Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Dyert e renda te shtetit

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 10 vite më parë

Fatos Baxhaku
Dyert e renda te shtetit

Qëllon shpesh në jetë, kur gjëra që nuk venë aq mbroth sa duhet të shndërrohen në aq familjare dhe normale saqë të mos ua vësh më veshin. Nis e mësohesh ngadalë me to, si me një dhembje të vjetër që e ke trashëguar që nga motet e fëmijërisë. Ato janë aty si një plagë mbi trupin e shoqërisë që bezdis vetëm rrallë e tek, por që tek e fundit nuk të shkurton jetën ose të paktën kështu besojmë ne.

Ka ndodhur kështu edhe me një nga treguesit më thelbësorë të një demokracie: me të drejtën që ka secili prej nesh, gazetar apo jo për t’u informuar. Kjo e drejtë bazike njerëzore është e shkruar e zeza mbi të bardhë në disa prej dokumenteve më të rëndësishme që janë pranuar gjerësisht nga bota demokratike, mes të cilave edhe Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut. Te ne kjo marrëdhënie e qytetarëve me institucionet shtetërore rregullohet me një ligj të posaçëm, që u miratua në shtatorin e vitit të shkuar pas një gjumi shtatëvjeçar nëpër sirtarë. Ligji i shtatorit zëvendësoi një tjetër të 1999-s, i cili u konsiderua përgjithësisht i vjetruar. Vetëm pak ditë më parë, u bë publik një sondazh i kryer në 2014-n nga “Instituti Shqiptar i Medias”. Sondazhi kishte për qëllim që të krijonte një ide mbi faktin se sa dhe si marrim përgjigje nga institucionet shtetërore. Hartuesit e sondazhit kanë dërguar 153 kërkesa për informim në 68 zyra të shtetit, nga të cilat disa janë institucione hijerënda sikurse Gjykata e Krimeve të Rënda, Prokuroria apo vetë Këshilli i Ministrave, ca të tjera janë edhe më të buta, të paktën për nga puna që bëjnë, si Federata Shqiptare e Futbollit apo Rektorati i Universitetit të Tiranës. Nga 153 kërkesat e drejtuara pjesëve të shtetit, 122 ishin kërkesa zyrtare me firmë e vulë të redaksive përkatëse, 31 të tjerat u realizuan nga njerëz të thjeshtë. Rezultatet e këtij sondazhi do të na rrëfejnë se sa të rënda i kemi ende në shumë raste dyert e shtetit.

Rezultati më i parë dhe më direkt është se sondazhi mori përgjigje në 53 për qind të rasteve. Institucionet e tjera ose dhanë përgjigje negative, ose nuk e përfillin fare kërkesën, duke e hedhur në koshin e mbeturinave. Më keq ka qenë puna në rastin e kërkesave të paraqitura nga njerëz të thjeshtë. Sikur të jesh i tillë e të mos jesh gazetar e ke punën vërtet pisk. Njerëzit e thjeshtë kanë marrë vetëm 16 për qind “po”. “Hasa në një mosbesim të plotë për të dhënë informacion. Disa më pyetën se përse e doja informacionin. Ndërsa nga Ministria e Bujqësisë morën në telefon pronarët e medias ku punoj unë dhe pyetën nëse isha gazetar apo jo aty. Vetëm pastaj më dhanë informacionin që kërkoja me detaje. Në përgjithësi informacioni duket se filtrohet për media të caktuara, duke i favorizuar disa më shumë se të tjerat. Unë mora përgjigje në 7 nga 10 kërkesat, por ishte e qartë që më ndihmoi fakti që u paraqita si gazetar, edhe kjo pas verifikimeve. Nëse je thjesht qytetar, vështirë se merr përgjigje”, komenton një koleg punën e tij përgjatë sondazhit. Ndërsa një tjetër shton: “Testimi në rastin tim ka qenë pak më keq se në vitet e kaluara: 4 nga 10 institucione u përgjigjën. Kishte edhe tendenca për të parë se cila media po e kërkonte informacionin. Kishte pyetje të llojit: Pse po kërkon “Dita” formacion? Disa ishin shumë korrektë, por gjithsesi donin të dinin pse po e kërkoja informacionin …”.

Shumë domethënëse është edhe lloji i përgjigjes së marrë. Pasi kemi shmangur një “jo” të prerë që është diku te 40 për qind, përgjigjet ndahen më tej në: të cunguara (25 për qind), përgjigje për të parë ndonjë dokument ose website tjetër (5 për qind), përgjigje për të të degdisur në një zyrë tjetër (3 për qind) dhe vetëm 27 për qind janë përgjigje të plota, pra në një total prej 153 pyetjesh, shtetarët e kanë kryer detyrën e tyre, pra edhe të drejtën e qytetarëve për informim në mënyrë të plotë vetëm në 27 për qind. Pjesa tjetër ose e ka zbatuar ligjin në mënyrë të pjesshme, ose nuk e ka zbatuar atë fare. Kjo shifër bëhet edhe më e ulët nëse i ndajmë më vete kërkesat zyrtare të gazetarëve nga ato të njerëzve të thjeshtë. Në këtë rast, shifra bëhet edhe më alarmante. Ajo 27 për qind e përgjigjeve të plota në tërësi, në rastin e fundit bëhet vetëm 4 për qind. Është e kotë të merremi me llojet e tjera të përgjigjeve, sepse në ndonjë rast te qytetarët ato mbërrijnë deri në 1 për qind.

Një nga vetitë më të rëndësishme është kohëzgjatja e kthimit të përgjigjeve nga ana e administratës. Hartuesit e sondazhit kanë shënuar se mesatarisht kohëzgjatje e përgjigjeve ka qenë 12 ditë. Me të drejtë ata vënë në dukje se në këtë rast kemi një hap mbrapa në krahasim me sondazhin e 2012-s, kur kohëzgjatja mesatare ishte vetëm 9 ditë, megjithëse ligji i asaj kohe parashikonte një afat ligjor edhe disamujor.

“… Sondazhi konfirmoi se në një numër të konsiderueshëm rastesh mbeten ende probleme të lidhura me praktikën e administratës me dhënien e informacionit. Fakti se administrata vazhdon të pyesë aplikantët se përse e duan informacionin, tregon që mbizotëron ende mentaliteti se informacioni i përket administratës dhe ajo e ka në dorë ta japë atë, pavarësisht se ligji thotë ndryshe”, konkludojnë autorët e sondazhit. Mbase këto ditë nuk ka qenë fort kohë e mbarë për të diskutuar sondazhe. Mbase në këtë kohë bombash e tritoli nuk ishte koha të diskutonim për përqindje e grafikë. Mbase, është vërtet kështu, por, nga ana tjetër, të gjithë e dimë se sa kollaj është që një e keqe në dukje e vogël të vijë e të mahiset derisa të plasë. Dhe një nga të këqijat më të mëdha që mund t’i kanoset një demokracie, sidomos një demokracie të re sikurse kjo e jona, është rreziku i thellimit të hendekut mes qytetarit dhe shtetit të tij. Sondazhi i fundit tregoi, që kjo grackë në dukje e padëmshme, ekziston ende.

(Për më gjerë shih: Monitorimi i Aksesit në Institucione Publike 2014, Instituti Shqiptar i Medias, Tiranë 2014).

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama