Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Udhekryqi i Kryeministrit

Shkruar nga: Artur Zheji  
Botuar më: 10 vite më parë

Artur Zheji
Udhekryqi i Kryeministrit

Bashkë me shirat e dimrit, stinë veçanërisht e ashpër për popujt e varfër, duket se ka përgjithësisht një rritje të mosbesimit, të shprehur dhe të artikuluar në mjaft nivele ndaj Qeverisë Rama 1. Fillimisht pritshmëria ishte e madhe. Zgjedhjet e vitit 2013, ishin zgjedhje në vit krize, ndonëse Berisha nuk e përmendte asnjëherë asokohe fjalën krizë. Si popull romantik që jemi, shumica mendoi se me ndërrimin e qeverisë, do të mund të dilej lehtësisht nga kriza.

Retorika e Opozitës me të drejtë ose jo, kish krijuar bindjen se kriza vinte nga keqqeverisja dhe jo, edhe nga një tërësi faktorësh ndërkombëtarë. Në këtë valë optimizmi, shumë veprime energjike, sidomos në atë “reformën shtetformuese” dhe si të thuash, të higjienës së shtëpisë sonë të përbashkët, u duartrokitën dhe i dhanë madje Ramës një rritje të pëlqyeshmërisë popullore.

Po ashtu edhe mjaft suksese personale në politikën ndërkombëtare, qoftë europiane dhe qoftë ballkanase. Kjo me sa duket i dha Ramës inkurajimin për ta thelluar radikalizmin e masave të tija “higjienike”, ku veprojnë kryesisht fadroma, forca policie dhe një ushtri e re me pinca në duar që presin lidhjet abuzive të energjisë. Askush nuk mund të thotë që kjo nuk ka një kahje pozitive. Goditja e “korrupsionit popullor” të energjisë elektrike, po ndodh për herë të parë dhe një gjë e duhur.

Por, sa më radikale bëhen masat, sa më shumë mbushen burgjet apo shtohen gjobat dhe ndëshkimet, aq më shumë nevojë ka për një moralitet absolutisht të lartë në qeverisje. Nëse shteti të fut në burg për vjedhje energjie, qoftë edhe për shifra modeste, çfarë mund të thuhet për transparencën e munguar të çmimit të blerjes së energjisë në tregun ndërkombëtar?

Ka zëra që thonë se diferenca, e cila inkasohet nuk dihet se nga kush, ka qenë rregullisht 20-30 milionë euro në vit. Dhe këtu populli nxehet, sepse ka jetuar me kodin, ti qeveritar vidh, edhe unë ç’të kem në dorë do të bëj po ashtu. Nëse një kontratë e tillë do të prishet, dhe ka ardhur koha të prishet, atëherë duhet të prishet në të dy krahët. Jo vetëm për vjedhësit e vegjël pra, por edhe për vjedhësit e mëdhenj.

Siluetat e disa prej drejtorëve, me fizionomi të padukshme publike, por që qarkullojnë para të trasha dhe tendera të rëndë, janë të dyshimta. Madje ka nga ata, të mirënjohur si zanatçinj të këtyre gjërave, që janë si ujku i dërguar për të ruajtur qengjat e kopesë.

Dikush mund të thotë se Kryeministri e ka seriozisht këtë reformë të ndërmarrë. Nuk dua të jem ende paragjykues për vullnetin e tij të mirë. Pavarësisht se për këtë mungesë paragjykimi, kolegët e kanë pasion të më thumbojnë simbas mënyrë së tyre, që është gjithsesi në perceptimin tim, një formë kontradiktore e shprehjes së dashurisë. Por kjo është një çështje tjetër.

Pra, duke mos e paragjykuar, gjithsesi nuk mundem të mos nënvizoj këtë aspekt kyç të Udhëkryqit të Kryeministrit. Sepse, nëse kërkohet një tolerancë zero ndaj popullit, duhet paralelisht edhe një forcë e madhe për të mos bërë kompromise, sidomos në kapacitetet drejtuese dhe që hedhin në erë koherencën e moralitetit të sipërmarrjes në fjalë.

Mbas 15 muajsh qeverisjeje, “fajet e pandëshkuara të të korruptuarve të Saliut”, sido që të artikulohen, e kanë humbur peshën e efektit të tyre. Populli e di, se “ata”, edhe nëse kanë qenë të tillë, tashmë ia kanë hedhur dhe do të vijojnë të bëjnë jetën e tyre të shtrenjtë, prej të pasurish me peshë. Por ndërkohë, populli sheh edhe sythet e para prej diamantesh të të rinjve që po shfaqen aty-këtu.

Por më e keqja akoma është se, situata ekonomike e rënduar, ndoshta ende jo për faj të Ramës, shto masat represive të shkallëzuara, krijojnë një situatë të acaruar. Të gjerë territorialisht dhe pjellore në insinuata.

Duke vizatuar kështu skicën e parë të një zhgënjimi spontan dhe të strukturuar nga Opozita, që është kësisoj më e efektshme. Dhe presioni sa vjen edhe rritet nga të gjitha anët. Qeveria Rama 1, shumë shpejt duket se ka nevojë për ripërtëritje.

Kryeministri duhet të ndëshkojë aty ku proceset ngecen dhe të promovojë kur ka vend për promovim. Formulat e tija e të përsëritura në mënyrë të panevojshme se ka qeverinë më të mirë të mundshme, nuk janë një formulë dialektike. Aq më tepër që është dialektika ajo që e ka shpikur edhe vetë Rilindjen.

Por mbi të gjitha, Kryeministri duhet të bëjë zgjedhjen e Uliksit, nuk duhet të mbyllë veshët me dyllë, dhe duhet të dëgjojë “këngët” e sirenave. Dashakeqëse apo dashamirëse qofshin ato. Për të vizatuar një trajektore më optimale në këto kushte presioni.

Kushte në të cilat “inati” është këshilltari më i keq.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama