Vizita e te vertetave

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 5 vite më parë

Skënder Minxhozi
Vizita e te vertetave

Kur më 14 tetor, Serbia dhe Shqipëria konsumuan përplasjen e parë publike mes tyre në një stadium futbolli, u duk sikur papritur të dyja palët kishin zbuluar sesa shumë urreheshin mes tyre. Kjo ishte thjesht e pavërtetë. Aq sa ç’është e pavërtetë edhe sot, kur mes dy palëve është vendosur edhe një vizitë problematike e Edi Ramës në Beograd. Serbët nuk na urrejnë më shumë tani që janë konsumuar këto dy faqe të ashpra historie mes nesh. As nuk do të na donin më tepër, nëse sherri në stadium dhe frazat “blasfemike” të Ramës për Kosovën, nuk do të ekzistonin. Historia është shumë më e gjatë dhe traumatike se një karrige në kokën e një futbollisti apo një deklaratë e një politikani, cilido qoftë ky.

Ka shumë retorikë në këto orë, në gazeta e televizione, për ta lartësuar nga njëra anë ose për ta relativizuar e mpakur në ekstrem nga ana tjetër, peshën e vizitës së Kryeministrit shqiptar në Serbi. Nuk është nevoja as për njërën, e as për tjetrën, paçka se reagimi mbarëkombëtar i shqiptarëve, na thotë se peshorja anon më shumë nga tendenca e parë.

Nëse duhet një epitet për vizitën e Edi Ramës në Serbi, mjafton të thuhet se kjo ishte vizita e të vërtetave mes dy vendeve. E të vërtetave të mëdha, pas më shumë se gjysmëshekulli ftohjeje totale. Nuk ishte vizita e marrëveshjeve për ujërat, tregtinë apo ambientin. Këto e shumë të tjera marrëveshje si këto, janë tejet të rëndësishme, por vijnë pas kontaktit të parë, kur të zotit të shtëpisë i duhen thënë gjërat në sy. E mes atyre që duhen thënë pa droje, më e para është se mbreti është lakuriq. Thënë ndryshe, që Kosova është tashmë e pavarur. Ata që janë skandalizuar, përse Rama ka thënë para Vuçiç, atë që e thonë prej vitesh të gjithë kryeministrat, ministrat e Jashtëm e zyrtarët e tjerë të demokracive të mëdha të Perëndimit, e dinë edhe vetë se po bëjnë një kriticizëm të sforcuar.

Mes shteteve, ka një kohë për marrëveshje e marrëdhënie normale, për bashkëpunim më të ngushtë e tregti më të frytshme. Por ka edhe një kohë për të thënë atë që nuk shkon. Përndryshe vetë marrëdhënia nis e çalë, hipokrite, me sytë përmbys. Ky qe momenti për të mos u fshehur pas rutinës diplomatike, por për t’u parë drejt në sy, e për t’i thënë hapur diferencat. Është e rrejshme dhe në rastin më të mirë naive, që t’i kërkohet qeverisë shqiptare, që të bëjë, qysh në takimin e parë me serbët, atë që nuk është bërë në 68 vjetët e fundit, në marrëdhëniet me Beogradin.

E meqë flasim për të vërtetat, e vërteta e parë dhe më e thjeshtë e vizitës së Edi Ramës në Serbi, është se pa Kosovën në mes, nuk mund të kishte kurrfarë vizite. Teksa e dëgjon pafund në edicionet e lajmeve, paragrafin që ai ka lexuar për Kosovën, në konferencën e shtypit me Vuçiç, bindesh se Kryeministri shqiptar ka folur në mënyrë krejt korrekte, të qetë dhe pa asnjë tepri, për një realitet që sot e ka njohur de facto e gjithë bashkësia ndërkombëtare, por edhe elita politike serbe. Bisedimet disavjeçare serbo-kosovare në Vjenë, Bruksel e gjetiu, me mbikëqyrjen e ndërmjetësimin e fuqishëm euro-amerikan, kanë prodhuar veç të tjerash situatën kurioze, ku pala serbe, edhe s’e njeh formalisht shtetin kosovar, edhe negocion pa reshtur me të, si me një vend sovran e të pavarur. Çfarë sakrilegji bëri Edi Rama, kur thjesht evokoi këtë realitet që ekziston në praktikë prej vitesh?! Aq sa bisedimet me Kosovën, janë kthyer prej kohësh në një kusht të palëvizshëm, për avancimin e axhendës europiane të Serbisë së sotme.

Në vend që t’i mëshohet “provokimit” të Ramës në Beograd, ndoshta është më mirë që të vërehet, pasi nuk është aspak e vështirë, sesa larg qëndron sot qëndrimi i relaksuar shqiptar ndaj problemeve që kanë të bëjnë me kombin, etninë dhe fenë, e sa i stresuar vijon të jetë pozicioni serb në këtë prizëm. Kemi qenë dhe mbetemi të hapur dhe të qetë për të diskutuar me të tjerët për këto çështje delikate. Problemi është se të tjerët (serbët, në këtë rast), nuk janë aspak gati për të pranuar një debat të hapur e pa komplekse në këtë pikë. Mes shumë reagimeve për vizitën, qe i goditur komenti i para dy ditëve, që thoshte se “u takuan dy botë krejt të ndryshme”.

Ka qenë një kohë, në mesin e luftës së Kosovës, në prill të vitit 1999, kur politika shqiptare, me gjithë kontradiktat dramatike të prodhuara nga kriza e vitit 1997, mundi të unifikohet për një moment, e të dalë publikisht e bashkuar para shqiptarëve. Në një miting masiv, asokohe, në sheshin “Skënderbej”, Berisha tokte duart për herë të fundit me Majkon, Gjinushin, Metën e liderët e tjerë kundërshtarë. Është për të ardhur keq, që në këtë përballje të dytë, kësaj radhe paqësore, me palën serbe, nuk u prodhua e njëjta energji pozitive.

Një pjesë e mirë e atyre politikanëve që anatemojnë vizitën e Ramës në Beograd, do të donin ta kishin për vete atë copë lavdie politike që Kryeministri i siguroi vetes, në pak më shumë se dhjetë minuta konferencë shtypi me Aleksandër Vuçiç. Një pjesë e klasës politike në Tiranë nuk mundi të ngrihet dot në lartësinë e një kundërshtari të ndershëm, që i jep hakun oponentit të tij, kur ky i fundit sillet në mënyrë korrekte dhe pa gabime e gafa, aq të shpeshta në rrethana të tilla të vështira, për çdo politikan me përvojë. Kundërshtarët politikë të Edi Ramës nuk mundën të bënin së paku as atë që bëri një opozitar i fortë si Astrit Patozi, i cili e përcaktoi vizitën si “minimalisht të paqortueshme”. Të paktën kjo duhej thënë. Për të mos qenë në anën e gabuar të historisë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama