Korrigjimet historike dhe vetëkorrigjimi

Shkruar nga: Artur Zheji  
Botuar më: 7 vite më parë

Artur Zheji
Korrigjimet historike dhe vetëkorrigjimi

Duke filluar që nga çlirimi im Kosovës, te Marrëveshja e Ohrit në Republikën e Maqedonisë dhe deri në sipërmarrjen më të fundit të kancelares Merkel, një sipërmarrje sa politik edhe ekonomike, duket një korrigjim historik, në qëndrimin Perëndimor ndaj Shqipërisë. Njihet kështu de facto një komb shqiptar, që ka vijueshmëri të plotë, pavarësisht copëtimit që sjellin kufijtë shtetërorë, aktualisht ende në këmbë.

Shqiptarët e shpërfillur deri në shekullin e kaluar, tanimë perceptohen dhe janë në një nivel dinjiteti dhe partneriteti si kurrë më parë. E thënë shkurt dhe shqip, bota ka ndryshuar qëndrim ndaj nesh, pavarësisht nëse ndodhemi në Kosovë, Shqipëri, apo Maqedoni.

Porse ajo çka vërehet e pandryshuar dhe që vret gjithmonë e më shumë sytë, është mosndryshimin që ne shqiptarët duket se ruajmë me një xhelozi miope, në sjelljen politike, sociale dhe më gjerë.

Tek sheh videon që xhiron krejt botën, me subjekt rrahjet me grushte ndër deputetë shqiptarë në Kuvendin e Maqedonisë, kupton që diçka e rëndësishme ka ngecur në etikën tonë politike. Nuk do të çuditesha ta shikoja këtë skenë edhe këto ditë në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, apo në Kuvendin e Kosovës. Jo se nuk ka ndodhur, kështu apo më rëndë, porse askush nuk mund të thotë se percepton që stilema e urrejtjes radikale brenda llojit të ketë ndryshuar. Jo rrahja apo më rëndë, por urrejtja e paskaj që pjell plot bastardë të dhimbshëm dhe të përgjakshëm në historinë tonë politike dhe jo vetëm, mbetet një kënd ku mbretërimi i errësirës vijon fuqiplotë.

Egoizmi, shpirtvogëlsia, errja e syve, etja e pakufishme përpara, pushtet dhe etja për arbitrarizëm, është një alter ego, që na përcjell, në të përditshmen e mosqytetërimit tonë.

Një mosqytetërim, që zgjeron rrathët e vet, valë-valë në çdo sferë dhe në çdo pore të shoqërisë sonë.

Dikur thoshim, ankoheshim e çirreshim, se është kjo një e keqe që e kemi dhuratë nga të tjerët dhe nga rrethanat historike të cilat na lanë në një prapambetje të frikshme historike. Thoshim pra, se ishim mosbesues, tinzarë dhe plot mllefe, sepse ishim të frustruar nga qindra padrejtësi historike, ekonomike, varfëri artificiale. Se ekzistonte një pothuaj seracizëm antishqiptar në botë dhe ndër fqinjë.

Dhe se mbylleshim në vetvete si bisha të plagosura dhe ruanim qytetërimin tonë të lashtë, në guackën e fortë kockore të primitivizmit, i cili manifestohej dhunshëm. Dhunshëm për vetëmbrojtje. Dhe në emër të mbijetesës me çdo kusht.

Sot është ndryshe. Nesër do të jetë edhe më ndryshe. Në favor të shqiptarëve. Si pasojë e këtij korrigjimi historik që na ka përfshirë, herë vrullshëm dhe herë gradualisht.

Ne, ç’do bëjmë?

Do ta mbajmë përjetësisht gjallë bishën e urrejtjes politike? Bishën e urrejtjes klanore dhe zgjidhjet e konflikteve me kallash, tritol dhe topuzë vrastarë verbalë?

Deri kur dhe pse?

Alibia apo justifikimet sociale dhe konspiracioniste nuk qëndrojnë më. Pothuajse në asnjërin prej niveleve të shoqërisë së re dhe moderne shqiptare. Dhe sidomos në nivelin politik.

E nënvizoj këtë se pushimet sikur po shkojnë drejt mbarimit. Dhe një luftë politike gatitet të fillojë. Një luftë që nuk e duam. Një luftë që nuk i duhet askujt në fund të fundit.

Sepse në fund të fundit është, ose do të jetë një luftë në të cilën do të humbim të gjithë diçka personale. Por mbi të gjitha rrezikojmë të humbasim kreditet ndërkombëtare që na afrohen si një shans i madh historik. Përtej së majtës dhe së djathtës. Gjithmonë e më shumë përtej.

Një vetëkorrigjim duhet të zërë fill. Brenda vetes dhe brenda qenies sonë. Që të mos e meritojmë më tej epitetin e zymtë si të paqeverisshëm.

Një sezon i re politik pritet të fillojë. Re të zeza duken në horizont. Në mes reve vrastare dhe plot rrufe dhe tokës së uritur për më shumë paqe, qëndrojnë fëmijët tanë.

Kush i ka, më kupton mirë se për çfarë po flas.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama