Kur do te vije Pranvera?

Shkruar nga: Artur Zheji  
Botuar më: 5 vite më parë

Artur Zheji
Kur do te vije Pranvera?

Shtrëngata e gjatë politike që ka përfshirë vendin prej kaq kohësh, po bëhet gjithmonë e më e papranueshme. Aq më tepër duke llogaritur se fushata zgjedhore nuk i ka ndezur akoma motorët e vet, që do të pompojnë helm dhe akuza plot zymtësi dhe vrer.

Kjo situatë është e ndërthurur me një Krizë Ekonomike që nuk po çrrënjoset nga Shqipëria prej së paku 4 vitesh. Fuqia blerëse e shqiptarëve ka rënë. Kapitalet e mëdha të huaja, në mungesë të projekteve serioze shqiptare, në pasigurinë që transmeton shpesh vendi ynë, këto kapitale pra, nuk gjejnë me sa duket klimë, që të ulen në pistat tona, plot prita dhe të papritura.

Edhe atë  kanabis cilësor që prodhonin me pasion shqiptarët, rrëpirave të kodrave dhe maleve, të cilin e tymoste mbarë Europa, duket se e kemi rrafshuar më së shumti, duke krijuar një gropë financiare të stërmadhe. Madje askush nuk u rrahu publikisht shpatullave autoriteteve shqiptare për këtë. Askush nuk shkëputi ndonjë cek të rëndësishëm kompensimi për të balancuar shfarosjen e qindra miliona eurove, që hynin si hynin në Shqipëri, kësaj rruge. Qoftë edhe si një eksport ilegal. Është mirë të jemi pa komplekse për këtë, ndërkohë që Mbretëria e Holandës së pasur e bën mu në zemër të Europës këtë, fare pak kilometra larg Brukselit moralist.

Askush nuk e kërkoi një çek të tillë kompensues dhe kjo nuk është politike, pasiqë bilanci i portofolit kombëtar, është politika e politikave. Duam apo s’duam. Portofoli ka bërë dhe bën në botën që jetojmë, edhe Luftërat edhe Paqen. Të tjerat janë një hipokrizi retorike e kulluar.

Dhe pra, edhe portofoli ynë kombëtar, nuk është një kategori morale, e aq më pak, nuk është një kategori estetike. Kush ka sadopak haber dhe kulturë historike, të historisë ekonomike të kombeve, duhet ta dijë mirë këtë.

Tregtia e armëve nuk është më pak vrastare se sa marijuana e shqiptarëve. Por gjithsesi, ajo është legale dhe shtetet më të fuqishme faturojnë qindra miliarda dollarë përmes kësaj tregtie, që vret. Fajtorë dhe të pafajshëm. Skllavëronjës dhe të skllavëruar.

Sot gjithë Europa është në prag të legalizimit të marijuanës, është çështje kohe. Ashtu si u veprua dikur me alkoolin në SHBA, kur ndalohej me ligj, sepse konsiderohej një ves imoral që shteti nuk duhet ta lejojë. Mirëpo Shtetet dhe Qeveritë me pikësynime morale kanë rënë sot si koncept, pasiqë kanë prodhuar më së shumti diktatura apo sepse njeriu, individi, kërkon përditë e më shumë pavarësi të plotë në vendimmarrjet për jetën e tij. Sot qeveritë janë ose duhet të jenë, më së shumti ca kujdestare inteligjente dhe të ndershme të administrimit të portofolit kombëtar.

Nga ana tjetër, çështja dhe skenari hollivudiano-ballkanas, me vrasje dhe kanosje tritoli, ka mbajtur peng shqiptarët dhe politikanët e vet, tashmë prej një muaji, pezull, pranë ekraneve dhe gazetave, si përpara një ndeshjeje boksi të peshave të rënda. Përfituesi më i madh i gjithë kësaj është në të vërtetë Kryeministri, që, duket sikur ngre supet edhe ai si i habitur nga kjo dhuratë e pamerituar që Opozita ka përgatitur për të, duke “pritur” edhe ay, Kryeministri pra, Prokurorinë. Pa harruar që të yshtë Opozitën për më shumë, dhe duke mos folur për investimet apo kapitalet që nuk ka mundur të thithë dot në garën frenetike për Paranë, që është gara më e çakërdisur sot në Tregun Botëror.

Pasiqë, përveç Shqipërisë së nginjur me bukën joushqyese të miellit dietik që na dërgojnë vëllaznit, nga gruri i bluar i Serbisë, është një Europë e tërë që përpiqet të dalë nga gropa e thellë dhe lluca thithëse e krizës më të madhe të këtyre 25 viteve të fundit. Ndërsa Shqipëria sheh televizor dhe fik e ndez cigare.

Mirëpo Opozita, e këshilluar nuk dihet se nga kush, është kapur fort tek linja radikale e akuzave të rënda verbale, ndaj pushtetit dhe pushtetarëve të sotshëm. Argumentet e qeta por të thella dhe thelbësore, që lidhen me tregun, me paranë, me mirëqenien, me strategjinë dhe reformat, duken si një aperitiv që nuk deh askënd në Shqipëri. Ndaj ajo, Opozita, ka veshur mantelin e një Prokurori të ashpër që kërkon të çojë në burg Qeverinë dhe jo ta konkurrojë atë. Tejet simetrike me opozitarizmin e Ramës, mbas vitit 2009.

Është pra kjo e vetmja rrugë për të ardhur në pushtet?

Në Europë, jo.

Në Shqipëri me sa duket, po.

Mirëpo ky presion kaq i madh, krijon edhe ay, një politizim të detyrueshëm dhe të mëtejshëm të qeverisjes, duke parapëlqyer më së shumti besnikërinë, se sa zotësinë. Nëpër panelet televizive nuk krijojnë audiencë ministrat, ata pra që kanë paratë tona ndër duar dhe nënshkruajnë miliona euro tendera ditë mbas dite, por ftohen deputetët luftarakë, të cilët nuk kanë stilograf për të firmosur, por shpatë verbale për të mposhtur mediatikisht kundërshtarët e hakërryer dhe lajmëtarë krimesh të thekshme, por të paprovueshme në Gjykata.

Teatri absurd pra, zëvendëson dialogun kundërshtues që Pushteti dhe Opozita duhet të kenë mes vete. Dhe kështu bota tallet me ne dhe ambasadorët, mbasi lenë llozhat e Kuvendit, u heqin tapën shisheve të verërave të mira që shërbehen në restorantet tona të shtrenjta, shijojnë peshkun tonë që tregtohet ende shumë lirë për xhepin e tyre dhe sigurisht e me të drejtë, tallen dhe përsëri tallen, me primitivizmin dhe urrejtjen skizofrene që shohin mes nesh.

Ndërkohë drejtorët, ministrat nënshkruajnë privatizime, emërime, koncesione, tendera, transferta, blerje dhe shitje, dhe askush nuk e ka mendjen te qeverisja dhe bilanci i saj.

Kryefjalë është kokaina, C4, tritoli, trafiku, përdhunimet, mashtrimet, vrasësit me pagesë, vrasësit imagjinarë, revolta popullore, përmbysja e qelbësirave, arrestimi i ish-qeveritarëve, dhe qershia mbi tortë, retorika Kundër Korrupsionit. Me siguri kjo është edhe sallata e frutave që ambasadorët e Europës shijojnë më së shumti, përpara se sa të ndezin ndonjë puro apo të rrëkëllejnë ndonjë shnaps.

Kur do të vijë pra Pranvera?

As edhe këtë Pranverë, sigurisht.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama