Qe te mos na zere te gjitheve ajo dige!

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 6 vite më parë

Skënder Minxhozi
Qe te mos na zere te gjitheve ajo dige!

Prej vitesh, biznesi i ndërtimit, i mbështetur dhe i sponsorizuar politikisht nga klasa drejtuese në Tiranë, i është vënë një cope tokë të mbetur, s’dihet sesi, ende e lirë, në një cep të kryeqytetit. Më saktë, fjala është për terrenet që përfshin zona e digës së Liqenit Artificial të Tiranës. Një hapësirë, e cila aktualisht ka pak ose aspak kopje të ngjashme në Tiranën e betonizuar. Rifillimi i dhënies së lejeve të ndërtimit nga ana e Bashkisë së Tiranës në këtë zonë, ka nxitur, siç ka ndodhur edhe në të shkuarën, një debat të ndezur politik. Shumica e Kryeministrit Rama (ish-kryetar bashkie për mbi një dekadë), është kujtuar të dalë thuajse përditë me deklarata publike, tani që formalisht leja është dhënë dhe kur tabelat me pasqyrën e punimeve, janë afishuar, tamam si ato lajmërimet e vdekjeve një herë e një kohë, në muret e Pazarit të Ri.

Skandali i betonimit të kësaj hapësire, përbën njërën ndër historitë e shumta të shëmtuara të tranzicionit shqiptar. E lakmuar ndër vite nga thuajse të gjithë të pushtetshmit e këtij vendi, kjo ngastër toke, ku tiranasit kanë ende mundësinë të shohin vijën e horizontit apo perëndimin e diellit, po rrezikon edhe një herë të kthehet në një xhungël betoni dhe xhami. Nga ato që i gjen rëndom kudo nëpër Tiranë. E meqë kjo sagë abuzimi është po aq e vjetër sa edhe demokracia shqiptare, në të janë bërë pis të gjithë ata që kanë pasur diçka në dorë në këta njëzet e ca vjet. Nëse sot, diga e Liqenit është një hapësirë pa asnjë status të veçantë mbrojtës (e lënë qëllimisht kështu), përgjegjës për këtë janë të gjithë kryeministrat e kryetarët e bashkive të kryeqytetit. E kotë të verifikosh çfarë kanë thënë dikur Berisha, Rama, Meta e Basha për këtë që sot po kthehet në truall ndërtimi. Këto orë po ridëgjojmë deklaratat e Lulzim Bashës gjatë fushatës elektorale të vitit 2011, ku përbetohej se nuk do të lejonte asnjë ndërtim te diga. Këto deklarime janë vetëm një ndër episodet e shëmtuar të gënjeshtrave politike që lidhen me këtë zonë tejet sensitive të peizazhit të Tiranës. Nëse u shton këtyre premtimeve të pambajtura, edhe gënjeshtra të trasha të tipit “po përpiqen të pengojnë investimet dhe vendet e punës”, apo “po shtojmë sipërfaqet e gjelbra”, atëherë bindesh se me zonën e Liqenit Artificial po vijon të luhet një teatër i shëmtuar politik.

Ndër vite, kjo zonë u kafshua dhe u masakrua nga autoritetet vendore apo shtetarët e lartë të vendit. Përballë liqenit, tashmë ngrihet një lagje makabër pallatesh të futura te njëri-tjetri, si sardelet në një konservë. Anash, aty ku ende thuhet se ekziston kopshti zoologjik, agresioni i shtëpive private dhe pallateve të banimit ka zhdukur çdo gjurmë të florës dhe faunës që historikisht ka populluar atë vend. Të njëjtin fat ka pasur edhe kopshti botanik. Pjesa më e gjelbër, më ekskluzive dhe parimisht më e mbrojtur e Tiranës, është degjeneruar në një farë mase, saqë teksa sheh albumet e 30-40 vjetëve më parë, plot foto nga kopshti botanik apo Liqeni, të vjen të pyesësh se cilës pjesë të Tiranës i referohen ato foto! Nën moton e urbanizimit të dhunshëm të gjithçkaje, masakruam hapësirat që nuk do t’i kemi më kurrë të gjelbra dhe të pastra si dikur.

Tirana ka sot një treg imobiliar në krizë të thellë. Sipas njohësve të këtij tregu, një pjesë e madhe e rreth 12 mijë apartamenteve të pashitura në shkallë vendi, gjenden në kryeqytet. Me disa mijë hyrje bosh, që presin prej muajsh blerësit e tyre, një dreq e di sesi mund të klasifikohet kjo marrëzi betonimi që s’po ka as fund, as krye. Të ndërtosh sot, do të thotë të marrësh një risk jo të vogël financiar mbi vete. E megjithatë, lejet e ndërtimit vazhdojnë të shihen si Grali i Shenjtë nga biznesi i ndërtimit, ndërkohë që hapësirat urbane zvogëlohen e zvogëlohen, aq sa tashmë në shumë pjesë të Tiranës dhe qyteteve të tjera kryesore, nuk hyn dot më as zjarrfikësi, as ambulanca dhe as makina e funeralit.

Sherri më i fundit për pallatet te diga e Liqenit, ka vënë përballë kreun e bashkisë me paraardhësin e tij. Pra, dy persona të cilët e njohin shumë mirë problematikën e këtij qyteti, të cilit sot po i rrezikohet një hapësirë jetike. Basha dhe Rama nuk mund të fshihen më, i pari pas deklaratash “kineze” si ato të orëve të fundit, i dyti pas protestash të vonuara, si ato që po dëgjojmë. Liqeni Artificial duhet shpëtuar nga betonizimi i mëtejshëm. Është një imperativ i paapelueshëm, në situatën katastrofike në të cilën ndodhet, edhe kështu siç është, kjo mushkëri e kryeqytetit. Ndalni masakrën në të vetmin oaz të mbetur ende pa u prekur nga babëzia e ndërtimeve. Përndryshe mijërat e njerëzve që përditë shëtisin, vrapojnë, notojnë, çlodhen apo luajnë futboll në atë vend, do t’i heqin edhe një tjetër vizë të trashë sipër, emrit të atyre që sot po tolerojnë të ndodhë e pakthyeshmja. Nëse bashkia dhe kreu i saj nuk kanë më vullnetin që t’i përmbahen asaj që kanë premtuar dikur, qeveria le ta përdorë edhe një herë fuqinë që i buron nga “një milion votat”, që e ka aq përzemër t’i përmendë çdo ditë. Për të ndalur një hap që po u hodh, nuk mund të kthehet më pas.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama