Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Hajde te gelltisim talljet e Vucicit!

Shkruar nga: Artur Zheji  
Botuar më: 10 vite më parë

Artur Zheji
Hajde te gelltisim talljet e Vucicit!

Po, po, shumë analistë janë dakord që Rama të bëjë një bohçe me këshilla dhe teza europianiste, e të niset në Beograd. Çështja është se kryeministri serb Vuçiç, nuk e ka vendosur akoma. Do të përmblidhet në weekend, do të rilexojë edhe njëherë rekomandimet e presidentit Putin, do të bëjë një dush me ujë të ngrohtë ose një sauna dhe, tek të rrëkëllejë një gotë të hollë kristali me shampanjë, do të mendohet: “Si na leverdis?! T’i ftojmë këta qyqarët nga Shqipëria, që, megjithëse çunat tanë në stadium ua zbutën kurrizin futbollistëve të tyre, dhe ne mjeshtërisht ua lamë kopilin në derë, këta pra, përsëri nuk na shqiten?!”

Dhe qeveria shqiptare po mban frymën për ndonjë sinjal, për ndonjë semafor jeshil nga Beogradi. Porse duke lënë mënjanë emocionet, që sidoqoftë janë gjëja më e ndershme që na ka mbijetuar në këtë shoqërinë tonë, hipokrite dhe primitive njëkohësisht, le të themi edhe njëherë, sa më ftohtë, çfarë fitojmë dhe çfarë humbasim nga kjo vizitë e Edit në Beograd.

Së pari, ata që e mbështesin këtë vizitë, përveç përfitimeve nga do t’u vijnë në formë fondesh për Ojq-të e tyre, në pak fjalë përmblidhet në logjikën se, “shqiptarët më në fund duhet të bëhen mjeshtra të strategjisë 99 hile dhe një trimëri. E pra, duke shkuar në Beograd, me një lëkurë qengji hedhur krahëve, ne do të rrëfehemi bashkëpunues, të urtë, europianistë. Do të kemi kësisoj një mirënjohje prej Brukselit dhe brukselasve, sepse kështu vërtetojmë publikisht që kemi ndrruar soj, e nuk jemi më ballkanas”.

Pra si të thuash, është jo një këshillë, por një ftesë dhe partiturë për të luajtur teatër, duke përdorur Beogradin si skenë. Duke patur shumë respekt për teatrin, megjithatë mendoj se nuk më rezulton që brukselasit janë kaq të etur për të parë një shfaqje teatri Rama-Vuçiç. Ata, me vëzhguesit e tyre, i kanë parë të gjitha. Kanë prova të mjaftueshme të humorit të sinqertë të shqiptarëve që u fyen rëndë dhe publikisht. Kanë prova të mjaftueshme, nëse duan t’i kenë, se humori i elektoratit serb, përderisa ka sjellë sërish në pushtet zogjtë e inkubatorit apo pasardhësit e Milosheviçit dhe të një ultranacionalisti po aq radikal si Vojslav Seselji, as nuk përmirësohet dhe as nuk transformohet nga vizita e planifikuar e Kryeministrit shqiptar. Kryeministri i një vendi, gjeopolitikisht xhuxh, sidomos mbas vizitës triumfale të presidentit rus Putin, që u prit, jo rastësisht, por me një paradë ushtarake domethënëse. Një paradë e tipit të aleancave ushtarake old stile, por kurdoherë, një aleancë ushtarake.

Së dyti, tani le të flasim dy fjalë edhe për kombëtaren shqiptare. Pavarësisht se nuk jam tifoz futbolli, kur shoh djemtë tanë që kanë simbolet tona kombëtare dhe luajnë në emër të atyre simboleve, me emocionet e tyre të sinqerta, prirem të jem me ata, pavarësisht nëse mbiquhem primitiv apo folklorik, nga ca e ca, që e kanë Atdheun e tyre në llogarinë e majme bankare. Simbolikisht dhe realisht, kur ata rrihen dhe poshtërohen, ndjehem i rrahur edhe unë dhe po aq i poshtëruar sa ata. Kush ndjen dhe percepton ndryshe, është e drejtë e tyre, por kjo e drejta e tyre as nuk e demoralizon dhe as nuk e dhunon aspak të drejtën time.

Duke u kthyer te vizita e Ramës, me këtë shëmti që u krijua në Beograd kundër nesh, kjo do të ishte një vizitë aspak popullore. Edhe sikur Rama të tentojë të thotë aty ca fjalë, që do të kishin jehonë populiste në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, përsëri kjo do t’i trishtonte brukselasit dhe do të ushqenin alibinë e beogradasve tash në pushtet, për të çuar fjalët e Ramës si provë të “pandreqshmërisë” së nacionalizmit shqiptar.

Pra, kush e këshillon që shkuarja aty është e dobishme dhe e nevojshme, bie padashje në një kurth logjik. Në këtë vizitë do të humbasë në të njëjtën kohë mjaft mbështetje popullore dhe elektorale dhe, nëse nën trysninë e kësaj bjerrjeje të kredibilitetit të brendshëm, ai do të tundohet të përdorë tone të forta, do të trishtojë dhe zhgënjejë kështu sponsorat ndërkombëtarë, që ndoshta ia kërkojnë këtë vizitë.

Por talljet e kryeministrit serb, Vuçiçit, që hiqet i prekur dhe i provokuar nga shqiptarët e dhunuar në Beograd, me sa duket janë një gjellë që serviret për ta gëlltitur, ende për shumë kohë.

Dhe mund të themi me trishtim se Paqja e vërtetë është ende larg ndërmjet dy popujve. Ndërkombëtarët, ndonëse iu dhemb dhe kanë investuar pafund që kjo Paqe të rrënjoset e të ndodhë, duhet të pajtohen dhe ta lexojnë drejtpërsëdrejti këtë realitet.

Shkon apo nuk shkon Rama, do apo nuk do Vuçiç ta presë, do puthen apo do shahen në Beograd të dy kryeministrat e gjatë ballkanas, pak rëndësi ka.

Me sa duket, diku thellë në shpirtin serb, peshorja ndërmjet urrejtjes dhe “Kalimit Përtej Saj” anon nga stuhia e paqetësuar e shpirtrave të tyre. Për këtë mund të ndjejmë edhe dhimbje edhe keqardhje, por ne shqiptarët nuk mund ta shërojmë dot këtë plagë të tyren. Kemi mjerisht shumë halle tonat, të cilat duhet edhe ne t’i tresim me dinjitet.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama