Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Korrupsioni si aritmetike

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 10 vite më parë

Fatos Baxhaku
Korrupsioni si aritmetike

Gjithnjë e më shumë, për çdo çast, për çdo orë, për çdo ditë, fjala korrupsion është bërë një nga fjalët më të përdorshme në jetën tonë të përditshme. Nëse thua korrupsion, ndokush mund të përgjigjet sakaq “e drejtë, e drejtë, ai po na e ha shpirtin”. Këta janë ata që lexojnë gazetat e shohin lajmet në tv dhe që i marrin seriozisht ato që thuhen zyrtarisht. Të tjerë përgjigjen “mirë e ke zotëria jote, po si janë nga shtëpia xhanëm?”. Të tjerë akoma tundin supet të habitur, sepse askush nuk ua ka thënë ende që termi modern korrupsion nuk është gjë tjetër veçse ryshfeti, miku, akraballëku, qengji në hell i dhuruar nën dorë, një thes i dikurshëm me patate, një darkë qyl, në dukje krejt e pafalshme…

Korrupsioni është një veti e shoqërive demokratike, është efekt negativ anësor i lirisë. Liria është një medikament dhe si gjithë të tjerat, ka edhe efektet e saj anësore. Përkundrazi, diktaturat, jetë e mot, i duan të tëra për vete. Duke e mbuluar me një veti të fortë kockore dhe morale idenë e njeriut që i shërben vetëm vendit dhe shoqërisë – por duke nënkuptuar njeriu-shërbyes që jep gjithçka për krerët e diktaturës – ato, të gjitha bashkë, qofshin të djathta apo të majta, e kanë zgjidhur me kohë këtë punë: dënime nga më të ashprat për të gjithë ata që përfitojnë nga posti i tyre publik. Ndërsa deklamojnë këtë, diktatorët jetojnë në një luks të matur larg syve të njerëzve. Ata, të paktën, janë të matur në punë të marrëdhënieve me publikun. E kanë një lloj ndjesie të fshehur. Pa e ditur as vetë mbase e ndiejnë që luksi i tyre nuk shkon për shtat deri në fund me varfërinë e turmave që i mbajnë në këmbë.

Korrupsioni nuk është aspak një shpikje shqiptare. Ai është një shpikje e vjetër sa vetë djalli. Ai është aq djallëzor saqë u mbijetoi edhe 50 vjetëve komunizëm. Një bufe dhuratë me dru arre për një vend pune, një sheleg i njomë që regjistrohej si i sëmurë në regjistrat e kooperativës, një fletë kampi me pamje nga deti, një drekë e bollshme qyl në kohë urie, pale pastaj një vend pune me pak lekë në dorë apo një tv me ngjyra… të gjitha këto kanë funksionuar edhe në kohën e terrorit më të madh komunist. Asokohe nuk i thoshin korrupsion. Këtë term e mësuam më së shumti kur Shqipëria u hap drejt botës, drejt Perëndimit. Nga një vend ku paraja nuk kishte asnjë lloj vlere, të gjithë bashkë, të korruptuar e korruptonjës nisëm të kuptonim se gjërat në këtë botë rrotullohen vetëm rreth parasë. Të etur për të, atëherë çfarë ndërtuam? Duke u nisur edhe nga mësuesit tanë të huaj, ndërtuam një vend ku “më biri i kurvës”, ai që në pak kohë grumbullonte më shumë para, ani se shahej, ani se shkonte në prokurori, ani se nuk kishte as kohë, as mendje dhe as zemër ta shijonte malin me para që grumbullohej në thasët e tij, quhej si një vlerë e këtij vendi, madje edhe si zgjidhja e vetme e tij. Çdo gjë tjetër ishte hipokrizi. E keqja nuk ishte më e keqe dhe e mira ishte thjesht një budallallëk i idealistëve që lexonin “shumë libra”, të cilët, në rastin më të mirë, quheshin dhe quhen akoma të paaftë, thjesht të paaftë. Për edukatë, dhe për dashamirësinë që ka nganjëherë i pasuri për të varfrin, u thonë edhe “të paorientuar”.

Tani, në kohën që qeveritë kanë shkuar dhe kanë ardhur, duke e pasur në gji të tyre këtë sistem vlerësimi, kërkohet me të madhe dhe madje bëhet bujë për luftën antikorrupsion. Dikush mburret, dikush shan, dikush bërtet se duhen forcuar ligjet. Të gjithë bëjnë shou dhe të gjithë bëjnë të mirin sa kohë që e dinë se do të dalin në tv apo në gazetë, por ajo ideja se “ai biri i kurvës” është shumë i aftë, bën që të gjitha deklaratat e tjera kundër të duken si deklarime thjesht teatrore apo patetike.

Që të jemi të qartë, e thamë edhe më parë, e themi edhe tani, korrupsioni është një veti njerëzore, bashkudhëtare e lirisë dhe e demokracisë. Ai është aq i vjetër sa edhe vlerësimi për njerëzit që kanë qenë kundër tij. Katoni Plaku (234-149 p.K.) është një ndër njerëzit më të shquar të Romës së lashtë. Politikan, udhëheqës ushtarak, reformator, shkrimtar, ai ishte një ndër njerëzit që u mundua t’i vinte fre korrupsionit të kohës së tij. Asokohe të gjithë të kamurit nuk u morën me ato që thoshte, por me… flokët e tij të kuq. “Kuqi” romak, që çonte një jetë të thjeshtë e të përkorë në fshatin e tij të lindjes, fillimisht përfundoi si objekt barsoletash. Duhej të kalonin shumë shekuj që të kujtoheshin për drejtësinë e tij dhe ligjet që ai i propozoi senatit janë edhe sot e kësaj dite shembuj për studentët e së Drejtës Romake në shkollat juridike të të gjithë botës.

Por le t’i kthehemi vatanit tonë. Deri para pak orësh, para një takimi me një matematikan të ndershëm deri në palcë, ishim të bindur se edhe në Shqipëri duhet të aplikohet një formulë e thjeshtë, më e njohura në të gjithë botën në punë të antikorrupsionit. Kjo formulë, e njohur botërisht, është hartuar nga Robert Klitgaard në veprën e tij bazike “International Cooperation Against Corruption” (Bashkëpunimi Ndërkombëtar kundër Korrupsionit), i botuar më 1997-n, atëherë kur ne kishim halle të tjera për të zgjidhur. Sipas Klitgaard, ndryshe nga ne që kemi idenë ende naive t’i ndajmë njerëzit në të mirë e të këqij, pra në të korruptuar dhe në të pakorruptuar, korrupsioni nuk ka aspak të bëjë me ndjesitë, me ndjenjat apo me prirjet e njërit apo tjetrit. Sipas tij, është thjesht punë llogarie. Sa më shumë të shtohen kushtet ku dikush të përfitojë duke bërë korrupsion apo duke korruptuar, sa më pak risk të ketë për këtë investim, sa më shpejt të vilen frytet e këtij investimi të paligjshëm, aq më shumë njerëzit, qofshin këta të mirë apo të këqij, sipas mënyrës tradicionale, do t’i zgjidhin problemet e tyre, sipas kësaj mënyre, sado që janë ata vetë të parët që e shajnë atë. Formula e tij (anti)korrupsion është: K = M + F – Pgj, ku K është niveli i korrupsionit, M është niveli i monopoleve, pra i grumbullimit të pasurive nga një grup i caktuar, F është fshehtësia e të bërit të gjërave, Pgj është përgjegjësia qytetare, e cila përfshin ashpërsinë e ligjeve antikorrupsion dhe nivelin e zbatimit të tyre, demaskimin e tyre nga mediat dhe, sidomos, qëndrimin moral që ka e gjithë shoqëria ndaj këtyre akteve. Kuptohet qartë se armiku i vetëm i korrupsionit, i vetmi që i heq pikë në këtë ekuacion, është faktori Pgj. Dhe duket se pikërisht këtu çalon ana jonë më e rëndësishme, të paktën ajo që kemi në dorë si qytetarë. Ligjet janë, por ende po zbatohen në nivele shumë të ulëta. Ne të mediave – me ndonjë përjashtim të bujshëm – jemi bërë vetëm zëdhënës të skandaleve që vetë politika shpalos për interes të luftës së saj të brendshme. Sa i takon vlerësimit të përgjithshëm popullor për “birin e aftë të kurvës”, pra për të korruptuar e korruptonjës, kemi mbetur në nivelet e dhjetëra viteve më parë. Ata shihen ende me vlerësim nga një pjesë e mirë e jona. Nëse duam të ndryshojmë diçka, e vetmja zgjidhje mbetet, me sa duket, që t’u kërkojmë ndihmë matematikanëve. Sipas atij matematikanit, që ua përmendëm ca më parë, ajo është përshtatja e formulës së Klitgaard-it në kushtet e Shqipërisë. Dhe, sipas tij, ajo duhet të jetë:

K= M X F : Pgj. Për çdokënd, të cilit i kujtohet qoftë edhe një fije e aritmetikës elementare, atëherë puna është e qartë. Sa më e madhe Pgj, aq më shumë herë i pavlefshëm K, korrupsioni. Bëjmë mirë tua vëmë veshin sa më shumë matematikanëve. Ka ardhur vërtet koha.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama