Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kaosi urban dhe pranvera që po vonon

Shkruar nga: Artur Zheji  
Botuar më: 10 vite më parë

Artur Zheji
Kaosi urban dhe pranvera që po vonon

Beteja kundër drogës në vetvete është një gjë e mirë dhe e shëndetshme. Madje kronika rrëfen se edhe Dasho e ka kuptuar që Komuna e tij dhe lazaratasit trima duhen shpëtuar, në një mënyrë ose në një tjetër. Shumica ishte gjithë këto ditë në një presion shumë të madh dhe aeroportet ushtarake të lëna djerrë nga tranzicioni, po mbillen me blloqe betoni. Edhe kjo është një gjë e mirë dhe do të thotë se opozita dha një kontribut konstruktiv me denoncimet e saj. Sikur protestat dhe polemikat të mos shtyheshin deri tek objektivi politik i rrëzimit të qeverisë së re Rama-Meta, do të ishte edhe më mirë. Sepse analiza politike arsyeton në kësi rastesh, që kur denoncimet shoqërohen me kërkesa të tilla qeverirrëzonjëse, synimet akuzonjëse të opozitës interpretohen me ose pa dashje, si qëllime të mvarura nga interesat politike. Megjithatë, meqë një teori tjetër thotë dhe vërteton se nuk ka asgjë të përsosur, e lëmë mënjanë këtë ngut dhe këtë neps opozitar dhe le të duartrokasim faktin që trafikut të drogës i është shpallur luftë dhe le ta klasifikojmë këtë si një qasje të mirë dhe të dobishme në kontributet opozitare.

 

Mirëpo edhe ky episod i jetës politike që vijon prej javësh, duket se e kreu ciklin e vet, në mos plotësisht, pothuajse.

 

Dje Kryeministri, pas betejës parlamentare, mbajti një fjalë shpjeguese për dimensionet e kaosit urban në Shqipëri. Për çudi, asnjë nga emisionet politike nuk e përfilli këtë parashtrim thelbësor me të cilin ne përballemi përditë dhe brezat që do të vijnë, do të shtypen dhe do të përdhosen nga ky përçudnim që shkakton kjo armatë vrastare betoni, zaptuese në të gjithë vendin.

 

Fitorja e kësaj ushtrie betoni dhe pushtonjëse trojesh publike, kjo masakër e detit, bregdetit, pyjeve, fushave, lumenjve dhe gjelbërimit falur bujarisht dikur nga dora e Zotit, është një nga armiqtë më të zymtë dhe më të egër të të gjithëve që kanë vendosur të jetojnë në këto troje si shqiptarë. Dhe bën çudi që pakkush ose askush nuk e kthen kokën nga kjo batërdi, që ethet e ndërtimeve pa leje, si dikur ethet e arit në Amerikë dhe Alaskë, ku njerëzit kafshonin njëri-tjetrin më egër se ujqërit gjahun e tyre, është sot një sëmundje vdekjeprurëse. E ambientit, e peizazhit dhe e jetueshmërisë normale.

 

Brezi im e ka përjetuar njëherë këtë pushtim betoni, përmes bunkerizimit të Shqipërisë nga paranoja e degraduar e Enverit, që ndërtoi 300.000 bunkerë dhe i mbolli ato anë e kënd, në bregdet, në qytet, në kodër, fushë dhe male. Në vreshta, në ara, buzë lumenjve, nën tokë dhe mbi tokë.

 

Dhe mbi të gjitha, edhe në mendjet tona, duke i sëmurur ato, sidoqoftë. Mirëpo tani, mbas shkuljes masive dhe shumëvjeçare të këtyre kupolave me beton arme, sëmundja e paranojës zullumqare të sipërmarrjes pa vizion, i ka zëvendësuar me ndërtime të mjerueshme, të shëmtuara dhe grabitqare, gjithkund ku ka një pëllëmbë tokë ‘pa Zot’, qoftë kjo rërë, bregdet, gjelbërim, pyll, fushë, kodrinë e hijshme, e gjelbër apo e zhveshur qoftë.

 

Si një pushtim ogurzi e kafshëror, udhëhequr prej kodeve të një qytetërimi oriental të niveleve më të ulëta dhe më të shpifura. Një palo joqytetërim pra, që nxit dhe lejon urbanizimin masiv me kosto të lirë, me parimin:

 

‘Skllav, ndërto ku të mundesh dhe dhuno natyrën si të mundesh, por mos iu afro pallateve dhe vilave të mija rezidenciale, të shtrenjta, të rrethuara, oaze mirëqenieje dhe gjelbërimi!’

 

Oaze pushteti dhe moskokëçarjeje. Dhe ‘skllavi’ dhe skllavopronarët ruralë kanë ndërtuar duke hedhur andej-këtej si lopa bajgën, mure, betone, shtëpira, shtëpiza, duke ndërtuar shëmtinë tonë kombëtare.

 

Më 23 qershor nuk e kam votuar Edi Ramën, sepse, sëpaku në dy mandatet e tija të fundit në Tiranë, kisha bindjen se e kish bjerrur betejën me betonin në kryeqytet.

 

Dhe ky bilanc, për pritshmërinë që kishim ndaj tij dhe mbështetjen e madhe që i dhamë dikur, ishte zhgënjyes.

 

Porse panorama rrënqethëse që Rama paraqiti si ilustrim ndaj kaosit urban dhe tentakulave të tija në të gjithë territorin shqiptar, është padyshim panorama e parë objektive dhe me dhimbje njerëzore që dëgjoj të artikulohet për këtë kryetemë kombëtare.

 

Dhe nëse ky ligj i ri, por dhe një vullnet politik mbështetës, do ta çonte përpara një trend korrigjues kombëtar, është padyshim një reformë globale e territorit që ia vlen të mbështetet, sigurisht edhe të monitorohet. Siç ia vlente dikur mbështetja pa kushte për vendimin e kushtueshëm politik të Berishës, për autostradën që lidh sot, me gjithë ngërçet e veta, Tiranën me Prishtinën.

 

Nëse reforma territoriale nga njëra anë, reforma arsimore nga ana tjetër dhe legalizimi plus pastrimin e territorit nga ana tjetër, janë të mbështetura në vullnet politik të qartë, kjo është padyshim një kthesë serioze, që ka nevojë për një mbështetje trasversale.

 

Çështja shtrohet, a ka kjo qeveri forcën e duhur dhe portofolin e duhur për ta çuar deri në taban këtë sipërmarrje kaq të kushtueshme?! Financiarisht, në burime njerëzore dhe vende-vende me impakt elektoral të dhimbshëm? Sfida është e madhe dhe do të ishte mëkat që opozita në këto kantiere ristrukturuese me interes kombëtar, të ishte kundërshtare radikale, ndërkohë që oponenca dhe monitorimi i saj do të ishin në favorin e të gjithëve. Dhe në sytë e opinionit publik, më e shpërblyer dhe më e vyer. Sepse edhe beteja e saj politike duhet, herët a vonë, për të mirën e saj dhe të jetës politike në përgjithësi, të braktisë ekstremet dhe të kapë sa më shumë Qendrën, aty ku përqendrohen më së shumti interesat dhe votat e shqiptarëve. Aeroplani i Divjakës, apo shirat e shumta të kësaj pranvere që po vonon të vijë, nuk justifikojnë dot zgjedhjet që shtyhen pafundësisht në PD, sidhe as mungesën e një analize minimale të humbjes së skajshme të pothuajse një viti më parë. Por kjo sidoqoftë, është një çështje e brendshme e kësaj partie.

 

Luksi i rrëzimit të parakohshëm të Qeverisë Rama, është, sëpaku taktikisht i parakohshëm, shpreh bezdinë që opozita ndjen në ndenjëset e reja, më pak magjike se poltronat e pushtetit shumëvjeçar. Nga i cili duket se shpirtërisht nuk ndahet dot.

 

Andaj, si një sugjerim dashamirës do të rekomandoja uljen e toneve radikale dhe vetizoluese dhe ndërtimin e një strategjie të re, drejt Qendrës dhe drejt Paqes.

 

Sepse koha ka treguar që janë terrene më pjellore për një brez të ri politik që duhet të marrë realisht vendimet themelore politike në këtë Parti kaq të vyer si aset kombëtar.

 

Ndërkohë që reformat e nisura kanë nevojë jetike të monitorohen dhe tendencat e devijimeve të mundshme të denoncohen përpara opinionit publik dhe përpara gjithkujt. Sepse ato duhen bërë. Sa më shpejt, sa më mirë, mundësisht me një vullnet sa më transversal.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama