Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kokaina made in Albania

Shkruar nga: Artur Zheji  
Botuar më: 10 vite më parë

Artur Zheji
Kokaina made in Albania

Askush nuk u habit që në Shqipëri kishte laborator kokaine. Madje të gjithë pëshpërisin këto ditë se ky, laboratori i Xibrakut pra, është vetëm njëri prej tyre. Por habia e vërtetë ishte, padyshim e madhe, që “Laboratori” u kap dhe së bashku me superpolicët me maska, hynë aty edhe kamerat tv.

Dhe “laborantët” u arrestuan. Dhe kanë sot, emër e mbiemër. Nipçja i Enverit, fytyrëbukur dhe charmant edhe ai, si gjyshi i famshëm, e bëri lajmin më të bujshëm dhe më rrënqethës në të njëjtën kohë.

Dikush flet në mënyrë fantaziste apo realiste, për lidhjet me Kubën e mitologjisë komuniste të Fidel Kastros, dikush tjetër për Kolumbinë, por mbetet fakti që, kuzhina ku gatuhej kokaina, ishte në afërsi të Elbasanit. Elbasani, kërthizë e Shqipërisë.

Në këtë shtrëngatë lajmesh dhe buje, ndoshta “laboratorët” e tjerë, ose kanë rritur vigjilencën ose janë mbyllur përkohësisht dhe me urgjencë. Dhe të gjithë e dimë se kjo që ndodhi, do të shpërthejë debate shumë të forta, nëse nuk vërtetohet që ishte një “gabim teknik”.

Por gjithashtu të gjithë e dimë se “gjermani”, që është edhe investiguesi kryesor në këtë rast, nuk bën shakara me këto gjëra. Por edhe “çunat” tonë, me sa duket, bashkë me gjermanin, kanë marrë në sy rreziqet e mëdha të kësaj meseleje dhe po tregohen trima dhe të vendosur.

E pra, në këtë sfond duhen veçuar, përciptas, apo aq sa na lejojnë të dhënat e tashme të problemit, të paktën tri nënvizime kryesore:

E para, lidhet me një meritë të pamohueshme të forcave të rendit dhe të Prokurorisë, që kanë prekur pa masa të mirëfillta mbrojtëse këtë koshere grerëzash tejet të rrezikshme, që padyshim mund të konsiderohet bërthama e mirëstrukturuar e një Trafiku Ndërkombëtar droge. Dhe jo e një droge çfarëdo, por kokainë, e thirrur ndryshe edhe “mbretëresha” e drogave të rënda. “Biznesi” më i mbrojtur dhe më fitimprurës në botë.

I mbrojtur nga lidhjet me politikën, në Shqipëri dhe kudo jashtë saj. I mbrojtur nga një ushtri e tërë vrasësish me pagesë. I mbrojtur nga një superfuqi korruptive që mbështetet në sasinë e stërmadhe në para të thata, që ky trafik gjeneron dhe shpërndan për shërbimet që lyp, apo në rast nevoje për mbrojtje ekstreme.

Në këtë optikë, përtej debateve, dyshimeve dhe skepticizmit të natyrshëm që këto ngjarje bartin me vete, për sa i përket detajeve dhe ngjyrimeve të tyre, ky është, thjesht dhe pastër, një sukses. Një sukses i rëndësishëm dhe deri më tash inkurajues. Fjalët e tepërta janë fukarallëk, thotë populli.

E dyta. Duhet nënvizuar, se me këtë “zbulim” dhe këto arrestime, vetëm sa është cekur njëri nga fillet e këtij trafiku. Por edhe ky “Fill” mund të çojë në drejtime dhe në zbulime të paparashikuara…

Lart dhe poshtë shoqërisë shqiptare. Dhe në këtë fazë, mënyra se si do të veprohet hap pas hapi, do të bëjë të ditur, nëse reagimi i organizatave përkatëse, që merren me këtë trafik kaq fitimprurës, do të mund çojë shkallë-shkallë në mbylljen e palavdishme të këtij kapitulli. Dhe kjo nuk është hera e parë që ndodh në Shqipëri. Ku kokaina e pastër është shpallur më pas paracetamol, sherebel, miell për makarona, niseshte për revani, apo çdo lloj tjetër që ka pamje të ngjashme së jashtmi dhe padyshim një tallje të thellë së brendshmi.

E treta, nuk do të ishte mirë, nga asnjeri krah, ta shndërrojë këtë zbulesë në një sallatë të politizuar. Sepse politizimi dhe fill më pas sherrnaja tradicionale dhe çoroditëse e akuzave dhe kundërakuzave, është demoralizuese për Policinë, në të gjitha nivelet dhe nga ana tjetër, inkurajuese për Trafikun Ndërkombëtar, që është një Shtet më vete, brenda shumë shteteve.

Nëse do të mësohemi më në fund, që edhe kokaina dhe aq më tepër, laboratorët e saj në Shqipëri, nuk janë të paprekshme tanimë, kjo duhet të vlerësohet si një fitore e të gjithëve dhe e të gjitha proceseve që kanë rrjedhur deri më tash.

E thënë me gjuhë të drunjtë, po ndryshe nuk thuhet dot, si një rezultat i anëtarësimit në NATO, si rezultat i rrugës së integrimit në Europë, si rezultat i bashkëpunimit ndërkombëtar të Antitrafikut, dhe si një ngritje në një nivel më të lartë, që Shqipëria si e tërë dhe jo si Shqipëria e partive të veçanta ka mbërritur sot.

Sidoqoftë, ky “gëzim” mbetet ende shumë i brishtë dhe kërkon shumë prova të tjera që të shndërrohet në një besim të qëndrueshëm.

Mirëpo deri atëherë dhe deri në daljen në dritë të fakteve të reja, shpresojmë të depolitizuara dhe të provueshme, mund të vëmë pa dyzime dhe pa siklete, një Plus të rëndësishëm në bilancin e Antitrafikut shqiptar.

Dhe kjo nuk është pak.

Sepse Kokaina made in Albania është një markë shumë e famshme!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama