Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ëndrra kryeministrore e Genc Pollos

Shkruar nga: Mero Baze  
Botuar më: 16 vite më parë

Mero Baze
Ëndrra kryeministrore e Genc Pollos

Negociatorëve të këtij skenari iu desh të tërhiqeshin në kohë, kur panë efektet që pati shpallja e fitores nga e djathta. Por ëndrra e tij për t’u sjellë si kryeministër kundër pushtetit të PD nuk u shua. I përfshirë në qeveri në një nga vendet më kyçe për politikat e kësaj qeverie, ai ka tre vjet që përdor postin e ministrit të Arsimit për të dëmtuar maksimalisht shumicën në pushtet dhe për të bërë një politikë tërësisht personale dhe korruptive. Bëma e tij më e fundit është përpjekja që të vendosë nën kontroll pavarësinë e universiteteve publike, duke përdorur mekanizma antiligjorë në shenjë hakmarrjeje ndaj votimit të kundërshtarëve të tij si kandidatë për rektorë.

Me një këmbëngulje mizore ndaj atyre që kandiduan dhe fituan kundër vullnetit të tij, ai po përpiqet t’i vendosë ata nën tutelë administrative, duke sajuar projekt vendime qeverie, ku i jepet atij kompetencë të emërojë kancelarët e këtyre universiteteve, nëse nuk i pëlqejnë kandidaturat që zgjedhin vetë universitetet. Më tej akoma, si për ta bërë më të plotë meskinitetin e tij dhe përdorimin vetjak të postit, gjithë kandidatët e humbur në garat për rektorë dhe dekanë i ka mbledhur në Këshillin e Arsimit të Lartë dhe përmes tyre po përpiqet të komandojë të zgjedhurit kundër vullnetit të tij. Ky është detaji më i fundit nga thelbi i politikës së tij personale në arsim këto tre vjet, e cila do t’i kushtojë rëndë shumicës në pushtet. Ky është ministri që do të mbahet mend për instalimin e sistemit të kapjes së shtetit prej mafias së librit në ministri, duke “liberalizuar” përmbajtjen e librave deri në skandale kombëtare dhe duke centralizuar shitjen e tyre deri në njerëz të familjes së tij. Ky është ministri që degradoi maturën shtetërore, duke e kthyer në një reformë jo vetëm të dështuar, por dhe problematike për të dalë prej saj në vitet që vijnë, pasi e përdori atë gjerësisht për të bërë politikë personale me prioritetet ndaj shkollave publike dhe profesionale, duke zhgënjyer thellë një brez të tërë të rinjsh të talentuar. Ky do të mbahet mend si ministri që në emër të liberalizimit të universiteteve ndoqi politikë thellësisht korruptive dhe klienteliste, aq sa ka thyer rekorde në licencimin e tyre dhe prioriteteve selektive që iu ka dhënë për favore direkt financiare. Skandali mafioz me licencat e Infermierisë së Lartë që u vunë si kusht një vit më parë, pasi një universitet privat mori të drejtën që me një trajnim disamujor t’i quante infermieret e mesme me shkollë të lartë, është një skandal i padëgjuar. Kështu, sot, në disa qytete të Shqipërisë, ne kemi kurse, ku paguhen rreth 2500 euro dhe çdo infermiere e mesme quhet e lartë. Kjo licencë i është dhënë vetëm një universiteti privat dhe vetëm pasi u sigurua kërcënimi ligjor për infermieret me shkollë të mesme.

Kjo ka bërë që në disa rrethe të Shqipërisë situata të degradojë tërësisht. P.sh., në një nga këto kurse të famshme të këtij universiteti në Gjirokastër, që merren diploma për shkollë të lartë si infermiere, jep mësim një tipograf i mesëm, vetëm pse për shkak të detyrës partiake si pjesëtar i koalicionit është bërë drejtues spitali. Nga ana tjetër, ky është ministri që persekuton universitetet publike që nuk ka nën kontroll. Universitetin e Shkodrës p.sh., e ka skualifikuar tërësisht, duke e nxjerrë nga skema e Bolonjës, ndërsa disa universitete private i favorizon, edhe pse kanë nivel skandaloz. Muaj më parë, ky ministër ka licencuar një universitet privat, pas të cilit qëndron një grup mafioz i provuar, ndërsa mund të ketë në radhë dhjetëra kërkesa për universitete private serioze që kanë marrë akreditime dhe nga universitete perëndimore. (Po e parasqaroj kryeministrin që nuk kam kërkuar licencë për ndonjë universitet që në analizat e tij të dielave te RD të mos thotë se kam arsye personale). Pra, ky ministër, i cili e ka përdour gjerësisht postin vetëm për interesa personale, thellësisht korruptive, nuk ka drojë të vazhdojë deri në fund luftën e tij personale me të zgjedhurit e rinj të universitetit që u zgjodhën kundër vullnetit të tij. Kjo luftë natyrisht i kushton mbi të gjitha qeverisë. I kushton kryeministrit që nuk ka kujt t’ia shpjegojë më sukseset në arsim. Tre vjet më pas ne kemi një piramidë arsimore korruptive, ku drejtor mund të bëhesh, nëse je kushëri, fis, anëtar partie ose pagator nën dorë i Genc Pollos, ndërsa dhjetëra mësues, mbështetës të PD që as PS nuk i ka hequr nga puna, janë rrugëve dhe të fyer nga ky ministër. Ne kemi një sistem arsimor, i cili mund të prodhojë piramidat më të rrezikshme financiare pas atyre të vitit 1997, pasi shumica e licencave që ai ka dhënë, kanë patur si kriter privilegjet financiare për Genc Pollon. I vetmi bastion që i qëndroi politikës së tij mizore në arsim ishin disa universitete publike si ato të Tiranës, të cilat tashmë po ndeshen me hakmarrjen e tij. Ky fenomen natyrisht që i lartëson më shumë të zgjedhurit e këtyre universiteteve, por e bën të pashpjegueshme dashurinë e kryeministrit për “atë burrë”, që edhe pse ka vetëm një votë në Kuvend, ka çelësat e një ministrie që mund të hedhë në erë çdo pushtet. Taksa ‘Pollo’ për qeverinë ‘Berisha’ është dhe do të jetë edhe më e rëndë me afrimin e zgjedhjeve. Atë që ky njeri Berishës dhe PD nuk ia bëri dot në opozitë, kur u përdor pa mëshirë nga pushteti i atëhershëm kundër tyre, po ua bën tani që po përdor vetë pushtetin e tyre, kundër tyre. Ëndrra e tij për t’u sjellë si kryeministër kundër pushtetit të PD, është më e realizuar se kurrë. Dhe nuk është një ëndërr triditore sa javën e parë të korrikut 2005, por një ëndërr trivjeçare që po bëhet realitet.

 

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama