Ndjesa e Bashes dhe LSI-ja

Shkruar nga: Artur Zheji  
Botuar më: 7 vite më parë

Artur Zheji
Ndjesa e Bashes dhe LSI-ja

Ajo që bëri përshtypje në fjalimin kuvendor të Lulëzim Bashës, ishte ndjesa e tij publike për humbjen e 23 qershorit të vitit të kaluar. Një ndjesë e artikuluar sa ndoshta asnjëherë më parë në modelet komunikative, që karakterizon rëndom partitë politike shqiptare.

Basha kërkoi ndjesë sidomos në lidhje me burokratizimin e drejtuesve kryesorë, të cilët hallet e shqiptarëve i shihnin përmes xhamave të zinj të veturave të tyre luksoze. Duke humbur besimin e njerëzve, të cilët nuk shihnin dot më partinë, sepse kishin të bënin vetëm e kryesisht partiakët apo zyrtarët e kamur. Kjo deklaratë, që tentonte të përçonte një frymë, duket sikur e tronditi platenë dhe shumëkënd që e shihte veten brenda atyre veturave apo zyrave luksoze, me paradhoma të pakalueshme për njeriun hallexhi. Votuesin e djeshëm apo edhe votuesin e nesërm, që koha rrëfeu se kishte kujtesë të fortë. Një kujtesë të fortë elektorale.

Personalisht nuk e di se sa në favor personal të Bashës do të shkojë kjo “mea culpa” në segmente të caktuara të Partisë Demokratike që ndjehen realisht të prekura, por e rëndësishme duket se është pikënisja e një trendy të ri. Të shpresojmë popullor dhe jo thjesht populist. Të cilën do ta përcaktoja si një zbritje të Partisë tek Njeriu. Një zbritje e cila është në të vërtetë një Ngritje. Një ngritje morale e partisë.

Mirëpo, është e habitshme se si është shmangur nga shënjestra e analizës politike dhe gazetareske fakti që Lëvizja Socialiste për Integrim, ish-aleate e Partisë Demokratike, humbëse e bujshme e 23 qershorit të kaluar, doli fituese në të njëjtat palë zgjedhje dhe me të njëjtët palë zgjedhës, ku ish-aleatët e Partisë Demokratike, elektoralisht u dërmuan.

Si shpjegohet ky paradoks që prodhoi partia e Ilir Metës? Përveç mllefeve dhe mbllaçitjeve kundër Metës, tepër pikante dhe tepër zymtake për të qenë objektivisht bindëse në tërësinë e tyre, mungon një analizë reale e këtij kontrasti. Një kontrast rezultatesh që e pothuajse katërfishoi Lëvizjen Socialiste për Integrim në harkun e tre muajve, prill-qershor 2013.

Duke dëgjuar ndjesën e Bashës, që në thelb vendos në shënjestër të humbjes shkëputjen graduale dhe fatale të partisë nga zgjedhësit e tyre të drejtpërdrejtë, perceptohet qartë strategjia krejt e kundërt, e ndjekur me kokëfortësi nga LSI, në lidhje me punësimet apo bursat e shkollimit si dhe përkujdesjes për interesat e grupit dhe korpusit të vet elektoral. Ndryshe nga pjesa dërmuese e drejtorëve të Partisë Demokratike, që simbas Bashës, në tre-katër vitet e fundit të qeverisjes veçse largoheshin nga njerëzit që i kishin votuar ose që i trokisnin, zyrat e LSI ishin shndërruar në zyra të pritjes së popullit.

Popull ndoshta i pa parfumuar, me këpucë të blera te tezgat e Gabit, me çorape trikotazhi apo leshi, me ca veshje mjerisht provinciale, me dhëmbë dhe pa dhëmbë, me unaza llamarine dhe pra, përgjithësisht të padenjë për zyrat sallone, ku paradhomat zakonisht banohen nga sekretaret dashnore, të drejtorëve apo ministrave VIP. Këta hallexhinj, krejtësisht jo estetikë, të gatshëm për çdo sakrificë dhe kompromis, në emër të jetës dhe ecjes përpara të pjellave të tyre, shpesh të shumta në numër, shohin pak tv dhe lexojnë edhe më pak gazeta dhe nuk kanë as kohë dhe as praktikë, për ta ushqyer të përditshmen e tyre me mendimet dhe analizat tona të “larta’. Sepse ata vrapojnë për të mbyllur muajin e një familjeje të tërë, me aq pak para, sa ne, ose shumica prej nesh shpenzojmë për kafe e cigare. Dhe në këtë vrap e përpjekje për jetë a vdekje duan zgjidhje. Zgjidhje të shpejta dhe zgjidhje direkte.

Zgjidhje të cilat nuk lypset të kenë gjithmonë dhe detyrimisht një moral formal të lartë apo përsiatje letrare, porse janë zgjidhje që kanë në thelb moralin jetik. Lëvizjen përpara të jetëve të tyre të vogla, nga një pikë A, drejt një pike B. Apo shmangien e rënies në greminën e varfërisë së thellë. Apo edhe në një greminë edhe më të thellë akoma, tipike të kohëve që jetojmë: “greminën e harresës”.

Mund të dëgjosh lart e poshtë ankesa të mëdha për LSI, e cila është gati konfliktuale dhe madje “shpërfill” hera-herës edhe ligjin, për të realizuar këtë sipërmarrje punësimi dhe konfortimi të zgjedhësve të saj. Mund të dëgjosh ankesa dhe akuza nga moralistë sqimatarë, që e dallojnë mirë dhe kanë pasion të ntrashin çdo qime mëkati të kësaj partie. Dhe mirë bëjnë. Dhe në të drejtën e tyre janë.

Mirëpo në këtë sofistikim që po përjeton sot shoqëria shqiptare, retorika dhe fjalët që e përbëjnë atë, të cilat stivosen mbi njëra-tjetrën, si ca tulla të rreme të një godine të rreme, njeriu i thjeshtë, shpesh e më shpesh jetim nga shpresat që ofrojnë zgjidhjet globale, parapëlqen zgjidhjet simbas fjalës së urtë që thotë: “më mirë një vezë sot, se sa një pulë mot!”. Dilema nëse kjo është ose jo, një zgjidhje që sjell zhvillim social të përgjithshëm, rezulton mjerisht e parakohshme në një vend si i yni, ku shteti apo qeverisja janë ende në nivel post-primitiv.

Basha, në fjalën e tij mençurisht reflektuese, që sigurisht duhet të pasohet edhe nga fakte dhe metoda të reja, duket se e ka nxënë këtë leksion praktik që doli fitues më 23 qershor, nga ish- aleati, LSI.

Sepse shqiptarët karakterizohen sot nga mosbesimi i thellë ndaj fjalëve, pavarësisht se sa të bukura apo shpresëdhënëse ato janë dhe nga qëmtimi i imët i akteve dhe veprave konkrete, të cilat ndryshojnë qoftë edhe sot për sot, ekuilibrin e brishtë të jetëve të tyre. Katërfishimi elektoral i Metës nuk krijon vetëm frikë konkurrenciale në xhungël të politikës, por si edhe në rastin e “Ndjesës së Bashës”, një provë e fakt mbi të cilin mund të argumentohet një reflektim.

Një pikëprerje se si politika e ashtuquajtur e lartë dhe e çështjeve të mëdha, puqet detyrimisht me fatin e vogël të njeriut të vogël, që përbën edhe shumicën e popullsisë së vendit tonë. Kuptohet, edhe shumicën e votuesve. Kujtesa e të cilëve ndaj bilancit konkret të jetëve të tyre modeste dhe shpesh të padukshme, duket se po rritet pashmangshmërisht. Mbas 24 vite zhgënjimesh, po përjetohet më në fund një kryengritje e madhe e jetëve të vogla dhe plot ankthe e kurthe. Të  njerëzve të mbiquajtur shpesh e pa dhimbje si “Askushi”.

Të cilët hakmerren simbas mënyrës së tyre. Aty ku politikës i dhemb më shumë.

Në Zgjedhje. Të cilat sipas tyre, duhet të japin Zgjidhje edhe për jetët e tyre të harruara tepër gjatë nga më të shumtët.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama