Debat joserioz për rendin

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 6 vite më parë

Skënder Minxhozi
Debat joserioz për rendin

Pakkush do ta kishte imagjinuar se për një çështje kaq publike dhe të dukshme, sa ç’është siguria dhe rendi publik, komisioni i posaçëm parlamentar për largimet në radhët e policisë, do të angazhohej me të gjitha energjitë, patosin e polemikën e mundshme, te një komunikim telefonik i pretenduar mes Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm. Ulja në karrigen e dëshmitarit e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ishte një rast i mirë për opozitën, që të godiste me argumente dhe shifra politikën e qeverisë në fushën e sigurisë dhe rendit. Në vend të kësaj, sherret e parlamentarëve, titujt e mediave dhe kuriozitetin e opinionit publik e përthithi totalisht debati mbi SMS-në “fantazmë” të Edi Ramës për Saimir Tahirin.

 

Llogaria e opozitës, teksa i mëshoi me të gjithë forcën përmbajtjes së atij mesazhi, ku formulohej një kritikë për ministrin, në lidhje me punën e tij, dukej e thjeshtë: “Kur të ka kritikuar kështu edhe Edi Rama, s’ke si të mbrohesh nga akuzat tona, për punën e dobët në krye të rendit”. Kjo qe fabula që PD kishte përgatitur të konsumonte përballë kamerave dhe shtypit të pranishëm. Por, përtej pjesës tjetër të dëshmisë së ministrit Tahiri në komision, pikërisht ky moment i debatueshëm, shënon një pikë të dyshimtë e joserioze, për vetë formën si u paraqit dhe si u tentua të shitej publikisht.

 

Rendi publik ka kaluar një periudhë të vështirë në muajt e fundit. Një epidemi e vërtetë tritoli ka përfshirë vendin, krimi në familje, kontrabanda e narkotikëve, vrasjet për pronën dhe incidentet me gjithfarë shkaqesh e në të gjitha pjesët e vendit, e kanë trazuar dukshëm peizazhin shqiptar. Është e vështirë të thuash se sot jetojmë në një ambient të sigurt dhe përgjegjësia kryesore është gjithmonë tek qeveria.

 

Është gjithashtu normale që një opozitë ta kritikojë qeverinë në këtë aspekt dhe duhet thënë se shumë prej kritikave të saj, kanë qenë dhe janë të bazuara në një realitet që e shohim dhe e jetojmë të gjithë. Pikërisht për këtë shkak, është e tepërt dhe qesharake që opozita ta bazojë luftën e saj politike mbi këto goditje “nën brez”, duke shtuar në fushën e sulmit një goditje me efekt, e cila për më tepër, ashtu siç u servir, nuk shton ndonjë gjë të re në debatin për rendin publik.

 

Nëse ka qenë rasti që ministri Tahiri të vendoset në pozitë të vështirë në komision, i duhej kërkuar llogari për shifrat, për emërimet dhe shkarkimet, e jo për një apo disa mesazhe telefonike të pretenduara mes tij dhe Edi Ramës. Sepse, po ta trajtojmë parimisht dhe në mënyrë të ftohtë atë që pamë e dëgjuam, nuk ka asnjë gram më shumë besueshmëri, në sytë e shqiptarëve, mesazhi i “Edi Ramës” që lexoi Flamur Noka publikisht, ndaj mesazhit “për drejtorët”, që tregoi në celularin e tij ministri Tahiri. Supozim përballë supozimit. Publiku pa dhe dëgjoi dy versione, pa mundur të shohë prova për asnjërin prej tyre. Në këtë aspekt, debati mbetet shterpë, pasi është servirur pa ndonjë provë dhe pa na bindur se është i bazuar mbi të vërteta, e jo mbi trillime. Ky element i pamundësisë për të verifikuar vërtetësinë e fabulës së sherrit, shfryn vetë sherrin.

 

Pa folur pastaj për faktin tjetër, që është edhe më i rëndë e i dyshimtë: ai i marrjes së një informacioni konkret mbi komunikimin konfidencial mes kreut të qeverisë dhe ministrit të tij. Sepse në këtë rast, versioni më i besueshëm mbetet ai i një përgjimi të telefonatave të Ramës e Tahirit, më shumë sesa një qarkullim i SMS-ve të tyre tek persona të tjerë. Ky mund të qe versioni i parë i mundshëm i kësaj historie.

 

Versioni i dytë është ai i rrjedhjes së SMS-ve drejt të tretëve. Noka pretendon se SMS-ja i ka ardhur në rrugë të tërthorta, pra pasi i është dhënë nga njëri prej dyshes Rama-Tahiri, një personi të tretë. Nëse sheh përmbajtjen e mesazhit, paksa e vështirë që ministri Tahiri t’i tregojë dikujt tjetër (kushdo qoftë ai), sesi e ka trajtuar Kryeministri. Një kritikë e tillë e ashpër, si ajo e mesazhit, vështirë se do të dilte nga celulari i ministrit, pasi do të qe diskredituese për të personalisht. Ashtu siç është e vështirë për t’u besuar që Edi Rama të ketë pasur ndonjë interes që t’i tregojë dikujt tjetër, sesi e ka bërë “helaq” ministrin e tij të Brendshëm. Ndërkohë që nuk përjashtohet as versioni i tretë, ai kur të dyja palët kanë luajtur me mesazhe të paqena, për të sugjestionuar njëri-tjetrin dhe për të hedhur në treg versione diversive, me qëllim që mediat dhe opinioni publik të iniciojnë një zhurmnajë (siç po ndodh në fakt), ku në fund fare s’do të merret vesh asgjë e saktë.

 

Poterja që shkaktuan SMS-të e pretenduara në Komisionin hetimor për Rendin, është një tjetër provë sesa sipërfaqësor dhe joserioz është debati politik në Shqipëri. Në vend që të fokusohen te situata konkrete e rendit dhe sigurisë, në vend që të debatojnë për vrasjet, tritolin e hashashin e Lazaratit që ka marrë rrugët, një duzinë përfaqësuesish të lartë të shtetit shqiptar, vendosën të grinden me celularë, si adoleshentët te Blloku. Një shfaqje për të ardhur keq, një spektakël i shëmtuar dhe i padenjë për peshën dhe përmasat e asaj për të cilën ishin mbledhur.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama