Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Gjashte menyra per te dale ne televizor

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 10 vite më parë

Fatos Baxhaku
Gjashte menyra per te dale ne televizor

Është thënë e stërthënë: çdo gjë është politikë! Mirëpo, vetë ne jemi të vetëdijshëm se jeta ka një mijë e një anë të tjera që nuk janë politikë, ose që me të kanë fare pak të bëjnë. Sikur t’i besonim Shqipërisë që na paraqet çdo ditë, e madje edhe çdo natë, ekrani i vogël i TV, atëherë do të besonim se kemi një Shqipëri të ngujuar diku brenda unazës së Tiranës, ku luhet një telenovelë me fare pak aktorë, ku gjuha shqipe është zëvendësuar me një lloj dialekti që mund ta quajmë fare mirë “politikishte”.

Kjo Shqipëria e ngujuar televizive është një vend i ngrysur, ku të gjithë janë ndarë në dy kampe që i hakërrehen njëri-tjetrit dhe pretendojnë secili veçmas monopolin e së vërtetës dhe atë të më të mirit. Bashkatdhetarë tanë që nuk janë kthyer prej vitesh në Atdhe, pra që nuk e kanë parë realitetin me sytë e tyre, mund të mendojnë me të drejtë se vendi i tyre është shndërruar nga një vend dikur i mbyllur e frikshëm në një vend të mërzitshëm, një vend ku njeriu i thjeshtë, ai normali, ai që nuk bërtet, ai që do të jetojë në mënyrë të paqtë jetën e tij – ngaqë veç të tjerave e di që ajo kalon shumë shpejt – nuk mund ta gjejë vendin që i përket.

Në fakt, për fat Shqipëria nuk është aspak kështjella e ngujuar brenda unazës së Tiranës. Ndër qyteza, qytete, fshatra, shtëpi, shqiptarët projektojnë një jetë më të mirë për fëmijët e tyre. Në shumë raste ka nga ata që zhvillimin e presin nga politika, sikurse ka edhe asosh që presin vetëm nga Zoti, por sidomos në këto dy dekadat e fundit, janë shumë herë më tepër ata që shpresën e kanë bazuar vetëm te puna e tyre. Këta përbëjnë Shqipërinë normale, atë që ecën përpara nganjëherë me ritme të paparashikuara prej askujt. Ekrani i vogël televiziv preferon Shqipërinë e parë, atë të ngujuarën, atë të stërmbushur me politikë, propagandë e formalizëm, në vend të kësaj jete që gjallon anekënd vendit me të mirat dhe të këqijat që sjell pas çdo fat njerëzor.

Si në çdo telenovelë edhe Shqipëria televizive personazhet i ndan në rangje. Personazhet kryesore janë Kryeministri, lideri i opozitës, Kryetari i Kuvendit, pastaj me radhë deputetët që ndërrohen në foltore, ministrat dhe ekuivalentët e tyre në opozitë, ambasadorët – megjithëse ka raste, si për shembull në rastin Arvizu, kur këta mund të jenë edhe aktorë kryesorë – në rolet dytësore janë shefat e agjencive kombëtare të qeverisë. Për shembull në TV është raportuar edhe takimi i një drejtori agjencie me një ndërmarrje në kryeqytet, ose ambasadorë që kontrollojnë investimet e shtetit të tyre në x qytet, apo shefi i antiduhanit që sheh në terren sesi kanë punuar vartësit e tij, duke deklaruar madje se do të zbatojë ligjin! Me siguri një nga mërzitë e Shqipërisë politike në televizion e shkakton pikërisht kjo anë: teksti dihet që më parë prej shikuesve të duruar. Meqë ra fjala te teksti, një nga veçoritë e tjera të kësaj telenovele është fakti se aktorët në shumë raste i përgatisin vetë si filmimet ashtu edhe tekstet. Janë apo nuk janë për këtë punë zyrat e shtypit dhe zëdhënësit e shumtë!? Nejse, një bela më pak për redaksitë. Kushedi se ç’bëhej po të nxeheshin aktorët! Çdo telenovelë ka absolutisht nevojë edhe për dekorin e saj. Edhe kjo e jona e ka një: për fat të mirë buletini i policisë është duke funksionuar si s’ka më mirë. Kështu që edhe kjo punë duket se është zgjidhur.

Meqë më shumë se 20 vjet punë në media (nga të cilat gjysma nëpër televizione) çoç duhet të jenë, meqë kështjella e Shqipërisë politike në televizion as që e ka ndër mend të hapet, por përkundrazi, me afrimin e zgjedhjeve lokale, të mbyllet edhe më shumë, meqë puna e madhe e pak kolegëve si Marin Mema, Alma Çupi, Agim Pipa e ndonjë tjetër, ka mbetur si një ishull i izoluar, atëherë na vajti mendja që të shënonim disa këshilla për njerëzit e thjeshtë në mënyrë që, më në fund, të kenë rastin të shohin veten në televizor. Sigurisht që ka shumë shqiptarë të thjeshtë që as ua ndien për këtë punë, por ka edhe plot të tjerë që nuk e shohin në mos veten personalisht të paktën kategorinë e tyre në ekranin e vogël. Për ata që vendosin të zbatojnë këto këshilla duhet të themi që në fillim se duhet bërë kujdes. Disa prej tyre janë shumë të rrezikshme.

Bëj që të të plagosin (fare lehtë sigurisht)

Kudo që të jesh, nuk ka rëndësi vendi aspak, sajo ndonjë situatë apo ndonjë sherr, në mënyrë që dikush të të qëllojë me ndonjë grusht, pëllëmbë, karrige, shkop, hu gardhi apo ndonjë gjë tjetër. Është fare e lehtë, sebepe gjenden plot, aq shpesh saqë në gjuhën juridike këtyre u thonë “motive banale”. Bëni kujdes të mos e zbatoni këtë këshillë në ambiente ku është pirë alkool. Në këto raste nuk dihet si shkon puna, sepse pijanecët e kanë dorën e rëndë. Bëni kujdes që ndërsa ju mjekojnë të përsërisni pareshtur emrin tuaj, përndryshe u hapni punë si gazetarëve dhe policëve. Ç’kuptim do kishte nëse do të dilnit në televizor pa emër, vetëm me figurë?

Vidh ca energji elektrike (por ama me karar)

Nga të gjitha mënyrat kjo është më e shpejta dhe më efikasja, sepse tani kapja e hajdutëve të energjisë është në modë. Edhe policisë i intereson që të shtojë emra në listë, kështu që nëse nuk keni këllqe të provoni të parën, këtë të dytën duhet ta provoni me se s’bën. Do t’ju kushtojë ca ditë burg, por punë e madhe! Është apo s’është burgu për burrat xhanëm!? Pastaj paguani paratë që keni vjedhur dhe kështu që mbaroi kjo punë. Ja ku dolët tak-fak në lajme. Vetëm bëni kujdes, merrni një elektricist me vete nëse nuk jeni i zanatit.

Qëndro në radhë të parë

Një mënyrë që praktikisht nuk do t’ju kushtojë asgjë. Në takime, mbledhje, ndarje tapish, mitingje, qëndro gjithnjë ose në radhë të parë, ose po munde menjëherë pas aktorit kryesor. Rri atje, me durim, mos fol asnjë fjalë, as buzëqesh dhe as mos rri i mërzitur. Jepi fytyrës tënde një shprehje pa formë. Askush nuk duhet ta dijë se me kë je edhe pse ke vajtur në takim. Mos harro kemi çdo dy vjet zgjedhje!

Sajo një sherr në familje (por mos ngri kurrë dorë)

Edhe konflikti në familje është një rrugë e mirë që t’ia arrish qëllimit tënd final: daljes në lajme. Këtu tani duhet bërë kujdes se mos kalojmë nga qëllimi final në dëshira të fshehura antigrua. Kjo mënyrë kërkon bashkëpunimin e domosdoshëm të bashkëshortes. Më parë i shpjegohet asaj me durim se përse duhet të grindeni edhe kur ajo nuk ka asnjë faj dhe se përse mbase do të jetë e detyruar të durojë ndonjë pseudodackë nga ato të lehtat. Pasi të keni ngritur mirë e mirë zërin në mënyrë që komshinjtë të alarmohen, atëherë i thoni gruas të thërrasë policinë. Kujdes në atë punën e dackës, ajo duhet fare e sajuar, kjo mënyrë kërkon shumë finesë.

Shëtite lopën në autostradë (por sigurohu që viktima të jetë lopa)

Nganjëherë ia vlen që për të dalë në lajme e t’ua tregosh nipave e stërnipave duhet të sakrifikosh diçka. Një gjë e tillë mund të jetë një lopë. Kushton ca, por me këtë rast do të shpëtoni edhe nga rituali i përditshëm e i bezdisshëm i kullotjes së lopës. Kjo mënyrë funksionon kështu. Bashkë me lopën i afrohesh me kujdes autostradës. Për disa ditë studiohet me kujdes vendi ku makinat e ulin ca shpejtësinë. Pikërisht në një vend të tillë pasi të keni marrë frymë thellë dhe pasi të jeni ndarë me lopën shtyjeni atë ngadalë në autostradë, duke e shoqëruar nga pas. Bëni kujdes se mos merrni njerëz më qafë! Askush nuk ua ka për borxh që të dëmtohet nga e gjithë kjo histori. Bilanci duhet të jetë: ju i lënduar lehtë, lopa në parajsë për një qëllim fisnik, autostrada e bllokuar për disa orë. Pa merak, keni për ta parë se sa do të lehtësoheni kur në lajme menjëherë pas emrit tuaj do të thonë “është jashtë rrezikut për jetën”.

Mos i refuzo vox-popet

Vox-pop, nëse i kini parasysh, janë ato intervistat që gazetaret, zakonisht çupka të reja, bëjnë në rrugë. Këto janë shumë të rëndësishme. Thonë se ato sjellin mendimin e popullit për një çështje të caktuar, por në fakt nuk janë gjë tjetër veçse shtesë e dekorit për telenovelën politike. Megjithatë, nëse ju ndodh një rast i ngjashëm, mos e refuzoni në asnjë mënyrë. Flisni atë që mendoni, nuk duhet të keni fare frikë nga kamera. Është ajo që duhet të ketë frikë nga ju.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama