Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pafuqia

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 10 vite më parë

Fatos Baxhaku
Pafuqia

Ndokush, me shumë të drejtë, mund të mendojë: Eh, ku ka më mirë se të jesh në opozitë! Mendo një vend sikurse e ke ëndërruar të jetë dhe kritiko të tjerët përse nuk e bëjnë të tillë. Ka gjasa që ky qëndrim të jetë, në mos i drejtë, të paktën i mençur. Kush qeveris edhe gabon, është afërmendsh, sidomos në kohët tona në këtë vendin tonë të ngatërruar. Politikisht është pozicioni më komod që mund t’i jepet një force politike dhe figurave të saj qendrore. Madje, në këtë pozicion edhe paguhesh, nganjëherë edhe fort mirë. U shtuan aksidentet? Atëherë mendo atë vendin ideal tëndin pa aksidente dhe kritiko. Ra shi pa pushim dhe u përmbyt Zadrima, atëherë fajin sigurisht që e ka qeveria e sotme, ani pse përmbytej edhe në kohën tënde dhe ka shumë gjasë që të përmbytet edhe kur të vish sërish në pushtet. U shtua droga e trafikuar? Sigurisht që e kanë fajin “këta të sotmit”, ani pse droga rritej e lulëzonte bash e në hundën tënde dikur. Me një fjalë nuk ka pozicion më të qetë, më të rehatshëm e më të volitshëm se sa ky i opozitës së sotme. Në një farë kuptimi qeveritarët e sotëm duhet t’ia kenë zili opozitës. E ku ka më mirë se të hedhësh kritika në erë, duke ua ditur përgjigjen që më parë?!

Pozicioni i sotëm i opozitës është i volitshëm, sepse Shqipëria jonë e ngratë ka plot e plot gjëra për t’u sharë, për të përmirësuar, për të rregulluar, për të zhdukur e kështu me radhë. Mjafton të vësh gishtin mbi një plagë, të thuash se fajin e ka ai tjetri që ke përballë, dhe ja ku jemi në rregull. Pak a shumë kështu duket se mendon opozita e sotme.

Parimisht shtypit, medias së lirë, nuk i takon, si formim, si tendencë, si mënyrë të jetuari, si fillesë origjinale, që në asnjë rast të jetë në anën e pushtetit, pushtetarëve, të puthadorëve, edhe pse kjo, në terrenin tonë, jo gjithnjë është e vërtetë. Shtypit të lirë, nëse ekziston sadopak te ne, i takon të jetë gjithnjë si kaherë në krye të lëvizjes së mendjes së lirë, të asaj që nuk niset nga interesat e vogla të momentit, dhe as nga inatet apo simpatitë personale, porse nga e ardhmja e mbarë dhe e dëlirët, e çliruar nga marrëzitë dhe komplekset mbytëse. Kjo gjë nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh gjithnjë, porsa disa herë edhe ia kemi dalë mbanë.

Pra, parimisht shtypi është dhe duhet të jetë një lloj opozite, me çfarëdo lloj qeverie. Kjo është në natyrën e tij. Mirëpo këtë herë do të bëjmë një përjashtim. Këtë herë nuk do të merremi me gabimet e qeverisjes, të tilla ka plot, qoftë kjo lokale apo qendrore, porse me një pasuri të madhe kombëtare, e cila quhet thjesht e shkoqur: opozitë.

Në votimet e qershorit 2013 u pa qartë se politika që kishte qeverisur – shumë vetë e lidhën atë me emrin Berisha – kishte bërë sa kishte bërë porse kishte ardhur koha për ndryshim. Mirë e bukur, mirëpo ndryshim në qeverisje do të thotë në radhë të parë edhe ndryshim në opozitë! Sikurse kemi thënë edhe herë të tjera, nuk ka demokraci pa opozitë. Nuk është qeveria, nuk është madje as Kushtetuta, nuk janë shout politikë, që bëjnë një demokraci. Në thelb, ky sistem ngjiz aftësinë për të kundërshtuar me argumente dhe me propozime, pra për të qenë kundër në mënyrë dinjitoze. Ne, për fat të mirë nuk po ndërtojmë më lapidarë si ata të qëmotit. Monumenti ynë i lirisë është vetëm një: aftësia e opozitës për të kundërshtuar, vetë ekzistenca e saj, prania e saj fizike. Kjo është shenja e parë e lirisë.

Nëse një qeveri gabon rëndë, aq më mirë për opozitën. Nëpërmjet gabimeve të faktuara të atyre që drejtojnë kjo i ka të gjitha shanset që në zgjedhjet e ardhshme të fitojë zemrat dhe mendjet e miletit dhe të vijë në pushtet me të gjitha meritat. Vetëm se për këtë ka disa kleçka, që opozita e sotme, me sa duket, për fatin tonë të keq, ende nuk i ka mësuar.

Opozita e sotme po bën të njëjtën politikë të rrugës sikurse PS-ja disa vjet më parë. Rezultatet dihen tashmë e nuk ka pse të përmenden ngjarje të përgjakshme. Greva e të larguarve nga puna sigurisht që është e inspiruar prej tyre – autori i këtyre radhëve, në një shkrim tjetër ca ditë më parë, është shprehur pro hallit të grevistëve, por kundër grevës – dje mësuam se ka nisur një grevë tjetër nga një grup ish-të persekutuarish. Këtë herë pamë në TV portrete të tjera nga ata që përfaqësonin këtë shtresë, më të vuajturën e një vendi të supervuajtur.

Në komisionin prestigjioz të mediave u shfaq një “koleg”, Telnis Skuqi, i cili tha se e kanë kërcënuar për vdekje me anë të email-eve dhe sms-ve. Ky pretendoi se është i pari që paskësh kallëzuar në media trafikun e drogës në Lazarat, gjë që nuk është e vërtetë, sepse ai e di fort mirë sepse kolegë e mësues të tij janë rrahur paq dhe janë hedhur në rrugë edhe më parë. Pa i hyrë në detaje personazhit në fjalë, duhet të themi parimisht se sigurisht që kolegu ka nevojë për ndihmë e për solidaritet, se të cilit lloj, atë hajde ta vendosim ne të gjithë si gazetarë apo më mirë më thënë, le ta vendosin në fillim gazetarët e Gjirokastrës, që e njohin me dhëmbë e dhëmballë. Vetëm se opozita e di fort mirë se sikur, ne gazetarët që kemi ngrënë ca dajak në kohën kur ata ishin në pushtet (aspak për punë droge, por dreqi e di se për çfarë) të ishim shfaqur befas të gjithë në sallën e komisionit, mbase do të ishte bërë një katrahurë e madhe. Nuk e kemi bërë, sepse e kemi mirëkuptuar edhe kohën kur na dhanë dru, edhe njerëzit e asokohe dhe të gjithë të tjerat. Mbase e kemi pasur vërtet hak. Këtë merre si ta marrësh. Kështu i tha disa vjet më parë njëri prej nesh Sali Berishës vetë. Kur i kemi hyrë kësaj udhe, edhe këtë e kishim parashikuar, pa bërë aspak heroin ndër komisione. Tani, nëse opozita mendon se do të bëjë hero një gazetar të shkurtuar nga ATSH-ja dhe që boton në “RD”, ka të drejtën e saj ta bëjë, porse kjo është një histori e dëgjuar. E ka bërë “ZP” shumë e shumë kohë më parë dhe aso kohe ne kemi qeshur, sepse s’kishim ç’të bënim tjetër.

Shqipëria, vendi, ne, shqiptarët, majtas a djathtas qofshim, kemi nevojë për një shtet të fortë. Tani, në demokraci kemi nevojë edhe për një opozitë po aq të fortë sa të kontrollojë shtetin, njësoj sikur kemi nevojë për ajrin e pastër. Vetëm se kjo nuk bëhet më me lojëra të ditura, me komplote të sajuara, me personazhe që nuk i përmbajnë dot lotët, me shfrytëzimin e dhembjes së grevistëve dhe të familjeve të tyre. Një opozitë e fortë është ajo që gjeneron ide, ajo që kundërshton dhëmb për dhëmb në tavolinën e diskutimeve dhe jo ajo që ikën sa herë i mbetet hatri për ndonjë fjalë. Një opozitë e fortë do të ishte ajo që do të merrte pjesë në ndarjen e re territoriale të Shqipërisë. Do të ishte në interesin e saj, të votuesve të saj, të dashamirësve të saj, por më shumë në interes të krejt shqiptarëve. Një opozitë, që vazhdon sipas shkollës së vjetër, me akuza, me hamendje, me braktisje të sheshit të betejës, me stisje të heronjve të paqenë, me një mungesë idesh në kryerjen e rolit të saj lapidar, është një opozitë e munguar. Nuk ka pasur dhe nuk do të ketë demokraci të vërtetë në Shqipëri pa një opozitë të mençur, të ndershme, bujare, largpamëse, qoftë kjo nga e PS-së apo nga PD-ja, emrat kanë pak rëndësi. Përndryshe, kjo pafuqia jonë për të bërë opozitë do të thotë njëherazi edhe pafuqi për të bërë demokraci. Po këtë nuk na e ka ënda. Le të presim e të shohim me shpresë se ç’do të ndodhë…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama