Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Terbimi

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 10 vite më parë

Fatos Baxhaku
Terbimi

Kur më 1885, francezi Lui Pastër (1822-1895) shpiku të parën vaksinë kundër tërbimit, nuk kishte as celular, as telefon dhe as internet. E megjithatë, bota e mësoi shumë shpejt lajmin. Fakti që një bari i vogël i kishte mbijetuar kafshimit të një qeni të tërbuar, mori dhenë, njerëzimi u çlirua nga një peshë e madhe. Barinj, vasha, fëmijë, çobanesha, pleq e plaka, të gjithë nuk ua kishin më frikën qenve të egër që skërmiteshin. Kishte të bënte me lirinë, me thelbin e njerëzisë.

 

Tërbimi është një sëmundje e vjetër sa vetë njerëzia. Ai transmetohet me anë të një virusi ndër gjitarët, pra edhe mes nesh njerëzve, nëpërmjet kafshimit apo gërvishtjes. Ky lloj virusi shkakton te gjitarët një gjendje agresiviteti të theksuar me çakërritje sysh e pastaj lot e jargë pa fund. Pas disa javësh, gjitari i prekur jep shpirt.

 

Te njerëzit virusi shkakton një gjendje deliri, që kalon nga e qeshura e hareshme tek e qara më prekëse dhe pastaj tek agresiviteti drithëronjës. Me gëzim të madh mësuam lajmin se në të gjithë rajonin tonë, por sidomos edhe te ne, do të nisë një fushatë e gjerë vaksinimi ndër bagëtitë, po se po, por edhe sensibilizimi për këtë sëmundje të pashoqe, që shfaqet sa herë që gjitarët me emrin njerëz e quajnë të harruar këtë punë. Një iniciativë fort e mbarë. Me të gjitha arsyet për t’u lavdëruar e për t’u nxitur, vetëm se në të mungonte një anë. Me ato që kemi dëgjuar ditët e fundit në betejën e politikës shqiptare, vaksinimi duhej të niste më parë nga gjilpërat, në mos te shumica të paktën, te disa personazhe të politikës shqiptare. Gjërat për së mbari nisen nga kreu dhe jo nga këmbët!

 

Që prej shumë e shumë vjetësh, me shumë respekt, me shumë kujdes, me shumë etikë, me shumë vëmendje, me shumë gjakftohtësi, me shumë mirëkuptim, kemi ndjekur punën e politikanëve në pushtet a në opozitë, si gazetarë, por edhe si qytetarë të thjeshtë, me shpresën se do të vijë një ditë që “burrat e dheut” do ta marrin vërtet në dorë këtë vend, me ndjesinë e mbarë të të kuptuarit të sakrificave të tyre, të idealeve të tyre – të paktën ashtu thoshin – qoftë edhe të ëndrrave të tyre. Rezultati i këtij durimi ishte seanca parlamentare e së enjtes. Aty pamë se cilët jemi dhe se kë kemi vendosur jo vetëm të na drejtojë, por edhe të na japë mend e të bëjë opozitë. Nuk është thjesht punë zhgënjimi. Që të zhgënjehesh duhet të kesh ende fuqi të fshehura optimizmi. Ndjesia që sheh teksa të mëdhenjtë e këtij vendi bëjnë estradë, ndërsa shqiptarët presin punë, rrugë, shkolla, spitale, të ardhme, siguri, dije, art, mendje, buzëqeshje, dashuri është e paemërtueshme. Të thuash trishtim, është pak. Të thuash dështim edhe kjo nuk shkon. Në fund të fundit, kush dështoi, përveç shqiptarëve vetë? Të thuash ofendim? Po edhe me këtë jemi mësuar tashmë… Mbase të frymëzuar nga aksioni antitërbim mund t’ia vëmë emrin tërbim, një shpërthim i paparë urrejtjeje, skërmitjeje, jargavitjeje, deliresh agresive. Një epidemi së cilës i ka ardhur koha të frenohet me anë të vaksinimit.

 

Qeveria, që ka ardhur në fuqi në qershorin e shkuar, ka marrë përsipër një barrë të rëndë. Ajo ka marrë përsipër të ribëjë – Rilindja – Shqipërinë. Slogani i saj është pak a shumë “brezi i ri i Shqipërisë”. Askush nuk e vë në dyshim energjinë, idealin, ndershmërinë e shumë prej njerëzve që kanë marrë mbi supe këtë barrë të pamat, porse vendi ka nevojë për punë, jo aq për debate qesharake parlamentare. Ai ka nevojë për njerëz që, sikurse thoshte Atë Gjergj Fishta, “të jenë ma shumë të të kenës sesa të dukës” (me pak fjalë më shumë të punës se të dukjes). U ka ikur koha ekzibicionizmave, përplasjeve mediatike që harxhojnë nerva, energji, kohë, para. U ka ikur koha hartimeve të shkruara bukur, u ka ikur koha shpjegimeve personale të tipit: Ti që më shave me robt e shtëpisë, hajde te cepi i pallatit të sqarohemi bashkë…

 

Kjo historia e “tërbimit” politik në fakt ka nisur që para se “Rilindja” të vinte në pushtet. Jo vetëm një pjesë e opozitës së atëhershme, por edhe një pjesë e mirë e mediave, krejt të keqen e identifikuan me një njeri të vetëm, gjë e cila përveçse e padrejtë dhe e pandershme nuk ishte as e mençur. Berisha është ai që është, në të mira e në të këqija, fakti që ende ne të shtypit merremi me të, nuk është gjë tjetër veçse shenjë e suksesit të tij të jashtëzakonshëm politik. Rrallëherë ka ndodhur, jo vetëm në Shqipëri, që një njeri të ringrihet nga buza e humnerës dhe të dalë në krye të punëve. Duam apo nuk duam, kjo është një tjetër mesele. Tani ka ndodhur që sa herë që Berisha lëshon ndonjë nga ato të tijat në Parlament, po aq herë krahu tjetër, ku më të dalluarit janë Rama dhe kush e di pse Taulant Balla, i përgjigjen me të njëjtin zell me të njëjtin harxhim forcash, energjish, kohe një njeriu që dynjaja e kishte ndarë mendjen se ishte një deputet gjysmë i dalë në pension. Me këtë qëndrim, në mënyrë paradoksale nuk bëjnë gjë tjetër veçse bëjnë lojën e Berishës, e mbajnë atë gjallë politikisht, në Parlament, por edhe në krye të opozitës. Është pikërisht ajo që Berisha do. Betejat personale, në një vend si ky i yni bëjnë shumë efekt. Është si të shohësh të fortët e lagjes në një duel me grushte. Për një fëmijë – sikurse jemi ne si popull – a ka gjë më eksituese se kaq? Çdo gjë tjetër, argumente, fakte, beja mbi ndershmërinë, logjika, planet për të ardhmen nuk kanë më peshë. Mjafton që në fund njëri ia dhj… tjetrit. Çfarë lehtësimi i madh për fëmijët e lagjes!

 

E thamë edhe më lart, grupi i burrave dhe grave që kanë marrë përsipër të qeverisin ndryshe një vend si ky i yni duhet respektuar në radhë të parë për këtë, vetëm e thjesht për faktin që kanë marrë përsipër të shtyjë përpara një tren që nuk punonte mbi një palë shina të vjedhura. Sigurisht që atyre u duhet lënë kohë të shfaqin efektin e punëve të tyre, por, nga ana tjetër, nëse vazhdojnë të bien në grackën e “ujkut të vjetër”, pak nga pak do të fillojnë të shfaqin të njëjtat shenja me të. Nuk është se e shpikëm ne këtë gjë. E kishte vënë re Pastëri që në 1885. I kafshuari, për shkak të virusit, nis të shfaqë të njëjtat simptoma si kafshonjësi. Dhe këtu duhet një antivirus i fortë. Më së pari ndër mendjet tona, të kafshuar apo të pakafshuar qofshim.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama