Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Referendumi.. Shume mire, po kur...

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 16 vite më parë

Mentor Nazarko
Referendumi.. Shume mire, po kur...

Kjo iniciativë është precedenti i parë i një referendumi kombëtar i organizuar nga poshtë, ose nga jashtë institucioneve. Janë organizuar dy referendume të tjera me natyrë kombëtare për miratimin e Kushtetutës, por ideja për mbajtjen e tyre ka ardhur prej shtetit. Ka pasur iniciativa për referendume me bazë lokale, por që kanë dështuar në fazën e legjitimimit të tyre.

Me miratimin e mbajtjes së tij prej strukturave përgjegjëse- Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Gjykatës Kushtetuese, Presidentit të republikës, Shqipëria mund të përfshihet në listën e vendeve që zgjedhin referendumin për të miratuar ndryshime ligjesh të rëndësishme, shfuqizimin e tyre në nivel kombëtar dhe lokal, hartë që përfshin më së pari Zvicrën, por dhe vende fqinje me ne, si Italia, Serbia etj.

Në këtë kuptim, nisma për referendum mund të jetë vërtet tërheqëse si çdo herë e parë. Ajo mund të koagulojë rreth vetes shumë njerëz të cilët nuk identifikohen me partitë e mëdha, që duan në një mënyrë ose tjetër ta shprehin këtë mosidentifikim. Shumë subjekte të vjetra, apo të reja politike, si G99, tentojnë të joshin këtë pjesë të elektoratit që duket shumë e madhe nisur qoftë nga përqindja e atyre që nuk marrin pjesë në votim megjithëse rezidentë në Shqipëri, qoftë nga numri i madh i emigrantëve që nuk marrin pjesë në votim dhe që duhet të marrin pjesë. Jo pa qëllim, këto subjekte, pra dhe ato që mbështesin referendumin, kërkojnë që të përfshihen emigrantët në votime, një kërkesë e ligjshme, por vështirësish e realizueshme në praktikë me një shtet jofunksional në territor dhe jo më jashtë tij si Shqipëria.

Iniciativa për referendum duket se ka një kauzë tërheqëse, element shtesë në favor të iniciatorëve të referendumit. Të kërkosh të shfuqizosh norma kushtetuese që shtojnë fuqinë e Kryeministrit, "kur Kryeministër është Berisha", është sigurisht tërheqëse për një pjesë të madhe të shqiptarëve, që nuk kanë kujtime të mira nga Berisha President. Me shumë gjasa dhe kërkesa që do të shtrohet për referendum nuk do të jetë kërkesa totale: "A jeni dakord me ndryshimet kushtetuese të fundit", por diçka më specifike. Pra ajo që mendohet se ndikon më shumë: pro apo kundër shtimit të pushtetit të Kryeministrit (në përputhje me nenin 126 të ligjit 9087 të vitit 2003).

Nisma e fundit vërtet rrit ndjeshmërinë e publikut për tema të tilla, pavarësisht suksesit të saj. Njerëz që do të mbrojnë idenë e referendumit do të jenë të pranishëm në media, në forume publike nëpër të gjithë Shqipërinë etj., dhe ky është gjithashtu një moment i dobishëm i lëvizjes referendare.

Ndërkohë, megjithëse jo në mënyrën më të mirë të mundshme, në mbrojtje të iniciativës referendare janë vendosur figura mikse: përfaqësues të shoqërisë civile si Zheji apo Stefani dhe krerët e partive të majta, të përjashtuara nga ndryshimet e fundit. Këto dy figura të pozicionuara më parë kundër ndryshimeve janë përfshirë në një ndërmarrje që mund të jetë njëherësh një bast i jetës së tyre: testim popullariteti të fituar nëpërmjet mediave, me shkrimet apo daljet publike, përfshirje e mëpastajme në politikë në rast suksesi etj. Asgjë e qortueshme deri këtu. Por sigurisht nëse në të ashtuquajturin Komitet për Shpëtimin e Kushtetutës do të kishte më shumë figura të tjera të shoqërisë civile, qoftë dhe në mbështetje jo të dukshme si ajo që duket në tryezat apo ballkonet e iniciativës në fjalë, do të ishte akoma më mirë. Jo domosdoshmërish analistë, por intelektualë të spikatur.

Për të gjithë këto arsye lëvizja që synon të bllokojë ndryshimet kushtetuese duket jashtëzakonisht tërheqëse.

Por mbrapa çdo gjëje, ashtu dhe gjërave tërheqëse si kjo e mbrojtjes së Kushtetutës së miratuar me referendum në vitin 1998, ka një "por". Të ngjashëm me bishtin mbrapa të dardhës së ëmbël.

Faktori kohë, apo bishti i dardhës

Partitë që qëndrojnë mbrapa iniciativës së referendumit synojnë sigurisht të fuqizojnë veten elektoralisht nëpërmjet saj. Domethënë rezultatin pozitiv që do të shënonte qindra mijëra vota në favor të thirrjes së tyre, ata do të dëshironin shumë ta paraqisnin atë si dëshmi e serbatorit të votave të tyre në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në qershor 2009, sipas afatit. Ka pasur parti që janë fuqizuar nga referendume siç ka ndodhur në Itali, ashtu siç ka dhe parti që nuk e kanë reflektuar këtë rezultat në fitore elektorale (po shembulli italian). Por që të arrihet kjo, duhet patjetër që referendumi të realizohet para këtyre zgjedhjeve. Më saktë, 6 muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit ekzistues, sipas nenit 119, paragrafi 2, të ligjit 9087, pavarësisht nëse ky referendum konsiderohet si kushtetues, apo i përgjithshëm.

Le të mbesim në faktorin kohë. Që të mund të realizohet kjo, do të duhet që KQZ të shprehet brenda 20 ditësh për kërkesën dhe të pajisë me fletë votimi iniciatorët; duhet të zhvillohet mbledhja e firmave sa më shpejt të jetë e mundur. KQZ ka të drejtë që brenda 90 ditësh të shqyrtojë firmat; pastaj brenda 15 ditësh mund të shqyrtojë parregullsitë në firma. Do të duhen dhe potencialisht dhe 60 ditë të tjera në dispozicion të Gjykatës Kushtetuese për të verifikuar kërkesën e KQZ. Duhet kohë shtesë për Presidentin që do të shpallë ditën e votimit (pas sa ditësh?). Duhen 30 ditë për fushatë. (shiko nenet nga 126 deri në 131 në ligjin në fjalë). Gjithsej nja 215 ditë, pra 7 muaj.

Referendumi mund të bllokohet nëse ndonjë prej hallkave të përmendura më sipër vonon procesin për ta kaluar atë përtej afatit 6-mujor. Në një rast të tillë, referendumi mund të shtyhej, pas zgjedhjeve, duke qenë jo shumë i dobishëm për organizatorët.

Kështu duket se dëshirojnë kundërshtarët e referendumit, përfaqësuesit e partive të mëdha, kryesisht ata të PS, që po rreken të provojnë se ky referendum nuk do të pranohet të zhvillohet para 6 muajve që paraprijnë zgjedhjet e rregullta. Dhe me siguri nëse procesi referendar do të vihet në lëvizje, ata do të përpiqen ta bllokojnë për ta shtyrë pas zgjedhjeve. Do të duhet të ndikojnë në KQZ, në Gjykatën Kushtetuese, apo dhe Presidentin e republikës. Deri më tash po tregojnë një farë alarmi.

Kështu që beteja për referendumin do të shndërrohet në betejë për kohën e mbajtjes së tij. Dhe brenda saj, mund të kemi surpriza.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama