Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Hamdi!

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 16 vite më parë

Andrea Stefani
Hamdi!

Në kohën e diktaturës komuniste qarkullonte edhe një barsoletë që denonconte thelbin e sistemit, e që do të thotë se vullneti dhe fjala e liderit të partisë ishin vullneti dhe fjala e Zotit. Barsoleta kish për personazhe diktatorin, si dhe pedagogun e njohur Hamit Beqja. Sipas saj, në një nga sesionet shkencore për edukimin e njeriut të ri, ku ishte i ftuar edhe Enveri, mbajti një kumtesë edhe pedagogu i nderuar. Në mbyllje të aktivitetit u ngrit të fliste për të vënë pikat mbi "i" edhe udhëheqësi. Dhe gjatë tiradës së tij për edukimin e punonjësve iu referua për "modesti" edhe kumtesës së Hamit Beqjes për të shtjelluar më thellë "atë që tha shoku Hamdi". I ndjerë ngushtë nga ky lapsus (ndoshta jo më shumë se i ndryshuan emrin, por sepse lideri i pagabueshëm sapo kish bërë një gabim), Beqja gjeti rastin dhe i pëshpërit emrin e saktë: "Hamit, shoku Enver". Por Enveri vazhdoi me të vetën, duke e cituar edhe një herë Hamitin si Hamdi. Dhe barsoleta vazhdon më tej se pedagogu i nderuar, i nxitur si të gjithë njerëzit e shkencës nga skrupujt e së vërtetës, i pëshpëriti përsëri: "Hamit, shoku Enver". Kjo duket e tejmbushi kupën, duke e bërë të derdhet. Enveri ndërpreu fjalën dhe iu kthye me një ton urdhëror: "Hamdi të thashë!".


***

Nuk ka shumë rëndësi nëse barsoleta ka marrë shkas nga një ngjarje e tillë apo është krejtësisht e trilluar, nëse ka pasur ndonjë incident të një natyre të tillë mes diktatorit dhe pedagogut shumë të nderuar. E rëndësishme është fabula e dhunës së pushtetit politik, e forcës mbi të vërtetën si thelbi i një shteti të dominuar nga një pushtet pa kufij dhe kundërpushtete. Një thelb i tillë poshtërues është përsëritur pafundësisht gjatë 45 viteve komunizëm në marrëdhëniet e shtetasve skllevër me liderin, partinë, pushtetin që ishte më i fuqishëm se shteti, sepse ishte vetë shteti. Njerëzit duhet të kishin atë emër, atë jetë, atë vdekje që donte lideri dhe partia. E vërteta nuk ekzistonte objektivisht e shkëputur nga pushteti dhe lideri i pushtetit. Por një e vërtetë, edhe më alarmante, është se një thelb i tillë lirivrasës, po shfaqet edhe sot, gati 20 vjet pas përmbysjes së diktaturës, në marrëdhëniet e liderit me institucionet. Kur lideri i partisë dhe i pushtetit, Berisha, (dhe ai është saktësisht dhe pa ekzagjerim i tillë) urdhëron që një akt të shpallet kushtetues, ai shpallet kushtetues. Por kur interesat e pushtetit të Berishës kërkojnë që në thelb, po i njëjti akt, të shpallet antikushtetues, ai shpallet i tillë. Në vitin 1994, interesat e Berishës donin që të bëhej një referendum për një projektkushtetutë që ai e kish hartuar sipas midesë së tij prej autokrati. Atëherë ishte kreu i Gjykatës Kushtetuese, Gjata, i cili tha se referendumi ishte kushtetues, ndonëse opozita protestoi ngaqë shumica nuk e kish kaluar fare projektin e Kushtetutës në Parlament.

Sot, rreth 14 vjet më pas, kur Berishës nuk i leverdis një referendum për Kushtetutën e dhunuar nga ca amendamente të sugjeruara po prej tij, është KQZ, e kryesuar po nga një jurist me mbiemrin Gjata, që hedh poshtë si antikushtetues kërkesën e disa nismëtarëve për referendum. Këtë herë, vullnetit politik të Berishës, që e patën kujdes juristët e PD-së në KQZ, i është bashkuar edhe vullneti politik i Edi Ramës, që e patën kujdes juristët e PS-së në KQZ.


***

Por ndërsa në rastin e referendumit, lidershipi socialist iu gëzua skemës që ngre vullnetin e liderit mbi ligjin dhe Kushtetutën, nuk duket se po ndodh kështu me debatin lidhur me dekretet e Presidentit Topi për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Tashmë shihet qartë se shumica e PD-së në Kuvend po përpiqet të imponojë vullnetin e Kryeministrit Berisha që (për shkak se gjakon që të ketë kudo njerëzit e tij të besuar) është kundër disa kandidaturave të dekretuara nga Presidenti. Në zbatim të këtij vullneti autokratik dhe shumë të rrezikshëm për demokracinë, shumica po shpërfill hapur detyrimin kushtetues për t‘i votuar dekretet. Deputetë kokëtrashë përsërisin një përrallë sikur një vendim i Gjykatës Kushtetuese detyron Presidentin të konsultohet me PD-në dhe Berishën për kandidaturat që do të dekretojë në Gjykatën e Lartë. Ka pasur një traditë dhe një precedent konsultimi që duhet vazhduar, - thonë këta avoketër të autoritarizmit. Por çështja bëhet edhe më shqetësuese kur këtij kori marionetash politike, i bashkohen edhe ca juristë mendjehollë. Jo vetëm për faktin se ata i bëjnë një avokati më të sofistikuar "me ligj" strategjisë së kapjes së Berishës. Por edhe për faktin se, nëse politikanët mund të flasin për precedentë në politikë, juristët nuk mund të flasin për një gjë të tillë. Këtu nuk jemi në Britani dhe juristët duhet t‘u referohen procedurave që janë të detyrueshme nga ligjet. Dhe Kushtetuta përcakton qartë: Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me miratimin e Kuvendit. Kushtetua nuk përcakton asnjë detyrim për konsultim. Bën apo nuk bën konsultime Presidenti me forcat politike për një vendim, që me Kushtetutë i takon atij ta marrë, kjo është në dëshirën dhe vlerësimin e tij politik. Por ta kthesh konsultimin si një e drejtë e Presidentit, në një detyrim gjoja "kushtetues", duke penguar edhe detyrimin kushtetues për të votuar dekretet në Kuvend, do të thotë të shkelësh Kushtetutën në emër "të Kushtetutës", do të thotë të ndërhysh në ato atribute që Kushtetuta ia njeh qartë Presidentit.


***

Publiku ndoshta ka harruar se një nga amendamentet që (shyqyr Zotit) nuk u votua më 21 prill, ishte edhe ai për kundërfirmimin e dekreteve të Presidentit nga Kryeministri. Por Berisha nuk heq dorë kollaj. Atë që nuk e arriti me amendamente po përpiqet ta arrijë me një interpretim jashtëzakonisht krijues të Kushtetutës. Zbatuesi besnik i urdhrave të Kryeministrit në Komisionin e Ligjeve, Beja, zvarritjen skandaloze të votimit të dekreteve, këtë shkelje të hapur të Kushtetutës, përpiqej ta trukonte pikërisht me gjoja "zbatimin e Kushtetutës. Dhe cilat ishin "argumentet" që ai dhe të tjerë marioneta të Berishës, ofruan në Komisionin e Ligjeve? "Mbi bazën e precedentit të mëparshëm, mbi bazën e traditës së krijuar, unë mendoj se Presidenti duhet të kish bërë këto konsultime", - u shpreh në Komisionin e Ligjeve deputeti Ramiz Çoba, i cili përveç asaj që ai e cilësoi si "traditë", nuk ishte në gjendje të sillte argument ligjor që e detyron Presidentin të konsultohet. Pyetja shtrohet: A ka një ligj që e detyron Presidentin të konsultohet? Çoba nuk thotë dot "po" se një ligj të tillë nuk ka. Edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese që përmendet, në fakt nuk e detyron Presidentin për konsultime, por vetëm i njeh Kuvendit të drejtën që t‘i shqyrtojë kandidatët, përveç kritereve ligjore, edhe për meritat apo mungesën e meritave. Por Çoba vazhdoi avazin, duke shtuar: "Jam kundër procedurës që është ndjekur për përzgjedhjen e kandidaturave, mënyra si kanë ardhur, mungesa e transparencës". Këtë gjë përsëriti edhe deputeti Eris Hoxha: "…Ne kërkojmë një proces të qartë, transparent, të kuptueshëm për publikun", - deklaroi ai. Por prisni një minutë! Këto na duken fjalë të njohura! Vërtet, a nuk janë ato disa nga ankesat e Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës që vetë deputeti Hoxha nuk i mori parasysh, kur votoi bashkë me kolegët socialistë amendamentet e tmerrshme të 21 prillit? A nuk u ngritën atëherë shumë zëra për mungesën e transparencës dhe paqartësinë e publikut lidhur me amendimet berishiste? Ç‘duan ankesat për mungesë transparence dhe paqartësi të publikut në gojën e atyre që nuk i ofruan publikut as transparencë dhe as qartësi, kur ishte fjala për revizionimin e dokumentit më të shenjtë të shtetit? Përse transparenca, kur është e domosdoshme, injorohet si e panevojshme dhe aty ku nuk është aq e nevojshme (sepse në fund të fundit, me ose pa konsultime, dekretet e Presidentit do të votohen në Kuvend), shpallet si e domosdoshme? Përse një herë e duam dhe njëherë nuk e duam transparencën dhe qartësinë e publikut? Ka vetëm një përgjigje që na kthen pas në kohën e diktaturës: Sepse "Enveri" i kohës sonë ka thënë: Hamdi të thashë!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama