Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pas skandalit te Sarandes

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 10 vite më parë

Fatos Baxhaku
Pas skandalit te Sarandes

Në këtë behar edhe kjo na u desh! Një 60 e ca vjeçar që i vete mendja të shkojë me një fëmijë. Kjo histori, që bën kontrast të thellë me bukuritë e Sarandës dhe njerëzillëkun e njerëzve të saj, sigurisht që mbështjell në vetvete shumë e shumë aspekte: juridike, morale, etike, sociale, gazetareske. Mirëpo nga të gjitha këto aspekte ka dominuar deri më tash një aspekt i vetëm, ai politik. Përfaqësues të PS-së dhe të qeverisë kanë bërë deklarata gjysmironike. Mirëpo ironia nuk është gjithnjë çelësi për të shpëtuar nga një situatë e sikletshme. Ankesa e tyre kryesore ka qenë: përse opozita, PD-ja, pra, e politizoi aq shumë këtë histori? Përgjigjja do të ishte krejt e thjeshtë: sepse personi i akuzuar për atë shëmtirë që na dëgjuan veshët ishte person politik, përfaqësues i madh apo i vogël kjo nuk ka më shumë rëndësi, i partisë në pushtet, njeri i afërt dhe i punësuar nga një prej njerëzve më të pasur e pra edhe më të pushtetshëm në atë parti. Pozita duhej të shqetësohej sikur të ndodhte e kundërta. Sikur për shembull, Lul Basha të thoshte: E mo mirë gjëra që ndodhin! Kudo ka manjakë. I shkoi mendja të shkretit, e zunë mat dhe u dënua. Askujt, në radhë të parë vetë PS-së, nuk do t’i duhej një opozitë e tillë qesharake. Për fat kjo nuk ndodhi. Është tjetër punë se me çfarë mjetesh, fjalori. koherence u realizua kritika e opozitës. Kjo është një punë krejt tjetër.

Këtë historinë e kritikave ndaj kritikave me rastin e skandalit të Sarandës, e vazhdoi dje edhe ministri i Punës, Veliaj. Ky dje e krahasoi opozitën me një motor pa skapamento apo me skapamento të çarë e që bën zhurmë apo me një gjë të tillë të ngjashme. Tha edhe se të shkretën grua e ka marrë në mbrojtje Bashkia e Sarandës. Ministri do të kishte bërë më mirë sikur, që kaherë të bënte të pamundurën që njerëz të tillë të mos ta quajnë veten të barabartë me të apo me mijëra socialistë të ndershëm e idealistë në të njëjtën parti ku militon. Kështu do të kishte më shumë mundësi të merrej me malin e punëve që e kanë mbytur, nuk do t’i ishte dashur të sajonte figura “me marmita” dhe nuk do t’i ishte dashur aspak të merrej me histori njerëzish të panjohur e, me sa duket, perversë. Megjithatë, ministri Veliaj duhet falënderuar për një frazë që shprehu dje. Ajo ishte pak a shumë kështu: Njerëzit të mos shkojnë në parti për punë, por në zyrat e punës.

Në fakt, kjo fjali fsheh thelbin e të gjithë problemit. Qeveria do ta ketë shumë të vështirë të edukojë të papunët të shkojnë në zyrat e punës. Cilësdo qeveri do t’i duhet një kohë e gjatë, shumë e gjatë. Kjo, sepse ne kemi një histori të ndërlikuar në këtë fushë. Sapo u krijua shteti shqiptar, pra mbas 1920-s, kur ai nisi të funksionojë sadopak, nga shumica u pa si një lopë për t’u mjelë. Më të lakmuarat ishin postet ushtarake, oficer, xhandar, polic. Për një bari të varfër të hante një vaft të përditshëm falas dhe të kishte veshjen e siguruar, përveçse një page të sigurt, ishte gjëja më ideale që mund t’i ndodhte në jetë. Në këto punë hyhej me një copë letër që beu ua dërgonte miqve të tij në Tiranë apo gjetiu. “Letërprurësi është njeriu im. Të futet menjëherë në punë atje ku do”, kaq ishte formula. Këto lidhje punëmarrëse ishin të shumëllojshme, fisnore, krahinore, politike, fetare, nostalgjike. Askush nuk pyeste për shkollimin, vlerat, meritat e kandidatit. Kishte ardhur me pusullë dhe kaq. Aq normale dukej kjo mënyrë të vepruari saqë mbërriti edhe në kohën e fitores së komunistëve. Në Elbasan, të moçmit tregojnë ende këtë histori. Pas 1944-s, kur u shpall shërbimi i detyrueshëm ushtarak, u caktua si kapter i mobilizimit një kurveleshas. Asokohe nuk merreshin ushtarë mësuesit që kishin mbaruar Normalen e Elbasanit. Këtë kishte fiksuar në kokë kapteri. Dhe kështu i pyeste burrat elbasanas, të vënë një nga një në radhë: Emri? Mbiemri? “Orrmalen” e ke zotrote? “Orrmale” i thoshte kapteri Normales. Kur dikush përgjigjej “po”, atëherë ai përjashtohej nga ushtria, ndonjë tjetër që ngrinte supet shkonte bashkë me shokët që s’kishin mbaruar “Orrmalen”. Thonë se bashkë me qytetarët e thjeshtë ishte vendosur në radhë edhe një nga djemtë e bejlerëve më në zë të Elbasanit. Ky kishte kryer në Vjenë shkollën e mesme dhe universitetin për inxhinieri ndërtimi. Ishte kthyer në 1945-n në qytetin e tij, me shpresën e madhe t’i shërbente vendit me dijet e tij të shumta. “Emër, mbiemër – e pyeti kapteri djalin e veshur mirë – po Orrmalen e ke?”. Më kot u lodh djali që t’ia shpjegonte se shkollat që kishte bërë ishin ku e ku në krahasim me “Orrmalen”, se notat e tij ishin të shkëlqyera, se dinte të ngrinte ura, pallate, shkolla, rrugë … Ishte e kotë. “S’e ke Orrmalen shko edhe ti ushtar me shokët”, ishte përgjigjja e kapterit. Kështu beu i ri idealist përfundoi në pak muaj nga Vjena në ndonjë malësi të harruar.

Me këtë trashëgimi të punësimit apo “të rekrutimit”, sikurse i thonë sot, na gjeti komunizmi i vërtetë. Ky ishte i çuditshëm edhe në këtë fushë, sikurse në shumë të tjera. Po të ishe komunist, sigurisht që gjeje një vend të mirë pune. Këtë e dinin të gjithë. Pikërisht mu prandaj u bënë komunistë – sikurse thotë Qazim Mulleti me penën e Besim Lubonjës – edhe të rrezikshëm fort biles. Kjo ishte pjesa për punë të mira, por, nga ana tjetër, askush nuk duhej të rrinte pa punë. Madje kush nuk pranonte të punonte në fermë apo në ndonjë punë tjetër të rëndë, cilësohej si “parazit mikroborgjez” dhe shumë herë rrezikonte burgun.

Pra, parahistoria jonë e punësimit deri në 1990 ka qenë bëji qejfin partisë, të pushtetshmit dhe je në rregull. Shumë optimistë besuan para 24 vjetësh se kishte ardhur më në fund koha kur njerëzit do të vlerësoheshin, dhe pra edhe do të punësoheshin, sipas vetive profesionale dhe njerëzore. Por paska qenë një ëndërr e parealizueshme. Sidomos në vitet e para të qeverisjes Berisha vendi u nda në dy kampe të prera me thikë. Në “ne”, pra militantët e PD-së, dhe “ata” pra njerëzit e PS-së. Në punë të merrte partia që fitonte zgjedhjet, kjo bëhej fare hapur, pranohej prej të gjithëve dhe u bë normë. Për këtë duhet të kujtohen mirë njerëzit e PD-së që e kanë kollaj sot të bëjnë kritika. Me ndryshimet që kanë ndodhur në vitet e fundit, me ndryshimin e klasës politike, me zgjedhjet e fituara nga PS-ja, me frymën e re të të bërit politikë, shpresat e vakëta që njeriu do të vlerësohet sipas meritës sikur u rizgjuan ca, mirëpo më kot. Fakti që njerëzit shkojnë në zyrat e partisë për të kërkuar punë si pastrues është një rifreskim i historive të vjetra fort mirë të provuara. Këto ditë plasi vetëm një skandal, por kush e di sa të tilla kanë mbetur pa u denoncuar. Kjo grua nuk ishte dakord, por sa e sa të tjera e kanë aprovuar një gjë të tillë. Sa të tjerë kanë dhënë para në këmbim të vendit të punës? Kjo duhet të shqetësojë krerët e pozitës së sotme dhe jo kritikat e PD-së. Nëse nuk e bëjnë sa më parë një analizë të kësaj pune rrezikojnë të shndërrohen në demagogë, në njerëz që të tjera bëjnë e të tjera thonë.

Kanë ardhur në pushtet pikërisht për të zhdukur këtë plagë të rëndë që rëndom quhet akraballëk politik. Le ta nisin me zhdukjen e idesë se partia e fut në punë njeriun e thjeshtë vetëm se është militant. Le t’ua thonë edhe një herë njerëzve se fakti që ke votuar për partinë fituese nuk do të thotë automatikisht një vend i sigurt pune. Le të na e kujtojnë se zyrat e deputetëve janë zyra për të mbledhur e shënuar mendimet dhe hallet e popullit dhe jo zyra pune ku krekosen disa anonimë të fryrë nën çadrën e me xhepin e deputetit. Le t’ia heqin partisë edhe hijen më të fundit e më të largët të “partisë-shtet”. Le t’i kthejnë shtetit dhe qytetarit dinjitetin e peshën. Vetëm kështu manjakët e të gjitha llojeve do të kenë punë me kronikën e zezë dhe aspak me politikën. Në thelb e gjitha është thjesht punë pastrimi.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama