kritike, por jo dhe aq të fortë për sjelljen e Parlamentit. Ndërsa ambasadori britanik në Shqipëri, në një intervistë tjetër në "Vizion Plus" dje, tha vetëm se kishte ndjekur me vëmendje refuzimin e dekreteve, një formulë eufemistike për të shprehur mospëlqim, por jo aq të thellë sa mospëlqimi amerikan i shprehur me gojën e ambasadorit Uithers.

Arsyet amerikane për të dënuar "Parlamentin"

Pra, mund të kuptohet qartë se ambasadori Uithers ka pasur një arsye specifike, arsye amerikane, për t‘u shprehur në mënyrë aq kritike ndaj Parlamentit shqiptar. Për më shumë, kjo ishte një deklaratë dhe më e rëndë se ajo e mëparshmja, në mbrojtje të prokurorisë, posaqë i drejtohej në vetë të parë një institucioni sovran si Parlamenti. Pra arsyeja specifike duhet të ketë qenë aq serioze sa ka prodhuar një reagim kaq serioz. Le të përpiqemi të kuptojmë disa arsye prapa këtij reagimi.

Arrestimi i Diverolit dhe tre bashkëpunëtorëve të tij me një numër të madh akuzash që e dënojnë grupin deri në 500 vjet, dëften se në SHBA ka pasur dhe vazhdon një hetim penal për akuzën e trafikut të armëve që ditën e seancës parlamentare ishte në një moment kyç: vendosi arrestimin e tyre. Ky hetim, nisur nga lloji i akuzës së ngritur, ka në qendër trafikun e armëve prej Shqipërisë, ku Gërdeci, siç dëshmojnë dhe ish-punëtorët e fabrikës së vdekjes, pronarët e saj të dukshëm dhe të padukshëm, kanë rol kryesor. Nuk përmendet Çekia si në fillim të hetimit, as Hungaria, por vetëm transferta e armëve nga Shqipëria. Ky ishte një hetim në fakt i koordinuar, jo thjesht i FBI-së, por i të gjithë agjencive të interesuara ku futet kundërspiunazhi, ministria e Mbrojtjes e SHBA-së etj. Pra, një hetim penal i jashtëzakonshëm. Që ambasadori e ka njohur në një farë shkalle.

Por, përveç hetimit penal, ka edhe një hetim kongresual rreth aferës së trafikut të armëve. Të martën që vjen, kongresi do të ketë një seancë dëgjimi.

Për këdo që ka kulturë juridike minimale është e kuptueshme që procesi i nisur në Shqipëri, ku në qendër është ministri Mediu dhe ku Gjykata e Lartë ka rol kryesor si juridiksion fillestar për ministra, ka lidhje me procesin amerikan. Nëse ndaj Mediut, Pinarit tani në Shqipëri, ka vetëm akuzë për shpërdorim detyre, pakujdesi etj., tani mund të pyesësh: Nëse sipas hetuesve amerikanë Diveroli në korrespondencën e sekuestruar urdhëron shqiptarët të heqin etiketat kineze, kush ishte partneri i tij në mashtrim? Pse Trebicka u shmang nga paketimi, moment kyç për mashtrimin ndaj autoriteteve amerikane? Çfarë duhet të bëjë prokuroria jonë nën ndikimin e procesit amerikan? Do shtojë akuza të tjera dhe persona të tjerë? Dhe, nëse ta zëmë hetimi amerikan nuk shpall si të pandehur dhe qytetarë shqiptarë, kjo nuk do të thotë se shteti amerikan nuk është i interesuar që fajtorët shqiptarë këtu të mos dënohen. Ekstradohen ose jo, ata duhet të marrin dënimin e merituar këtu. Dhe Gjykata e Lartë apo prokuroria të mbrojtur aq fort prej ambasadorit ka rëndësi të madhe në dhënien e drejtësisë. Kjo duket një arsye e mjaftë për të shpjeguar pse ambasadori amerikan reagoi me aq ashpërsi ndaj vendimit të Parlamentit shqiptar. Por, në horizont duket edhe një arsye tjetër. Nga shpjegimet e Mediut, nga elementë të caktuar të mbrojtjes së Delijorgjit, apo nga thashetheme në Tiranë, duket se alibia kryesore e përbashkët, qoftë për Gërdecin, qoftë dhe për trafikun e armëve mbetet hedhja e fajit tek amerikanët. Diku te "Southern Ammunition"", që paskësh pasur përgjegjësi juridike për demontimin dhe "Albademil" ishin thjesht nënkontraktorë, diku te Pentagoni që paska certifikuar shitjet. Asnjë përfaqësues amerikan, pra dhe ambasadori amerikan këtu, nuk do të ndihej komod nga kjo hile shqiptare. Dhe këtu shohim një arsye e dytë amerikane që shpjegon zemërimin e ambasadorit Uithers.

Arsye të tjera mund të dalin. "Sa më shumë njohim AEY, aq më shumë pyetje na dalin", ka thënë kongresmeni demokrat i Floridës Waxman. Dhe radha e kongresit për të bërë pyetje do të jetë të martën. Kush di se ku do shkojnë pyetjet, por jo thjesht pyetjet, edhe kërkimi i përgjigjeve për të gjetur partnerët shqiptarë të Diverolit.



Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama