Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Minidoracak i debatit parlamentar

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 10 vite më parë

Fatos Baxhaku
Minidoracak i debatit parlamentar

Në shtator të vitit 1922, pas një sërë shtyrjesh për shkak të situatës së rrezikshme, në Tiranë më në fund rimblidhet Parlamenti. Viti 1922 është nga vitet më të trazuara në historinë e re të Shqipërisë. Në pranverën e këtij viti, grupe kryengritësish të udhëhequra nga Bajram Curri në Veri dhe Elez Isufi në Lindje dhe në Shqipërinë e Mesme tentuan të rrëzojnë qeverinë. Ahmet Zogu, asokohe ministër i Brendshëm, e shtypi me dorë të hekurt revoltën. Dënimet, madje edhe ato kolektive, vazhduan për disa muaj, pa mbledhjen e Parlamentit. Në mesin e shtatorit të 1922, Kryeministri Xhafer Ypi e pa të nevojshme të kërkonte votëbesim në Parlament, ku partia e tij kishte shumicën. Shtypja e kryengritjes kishte ngjallur shumë debate brenda dhe jashtë vendit. Më poshtë po botojmë pjesë nga kjo interpelancë që u zhvillua në dy ditë. Kohët sot kanë ndryshuar. Tani telashet janë të tjera, megjithatë eleganca, edukata elementare, kujdesi deri në detaje në hartimin e fjalimeve, nderi dhe dinjiteti për vete dhe për kundërshtarin, të gjitha këto janë gjëra që nuk para i hasim sot në debatet parlamentare. Imagjinoni një grup burrash, që e dinin fort mirë se nuk i dëgjonte askush nga populli, por edhe nëse do t’i dëgjonte, pakkush do t’i kuptonte, që i drejtohen me elegancë prej kavalierësh të moçëm njëri-tjetrit. Nuk është se duheshin, aspak. Vetëm dy vjet më pas, ata u vranë e u prenë mes njëri-tjetrit. Qëndrimin e tyre politik, në të mirë a në të keq, “Baballarët e Kombit” e organizuan në kushtet e asaj Shqipërie shumë të vështirë, vetëm mbi dinjitetin që të jep emri përfaqësues i popullit. Një shembull për t’u ndjekur edhe pas 88 vjetësh. Në mos për t’u ndjekur, të paktën për t’u lexuar…

 

Procesverbalet e Parlamentit, Tiranë, 13 shtator, ora 14.30

 

Kryeministri Xhafer Ypi: “…Të ndershëm zotërinj deputetë. Është e tepërt të përsëris e t’u them se qeveritë e shteteve të tjera që rrojnë në një jetë konstitucionale, janë gjithnjë nën kontrollin e fuqisë popullore, nën vërejtjen e Parlamentit, d.m.th, të përfaqësuesve të tij. Duke u bazuar mbi këto rregulla, qeveria e pa të domosdoshme të japë shpjegimet e duhura mbi të gjitha sendet që ndodhën në pushimin e Parlamentit, që vazhdoi 6 muaj, në të cilën kohë, ngjanë gjëra e vepra jashtëzakonisht të rënda, si edhe mbi politikën e jashtme e të brendshme të shtetit tonë. Në fund të këtyre shpjegimeve do të kërkoj prej zotërinjve tuaj gjykimin mbi të cilin do të varet besimi a mosbesimi. Pra, sipas detyrës që kam si kryetar i kësaj qeverie, do të jap përgjithësisht disa shpjegime, duke qenë i lirë çdo deputet të bëjë pyetje e kritika që sheh të udhës, si mua ashtu edhe çdo ministri kompetent. Në këtë rast nuk mund të hesht edhe mbi një çështje. Dua të them se çdo njeri që bën një punë, sado me gabime që të jetë, ai vet e sheh të mirë dhe prandaj do të jem shumë i kënaqur t’i marr vesh gabimet që kemi bërë, në është se ka, dhe të mundim t’i ndreqim për këtej e tutje.

 

Kur qeveria mori fuqinë më 24 dhjetor të vitit të kaluar, u shfaq para zotërinjve tuaj me një program. Ky program kishte ca pika, të cilat më të shumtën mundën të realizohen, por në mes tyre ka edhe disa të tjera që s’iu ka ardhur radha ende, ose zbatimi ka qenë jashtë forcës së saj. Pika principale e këtij programi ka qenë sigurimi i qetësisë së vendit dhe këtë pikë, qeveria që ditën e parë, është përpjekur ta vërë në zbatim dhe ia arriti qëllimit. Me gjithë propagandën që është bërë dhe megjithëse kohërat kanë qenë shumë të dëshpëruara, qeveria nuk hoqi dorë nga kjo vepër dhe mundi t’i dalë zot situatës. Efekti i kësaj vepre është mbledhja e më shumë se 40 000 armëve, të cilat sot mund t’i përdorë shteti. Këtë vepër qeveria nuk e shtriu vetëm në Shqipërinë e Sipërme, por në të gjitha prefekturat dhe nënprefekturat e Shqipërisë… Me mbledhjen e armëve, qeveria ka sjellë shumë dobi. E para, ka siguruar lirinë personale, se sikurse e dini, një mot më parë nuk mund të dilje jashtë qytetit nga frika se mos të vrasin në udhë.

 

Sot, njeriu mund të shëtisë nëpër të gjitha malësitë dhe mund të jetë i sigurt se askush nuk do t’i presë udhën; duke i siguruar këtë liri solli jetë sociale ndërmjet shqiptarëve. E dyta, ndaloi gjakderdhjen ndërmjet vëllait me vëllanë, gjë e cila po korrte popullin dhe po rrënonte shtetin. E treta, i solli në vend nderin popullit shqiptar, i cili ishte diskredituar jashtë, ku thuhej se në Shqipëri nuk sheh tjetër veçse njerëz me armë në dorë, duke vrarë shoku-shokun dhe fryti u pa me ardhjen e disa grupeve financiare për të investuar kapitalet e tyre këtu…”.

 

Dita e nesërme, 14 shkurt 1922, ora 14.30

 

Luigj Gurakuqi: “Një njeri që flet përpara një shumice populli a në një sallë universiteti, a në krye të një mitingu, apo brenda në dhomë të Parlamentit, mund t’i caktojë vetes së vet tri qëllime. Njeriu mund të flasë pra, ose për të nxjerrë në shesh vetëm e vetëm të vërtetën, ose për t’u mbushur mendjen njerëzve mbi parimet e së vërtetës që u nxor në shesh, ose, në fund, për t’i bindur të tjerët e për t’i kthyer në mendjen e vet, duke i tërhequr që të ndjekin parimet e vullnetin e tij.

 

Sa për vete, po e them qysh tani, se nuk kam asnjë shpresë që të arrij qëllimin e tretë; do të përpiqem pra, vetëm për dy qëllimet e para, duke u munduar për të nxjerrë në shesh të vërtetën mbi situatën e sotme në Shqipëri, e ta forcoj me prova e dokumente për të mos lënë dyshime mbi të. Në bisedën time do të përpiqem të jem sa më i paanshëm, do të merrem me punë e jo me persona, ashtu si i ka hije një kundërshtari të drejtë e të hapur.

 

Zoti Kryeministër na tha dje, se është gati të presë me gëzim këshilla e kritika, pse kështu do t’i jepet rasti kabinetit që të qortojë gabimet që mund të ketë bërë. Unë e siguroj zotin Kryeministër se nuk do t’ia kursej këshillat dhe, se edhe fjalën kritikë do ta marr në kuptimin e vërtetë të saj, që është peshim e gjykim, jo sharje e qortim; kështu që shpresoj se nuk do t’i duken të rënda edhe ato fjalë të ashpra, që ndofta do të jem i shtrënguar të përdor, për të cilësuar më mirë fakte e ngjarje që do të kem rast për të përmendur…”.

 

Ahmet Zogu, ministër i Brendshëm: “Do të kisha pritur përfundimin e kritikave nëse nuk do të ishte përmendur një çështje nderi, të cilën kjo qeveri e quan pikën e parë të programit të saj. Prandaj dua t’i jap përgjigje zotni Gurakuqit. Qeveria e ka për princip çështjen e nderit, e ka parim, si pikë kryesore të programit të saj, pse, si e dini, dhe e çmoni shumë mirë zotnia juaj, një njeri që nuk ka nder nuk i duhet gjë shtetit, gjithashtu as vetes së vet. Për të ruajtur nderin e shtetit, qeveria ka sakrifikuar edhe disa nëpunës e oficerë të saj, të cilët kanë rënë dëshmorë për të kryer detyrën e për të mbajtur lart nderin e tyre e të popullit. Zoti Gurakuqi, kritikat që bëri, i ndau tre sojesh, por zotnia e tij e ka harrue edhe një të katërt, e cila është kritikë për kritikë, dmth. Me kritikue… se do me kritikue. Zotnia e tij tha se qeveria shkeli nomin e doli jashtë kufijve. I përgjigjem Zotnisë së tij: kur Bajram Curri, komandant i ushtrisë, një njeri i shtetit, i cili e ka për detyrë mbrojtjen e atij shteti karshi armiqve, niset me një fuqi prej 1000-2000 vetash e sillet mbi Shkodër për të kurdisur një qeveri të dytë, mbi atë anë të lumit të Matit, qysh qeveria të zbatojë nome më pak të forta? Në këtë rast dua të kujtoj popullin fisnik të Shkodrës, i cili i dha përgjigjen ashtu si e meritonte… Në këtë pikë, do të them se, po të mos kishte bërë përpara nëpër rrugë e nëpër binarë më pak të rreptë qeveria, si dhe të mos kishte përdorur nome më pak të rënda, nuk do të kishte mundur të shpëtonte Shqipëria. (Duartrokitje). Mos harroni zotnia juaj se ky Parlament ku zotnia juaj po mbani lirisht fjalën, dy muaj më parë ka qenë i barikaduar si një istikam dhe gjithë këto penxhere kanë qenë të mbyllura me tulla…”.

 

Emzot Fan Noli: “Jam i shtrënguar të mbaroj një detyrë të hidhur si deputet, dhe kjo detyrë është të kritikoj e të gjykoj shokët ministra, me të cilët pata nderin të bashkëpunoj për një kohë të shkurtër e të lidh një farë miqësie personale. Por e vërteta është e vërtetë dhe, duhet ta them edhe sikur kjo të mos sjellë asnjë fitim, se po të heshtim, nga anësia e nga hatëri, atëherë s’kemi për të hyrë kurrë në udhë të mirë, e s’kemi për të ndrequr kurrë gabimet që po përsëriten ditë për ditë.

 

…Shkollat tona përfaqësohen vetëm me ndërtesa. Kemi 800 mësues, por nga këta, vetëm 50-60 meritojnë emrin e një mësuesi. Të tjerët mund të jenë të zot të bëhen gjeneralë, ministra, kryeministra, anëtarë të Këshillit të Lartë, por jo të marrin përsipër barrën e rëndë e të shenjtë të rritin brezin e ri, nga i cili presim shpëtimin e Atdheut.

 

Duke lënë këtë ministri, hidhem në ministrinë e Drejtësisë. Për këtë ministri do të përsërit vetëm një frazë që ka thënë një ditë kryetari i Parlamentit: Deri tani s’janë ruajtur kanunet, por mbas sodit kanë për t’u ruajtur.

 

Vijmë tani në ushtri: deri sot kemi dëgjuar të lavdërohen kabinetet, të ngrihen në qiell ministrat, por asnjeri nuk ka thënë një fjalë për të mjerin ushtar shqiptar, se si ka luftuar i zhveshur, i zbathur, i pangrënë, në rasa në të cilat një ushtar europian, jo vetëm që nuk do të luftonte, por do të kishte ngritur krye. Do të vriste oficerin e vet e do të bënte kryengritje. Këtyre ushtarëve që nuk ua dimë emrat, të cilët kanë luftuar me një trimëri sipërnjerëzore dhe e kanë shpëtuar vendin në rasat më kritike të historisë sonë, jam gjithnjë gati t’u nxjerr kapelen me mallëngjim e respekt. Sa për Governën dhe ministrin që kanë pasur mbi kokë më vjen keq që s’kam të them asgjë.

 

Punët publike ndodhen ashtu si i keni lënë. Në keni parë ndonjë ndryshim Zotëria juaj na e thoni, se unë për veten time nuk shoh gjë…”.

 

(Për këtë shkrim u përdorën materiale nga: Opozita dhe Mbreti i ardhshëm i Shqipërisë. Përgatiti botimin Filip Rrumbullaku, Horizont, Tiranë 2008).

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama