Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Aventurat e këmbës

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 10 vite më parë

Fatos Baxhaku
Aventurat e këmbës

Kjo javë iku, si iku. Një javë e pazakontë fillimmaji me shi në vend të diellit të gjithhershëm, me lule të lagura nga pesha e rrebeshit. Ca nga shiu dhe ca nga gjërat që dëgjuam ditët u bënë edhe më të gri se zakonisht.

Në Librazhd një nënë e re vrau foshnjën e saj, me sa duket për të fshehur një tradhti bashkëshortore. Një gjë ngjethëse për t’u harruar shpejt e shpejt. Por historia e Lezhës ishte se ku ishte! Ajo është sa për të qarë aq edhe për të qeshur. Nuk arriti ta sfidojë historinë e avionëve fantazmë të stërmbushur me drogë, ky do të ishte pretendim i madh, por është gati e sigurt se është nga ato histori që do të rrëfehen më pas gojë më gojë nga eposi popullor.

Çdo gjë nisi teksa ishim duke ecur me makinë në zallamahinë e përditshme të Tiranës. Një nga radiot e besueshme të kryeqytetit po transmetonte lajmet, që zakonisht quhen me titullin lakonik “shkurt nga vendi”. Shpejt e shpejt, mes lajmeve të tjera, folësi nisi të lexonte: Zbulohet se kujt i përkiste këmba e gjetur nga peshkatarët në lumë. Ajo i takon 74-vjeçarit “x,y” nga një fshat i Mirditës. Ne pamë njëri-tjetrin në sy, duke bërë të njëjtën pyetje me mend: Dreq o punë! Na bënë veshët apo çfarë? Zakonisht është një trup pa këmbë që kërkon zgjidhje, një protezë, një patericë, një shkop, një karrocë… Këtë herë duket se ishte krejt e kundërta: Një këmbë po kërkonte të zotin! Ose për të qenë më të saktë, po kërkohej se kujt i kishte humbur këmba. Ne ishim krejt të bindur se të moshuarit kush e di se si i kishte humbur proteza e drunjtë. Por, në edicionin tjetër, që vijoi fill pas të parit, spikeri e thelloi edhe më tej lajmin. Prej të dhënave të tjera që dha ai, ne vetëm mund ta rindërtojmë në imagjinatën tonë se çfarë kishte ndodhur me një këmbë të vërtetë njeriu që endej prej ditësh në ujërat e fushës së Lezhës.

Me sa duket historia duhet të ketë qenë pak a shumë kështu. Një plak mirditor kishe kohë që nuk e kishte mirë këmbën. Ajo kishte nisur t’i merrte një ngjyrë të keqe, njëlloj si një lëvozhgë peme e lagur. Familjarët, me siguri djemtë e tij, duhet të jenë alarmuar. Spitali rajonal që përfshin edhe Mirditën, është në Lezhë. Që prej kohësh ai ka namin e një spitali shumë të mirë me mjekë shumë profesionistë. Pas ekzaminimeve dhe analizave mjekët kanë ngritur supet. “Që t’i shpëtojmë jetën plakut, duhet t’ia presim këmbën. Nuk ka rrugë tjetër”. Sigurisht që është “një bombë” për këdo, imagjinoni kur bëhet fjalë për prindin. Mirditorët, zakonisht njerëz gjakftohtë e të matur, janë tronditur, u janë lutur mjekëve dhe të Shenjtit Shna Ndu, janë zemëruar, kanë kërkuar ndonjë mjet shpëtimi tjetër, por ishte e kotë. Këmba duhej prerë. Dhe kështu ka ndodhur vërtet.

Duket se operacioni ka shkuar normalisht. Plaku do shërohej dhe do shtynte edhe disa kohë të mira, për këtë nuk kishte më dyshim. Por lindi një hall tjetër. Sipas infermierit përgjegjës këmba duhej djegur sikurse digjen të gjitha mbetjet e tjera kirurgjikale, ose sikur duhet të jetë. Por kjo ishte një “bombë” tjetër për familjarët e tronditur. “Të digjet kamba e babs? Në asnji mënyrë. Të parën jua lejum. Këtë të dytën aesi për ç’kët qill e për ç’kët dhe!”. Infermieri ka qenë i pafuqishëm ndaj protestave të familjarëve dhe kështu këmba, tashmë e shkëputur nga i zoti, është mbështjellë në një qese plastike dhe u është dorëzuar familjarëve.

Në këtë pikë edhe fantazia jonë nuk është aq e fuqishme. Nuk është, sepse nuk e dimë se çfarë ndodhi më pas. Këmba e mbështjellë e babait u vendos me respekt në bagazhin e ndonjë makine private? Apo u mbajt në prehër me respektin më të madh? Kush udhëtonte tjetër në makinë? Si ndihesh kur ke me vete jo krejt babanë, por vetëm një pjesë të tij? A kishte fëmijë kuriozë në këtë makinë të çuditshme? Po sikur të kenë udhëtuar me furgon të thjeshtë? A e dinin të tjerët se çfarë malli të kobshëm mbanin pasagjerët afër tyre?

Për këtë pyetje të fundit duhet kërkuar ndjesë e thellë, nuk duam assesi që t’jua prishim këtë paradite të diele, por përgjigjja e saj mbase ka ndryshuar gjithçka në aventurën e këmbës dhe andaj jemi të detyruar ta bëjmë edhe pa ëndjen tonë: Që në shumë raste një këmbë me zot mban erë të keqe, këtë e dimë që prej shumë e shumë kohësh, por a ka erë një këmbë pa zot? Pikërisht këtu, me sa duket, ka nisur të funksionojë sensi praktik i njerëzve, që udhëtonin me këmbën e babait. Befas ata kanë ndryshuar mendje – me sa duket mbakan erë edhe këmbët pa zot – dhe, nuk dihet se si, në unanimitet, duke diskutuar, apo krejtësisht të bindur kanë vendosur ta heqin qafe atë. Rruga më e lehtë i është dukur ta hedhin në lumë. Ajo copëz e babit është përpirë me siguri nga valët e lumit të stërmbushur nga shirat e fundit. Me një këmbëngulje të vërtetë prej këmbe ajo lundroi gjatë. Ditë më vonë peshkatarë të rastit janë llahtarisur kur kanë gjetur një këmbë pa zot. Policia është lajmëruar sakaq dhe kanë nisur hetimet. Dyshimet e para kanë qenë se mos kemi të bëjmë me ndonjë viktimë të sakatuar, por gjithçka është qetësuar pasi nga spitali ka ardhur konfirmimi: Po kemi pasur ne një rast para pak ditësh.

I vetmi njeri që e ka pësuar nga kjo histori e çuditshme dhe makabre njëkohësisht, duket se ka qenë infermieri i turnit, pikërisht ai që ua dha këmbën familjarëve të trishtuar. Radioja njoftoi se ndaj tij do merren masa ndëshkimore, sepse nuk kishte zbatuar rregulloren, sipas së cilës të gjitha mbetjet spitalore duhet të digjen.

Aventurat e këmbës ndodhën në një Shqipëri, e cila aspiron të bëjë reforma të thella modernizuese, mes të cilave ajo e Shëndetësisë është një ndër më kryesoret. Me sa duket reforma më e thellë, më hijerëndë, më e dukshme dhe më afatgjatë, duhet të bëhet ndër trutë tona. Duhet t’i kërkojmë shtetit deri në fund të bëjë mirë detyrat e veta, por assesi nuk duhet të harrojmë edhe t’i kërkojmë vetes, fqinjit, shokut, vëllait se çfarë është duke bërë në një moment deviacioni të marrë.

Thonë se përrallat janë krijim i imagjinatës popullore, kolektive, mbi disa fillesa ngjarjesh, që kanë ndodhur me të vërtetë. Ka shumë gjasë që ndër anët e mbara të Mirditës fisnike, mbas shumë e shumë dekadash, tashmë jo në kullë, por në ndonjë vilë të mirë, ndokush prej nënave t’i drejtohet fëmijës çapkën: Do flesh gjumë ti, apo të ta tregoj atë përrallën me këmbën që lundronte në lumë!? Se mos harrojmë tash në fund. Kërkojmë edhe një herë ndjesë për horrorin me të cilin është veshur kjo aventurë e pazakontë. E vërtetë, nuk është aspak për ditë të diel, por s’kemi ç’bëjmë. Kështu ndodhi…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama