Të enjten e shkuar, Kryeministri dhe Lideri i Opozitës, ishin në mënyrë paralele, në të njëjtën orë, për absurd të lojës së audiencave, ballë për ballë në studiot televizive. Të ndryshëm edhe konkurencialë, kuptohet. Në zbardhjen e nesërme, të lëndës që kumtuan kundërshtarët, ajo që bie në sy është fryma përjashtuese. 100% përjashtuese. Opozita nuk shprehu pëlqim për asgjë që po bën këto 15 muaj qeveria Rama, një qeveri e dominuar nga “banditizmi” dhe arbitrariteti arrogant, simbas Lulëzim Bashës. Tejet agresiv apo luftarak ky i fundit. Në ndërkohë, Rama në studion tjetër, në trend vetëkënaqësie, rendiste rrëfenjat e Beogradit, bilancet e fitoreve të qeverisjes së tij, simbas atij vetë. Tejet i rehatuar dhe me ironi therëse për pararendësit, të perifrazuar thjesht me termin inpersona: “Këta!…”
Në pamje të parë rolet janë të ndara. Dhe fare thjesht mund të thuhet se Basha “lufton” për pushtet dhe Rama, mbron pushtetin e tij. Basha shprehu natyrën e vet sulmuese dhe Rama, shtjellonte analiza reflektive dhe shpjegonte objektivat e tija të sotme dhe të nesërme, në trajtë mbrojtëse. Kjo mënyrë dypolare, por edhe ngarkesa verbale që palët shpalosën në mënyrë të njëkohshme ndaj njëri-tjetrit dhe partive që kryesojnë dhe përfaqësojnë, është mjerisht një përsëritje e lodhshme.
Ndoshta kjo vjen ose ngaqë ne gazetarët konsumojmë shumë politikë. Dhe në këtë konsum e dallojmë fare mirë sallatën e freskët nga sallata që del nga ngrirja, apo kekun me vezë nga keku me ujë, përdorimin pa fre të peshoreve të ndryshme, kur flitet për vete dhe kur flitet për kundërshtarët, e kështu me këtë meny, kaq po kaq të njëllojtë na pritet oreksi dhe shohim terrenin pjellor për Antipolitikën dhe lulëzimin e saj. Antipolitika që lind herë si refuzim, herë si dorëheqje nga shpresa për politika realisht më të mira për të gjithë dhe realisht të sinqerta, herë si reflektim për krijimin e një Aristokracie të Re mendore, të ndriçuar dhe të pakorruptueshme, që të ketë mundësisht po aq, në mos më tepër influencë mbi politikëbërjen në këtë vend të varfër. Artificialisht në të varfër.
Aristoteli, në mbrojtjen që bënte për nevojën ekzistenciale të njeriut dhe të njerëzimit për Filozofinë, thosh, mijëra vite më parë se “edhe nëse dëshiron të provosh kotësinë e filozofisë, që ta bësh një sipërmarrje të tillë, është e nevojshme të përdorësh argumente filozofike”. E pra, në rendjen për të provuar mosnevojën e Filozofisë, de facto je i detyruar të bësh filozofi, e pra të pohosh nevojën e saj. Duke u vetëpërgënjeshtruar.
Antipolitikanët, apo Antipolitikanizmi, e ka kaluar edhe ay, këtë krizë aristoteliane. Duke artikuluar në mijëra mënyra lodhjen, nga fjalët e mëdha të idealeve të vogla të politikanëve, të cilët në shumicën e rasteve kanë si pikësynim realizimin e objektivave të egoizmit të grupit dhe kënaqësitë individuale të vetes, antipolitikanët, që në periudhën sofiste apo në stigmën hobbsiane, që masën e gjerë njerëzore e kualifikonte natyrshëm si apolitike, edhe këta të fundit pra, bëjnë duan – s’duan politikë. Mirëpo Historia Njerëzore është e mbushur dhe e tejmbushur me përpjekjen rraskapitëse, të një lufte vrastare që ndodh midis Gënjeshtrës dhe të Vërtetës, që fshihet, gatuhet apo shtiret brenda Fjalës.
Brenda fjalës që kumton politikani në radhë të parë. Sepse politikani ka fatet e shumë njerëzve në duart e tij.
Sepse fjalë marrëzisht të bukura apo marrëzisht shprehëse kanë rezultuar në vepra marrëzisht vrastare, kriminale apo të pandershme. Një herë, dhjetë herë, mijëra herë.
Dhe shpesh e më shpesh, ata, që priren në të mirë dhe në të keq, qoftë edhe përmes mëkatesh apo gabimesh të shumta, në perceptim dhe në arsyetim, kanë kërkuar përmes traktateve dhe veprave të tyre të flisnin dje dhe sot, për një nevojë të Ndërgjegjes Morale të Fjalës.
Domosdoshmërinë pra, thelbësore të Moralit të Fjalës, si themel i Ndërgjegjes Morale të Kombeve, parakusht i provuar shumë herë historikisht, për përparimin e tyre të qëndrueshëm. Dhe sëpaku, në Europën që duam të hyjmë, falë një presioni të madh të Elitave, kjo sa thamë, është sëpaku, një beteje që luftohet me dinjitet, ditë pas dite.
Tani, duke u larguar me pothuajse trishtim nga kjo sintezë në vrap e sipër e Antipolitikës, si një akt politik, për një politikë më të mirë, le të kthehemi te debati i kithët dhe në studio të ndryshme të “liderëve” shqiptarë, dy-tre ditë më parë.
Antipolitika shqiptare, ashtu si edhe eksperienca italiane e disa pak viteve më parë, me “Lëvizjen 5 Yjet” (Movimento 5 stelle), të Beppe Grillos, po krijon edhe në Shqipëri, “shtetin e vet”, në rrjetet sociale shqiptare, që janë tashmë një ushtri e vërtetë, mbetur ende pa një Gjeneral.
Edhe aty, si edhe në pjesën më të madhe të anës depresive të opinionistëve, kjo lloj politike dhe ky përdorim i Fjalës Politike si një konvencion i nënkuptuar, ku Gënjeshtra nuk quhet mëkat porse thjesht një mjet legjitim, përtej rraskapitjes dhe bajates, nuk sjell dot një zhvillim të vërtetë të një Standardi të Vërtetë, koha e të cilit ka ardhur edhe në Shqipëri. Koha pra, kur sharjet dhe akuzat të mbështetura mbi fjalë, të shumtën e herës të paprovuara apo qëllimisht të rrejshme, të cilat, në një kohë të dytë janë vërtetuar si pretekste për të marrë pushtetin nga duart e kundërshtarit dhe jo për të ndryshuar standardin real dhe themelor të qeverisjes.
Shqiptarët e kanë kuptuar tanimë këtë lojë dhe kanë krijuar me votat e tyre, jo ndonjë përmirësim radikal të jetëve të tyre, por krijimin e pasurive, shpesh përrallore, të politikanëve të tyre.
Dhe prova që edhe ata, të rinjtë e sotshëm në pushtet apo drejt pushtetit, nuk janë thelbësisht të vjetër, është guximi për ta sendërtuar antagonizmin e tyre politik, duke krijuar sa më shumë “oaze” thelbësore dhe reformatore dialogu midis tyre.
Nga sa u pa, edhe në qasjen më të fundit televizive të Palëve, njeri Kryeministër dhe tjetri kandidat për Kryeministër, përjashtimi ishte dominues dhe nuk kishte as edhe një këmbë ure, nga njëri breg në tjetrin, duke i lënë brigjet përkundruall të njëjtit lumë dhe të të njëjtit popull, ashtu si edhe ishin.
Dy Llogore, me nga një mitraloz verbal grykënxehtë, në të çarën e bunkerit. Lajm ky, aspak i mirë. Për të gjithë.