Njerëzorja, e munguara e madhe

Shkruar nga: Artur Zheji  
Botuar më: 5 vite më parë

Artur Zheji
Njerëzorja, e munguara e madhe

Ndër gjërat e rralla në Shqipëri, si për shembull puna, besnikëria, mbajtja e fjalës së dhënë, është si më e rralla e të rrallave, Njerëzorja. Ajo pjesë e qenësishme që na dallon nga kafsha, në përmbajtjen shpirtërore që duhet të kemi dhe që shpesh mungon. Në atë që na diferencon përshembull nga ujku, i cili shqyen një kope të tërë në dy-tri orë, ndërsa mundet realisht të hajë vetëm një dele në 24 orë. Në atë që na diferencon nga majmuni, që kopjon, pa ditur, pa kuptuar dhe pa një “Përse” dhe që për fat të keq në xhunglën tonë, vëllazëria e majmunëve është edhe më popullorja. Apo Njerëzorja, si një komunikim apo si një aventurë komunikimi, me një Botë Tjetër, të Përsosurën, Idealen, Atë që Nuk Ekziston mbi Tokë, por që mbin si lule kacavjerrëse traktatesh, poemash apo legjendash, tash sëpaku 2000-3000 vitet e fundit, në capak kafka të rralla njerëzish të Rrallë.

Krishtlindjet u rrokullisën zbehtë dhe tani do të bëjnë të tyren, festimet pikante dhe tradicionaliste të Vitit të Ri, me gjel, pije t’forta e turkçe kadaif-bakllava. Mirëpo, shumë nga ata që na udhëheqin, që marrshin nga ditët tona, që na udhëheqin në pushtet apo në opozitë, krejt njësoj t’favorshme që të dyja, janë në ndërkohë duke ngjeshur radhët ndër avionë apo ndër Bisnes Lounge apo duke zbarkuar aty ku askush nuk i njeh për fytyrë, por ku, shpejt do të zënë famë për shpenzimet e krisura, gold apo platinum kartat dhe keshin e stivosur. Dhe kjo do të ndodhë mbasi do të fotografohen intensivisht disa orë më parë, në itineraret e qokave, që kanë detyrimisht në përmbajtjen e tyre:

Kishë, xhami, jetimore, parti.

Dhe fotografimet do të vijojnë të bëjnë xhiron e televizioneve, duke krijuar një aktualitet virtual të rremë, ndërkohë që ata, origjinalët e fotografuar, do të jenë në fluturim ose në argëtim të plotë, jashtë dhe larg provinciales, zhulit apo llumit të së përditshmes shqiptare…

Edhe qeveria e re, që ngjan e thinjur ca si shpejt për 16-muajshe që është, me drejtoreshka të bukura, të veshura dukshëm shtrenjtë e më shtrenjtë e ditë mbas dite, me drejtorushë dandy dhe trendy, me vetura sportive ndërmjet Jaguar dhe Porche dhe asgjë më pak, brilantë e me të dashura brilante, e të vetëkënaqur, e me plane vjetore të realizuara gjithmonë në mënyrë shembullore, me një përqindje të lartë rilindjeje në gjak e shpirt, edhe këta pra, me sytë nga Shefi, janë zhdukur apo do të zhduken ca ditë, me të gjithë shpurat e tyre, në ekzotikën e fundvitit.

Asgjë e re, sigurisht. Përveçse kanë emra, gjeografi dhe origjina të tjera nga pararendësit dhe kanë medoemos fytyra dallonjëse të ndryshme. Sepse asgjë me sa duket nuk ndryshon dot, përveç retorikës.

Të paktën deri më tash. Shpresa që të përgënjeshtrohemi vdes e fundit.

Dhe do të ish përgënjeshtrimi që do të më gëzonte më shumë, edhe se vetë dëshira natyrale e njeriut për t’u vërtetuar, në çfarë thotë.

Por janë edhe ca e ca, që në emër të Shtetit, e për të mirë të Shtetit, nënkupto të të gjithëve ne, qorrave dhe horrave që nuk ia dimë kuptimin, peshën dhe domosdoshmërinë, Shtetit të shkërmoqur që po rithemelohet, ca e ca pra, po mbërdhifin n’burg me të drejtë, për vjedhje energjie apo vjedhje xhepash.

Ndërkohë që ca e ca të tjerë, të akuzuar të bujshëm për vjedhje hidrocentralesh e kasafortash të mëdha, për vjedhje deti, toke, ajri, për vjedhje kompanish apo falimentim kompanish kombëtare ajrore, vjedhje procesesh gjyqësore, licencash kombëtare, e pasuri të mëdha e të vërteta me një fjalë, edhe këta ca e ca pra, që duhet t’i jepnin kuptim dhe formë ekzistencës së burgjeve, nga ku duhet të dilnin së paku mbas një shekulli, këta ca e ca, janë Sot, ashtu si edhe Dje, sërish pjesë e shpurave të pushtetit, të të Rinjve tanimë, rrugëve të Botës mund t’i ndeshësh këto ditë. Të amnistuar, dorëshpuar dhe aktivë në gjueti të reja.

Duke prishur edhe ata, me shumicë, paratë e pakta të Shqipërisë së varfër. Të varfër sa më s’ka.

Porse mulliri i saj, bluaj e bluaj e s’paska të mbaruar, miell, çdolloj mielli të kuptohemi, tender, trafik e para të thata.

Por edhe kjo nuk është ndonjë gjë e Re. Aspak e re dhe aspak e papritur. Në të tërën e vet, kjo që po shkruaj sot, mund të shkruhej edhe dje, edhe pardje, me fare pak ndryshime, më së shumti me ndryshime kronologjike dhe estetike, të tipit thashethemnor:

Drejtoresha e re e doganave, përshembull, ish-revolucionarja pasionante që denonconte Gërdecin dhe abuzivizmin trasversal, me pallton Burberry veshur në Grand Gala, është një drejtoreshë e bukur dhe simpatike dhe së shpejti një nënë e lumtur dhe me planet e doganave,  t’realizuara e t’tejkaluara për mrekulli, si në ndonjë film të Kinostudios ‘Shqipëria e Re’…

Apo Albpetroli nën drejtimin e ri, do të sjellë begatinë në fushën e karburanteve shqiptare dhe do t’i mbyllë përgjithmonë gojën e ligë Kontrollit të Lartë të Shtetit, që vetëm “shpif”. Apo ndërtimet e reja që po presin qindra e qindra pemë nga Liqeni Artificial i Tiranës, që do të këpusin e kafshojnë një copë të majme mushkërie të Kryeqytetit, do të punësojnë qindra vetë, të majtë e të djathtë dhe për të tjerat punë e madhe fort…

Sigurisht, në gjithë sa themi e shkruajmë, jemi thjesht e vetëm në majën e majës së ajsbergut, të mrekullive dhe sukseseve që jetojmë. Sepse me sa duket, Gëzime të tjera na presin!

Meteorologët, duke studiuar fytyrën-hartë të Kryeministrit, lexojnë afrimin e një Pranvere të paktën 10-vjeçare mbi tokën shqiptare…

Në tërë këtë Parajsë, që po mbin e zë fill ndë tokë të shqipove, mungon veçse një gjë fare e vogël: njerëzillëku ndaj të Vërtetës.

Apo mungesa e një finese dhe ndjesie për atë që vuan. Dhe për atë që qan në mënyrë të pangushëllueshme nën tiraninë e varfërisë dhe skamjes, si pasojë e grabitjes që, nuk dihet se si dhe nuk dihet se përse, nuk ndalon.

Akoma. Edhe në mbyllje të këtij viti të Dymijë e katërmbëdhjetë, të Erës sonë, në Tokën tonë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama