Pëllumba & kumrie

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 6 vite më parë

Edmond Tupja
Pëllumba & kumrie

Dje, ndërsa dilja buzë rrugës sime për të hedhur plehrat fatkeqe në kazanët po aq fatkeq, në mos më shumë, të plehrave kryeqytetase, vura re që popullsisë së tyre rrëmihëse – varfanjakë dykëmbësh, mace e qen –, i ishte shtuar një specie e re, ajo e pëllumbave; këta të fundit ishin çuditërisht në gri të errët ose gati të zinj, si të ndotur e të lerosur, dhe, me sa pashë, nuk kishin asnjë mosmarrëveshje me speciet e tjera të pranishme në atë gosti të neveritshme. Mungonin vetëm kumritë. Po pse vallë kjo mungesë? Mos vallë ato janë më të ushqyera, më të strehuara, më të lumtura se ato gjallesa mjerane që vërtiten në orbitën e kazanëve të plehrave? Tek vrisja mendjen për të gjetur arsyen e kësaj mungese si dhe të pranisë së pazakontë të atyre pëllumbave në gri të errët apo gati të zinj, më erdhi në kujtesë shprehja "fole, vend pëllumbash" në kuptimin "vend pune i rehatshëm ku paguhesh pa u lodhur thuajse fare".

 

Në çast, kazanët fatkeq të plehrave mu transformuan në zyra administrate shtetërore, ku pëllumbat me ngjyrat në fjalë kishin ardhur për të zënë ndonjë vend të rehatshëm. Pëllumba të zinj. Pëllumba lufte, nëse nuk harrojmë që pëllumbat e bardhë janë simbol i butësisë, i pastërtisë, i bukurisë dhe, veçanërisht, i paqes. Po pse pikërisht në zyrat e administratës shtetërore? Sepse, me shumë gjasë, mu kujtuan lëvizjet e shumta në administratën shtetërore të Republikës sonë të gjorë këto kohët e fundit; mu kujtuan zëvendësimet, në një mori rastesh, e specialistëve të aftë me individë të tipit homo militantus e mitingus në mutacion të përhershëm. Ha, ha, ha! O pëllumba militantus! O pëllumba mitingus! Për ta promovuar me pompozitet mutacionin tuaj, në sulm përpara drejt kazanëve të plehrave, urra! Ti përzëmë qentë e macet!

 

Ti përzëmë varfanjakët dykëmbësh! Nën kushtrimin e Pëllumbit Borizan: ty-ty-ty e tata- ta! Ashtu, po cili na qenka ky Pëllumb Borizan? Faleminderit, zoti Fjalor i Gjuhës Shqipe (Tiranë, 2006) që na shpjegon, në faqen 779, se pëllumbi borizan na qenka një "pëllumb me bisht të gjatë…"! Përpara, pra, pëllumba të racës homo militantus e mitingus në mutacion e sipër, përpara nën kushtrimin kumbues të Pëllumbit Borizan që shpërthen furishëm nga sqepi i tij sqimatar! Edhe në marrshi ndonjë infeksion në trup e, sidomos, në shpirt nga kërkimet, gjurmimet e hulumtimet nëpër kazanët e plehrave, nuk ka asnjë problem: mjekësia falas do tju garantojë pa kapar një shërim të shpejtë e përfundimtar!

 

Lidhur me mungesën e kumrive në kazanët e plehrave, a nuk e ka vënë re lexuesi im i vëmendshëm e kureshtar se ato, modeste si gjithmonë, të buta deri në mallëngjim (a nuk i quan populli ynë edhe guguçe e guguftu?), nuk denjojnë në përgjithësi të përzihen me pëllumbat, qofshin këta edhe të pastër, pra, si mund të shkartisen në veçanti me pëllumbat lerashë të kazanëve fatkeq të plehrave tona kombëtare? Le të shtohet, pra, sa të dojë numri i pëllumbave, sidomos të llojit të lartpërmendur, kumritë do të mbeten gjithmonë shpendi karakteristik më fisnik i Tiranës, pavarësisht pozave të Pëllumbit Borizan. Ato do të vijnë në ballkonin tim çdo stinë. Do të vijnë nga lart, nga çatia, nga qielli dhe aspak nga kazanët fatkeq të plehrave përkarshi, ku varfanjakëve dykëmbësh, maceve e qenve që rrëmijnë atje me durim, u është shtuar një specie e re, ajo e pëllumbave çuditërisht në gri të errët ose gati të zinj, si të ndotur e të lerosur, por arrogantë, që shpalosin paturpshëm makutërinë e tyre mavi.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama