A ka ndonjeri mik ne jemen?

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 8 vite më parë

Fatos Baxhaku
A ka ndonjeri mik ne jemen?

Në telefonin e studios së mëngjesit në “Top Channel”, zëri i kapedanit të detit, Arif Bakillari, vjen i plotë, njësoj sikur të mos jetë i burgosur me mijëra kilometra larg në brigjet e Oqeanit Indian. I zënë në grackë nga një lojë ku e ku më e madhe se sa ai dhe njerëzit e tij, në dialog me Eno Popin nuk shan njeri, madje duket sikur kërkon ndjesë që historia e tij dhe e dy marinarëve të tjerë ndodhi pikërisht në kohën kur qeveria ka halle edhe më të mëdha! Vetëm se ndihet i harruar. Jemi shqiptarë njësoj si ju – thotë – ku është shteti që duhet të na mbrojë? Bashkë me dy shokë shqiptarë prej shumë kohësh është i burgosur për “trafik armësh në favor të terrorizmit ndërkombëtar” në një burg të Jemenit. Anija që drejtonte, “Eos”, me pronar grek, është plaçkitur nga autoritetet. Fati i tyre i mëtejshëm nuk dihet. Para disa ditësh, një dekret i Presidentit vendas i ka çliruar nga akuza për favorizim të konceptit absurd “terrorizëm ndërkombëtar”, porse ata vazhdojnë të mbahen në burg. Kolegët e tjerë marinarë, grekë e indianë, kanë kohë që kanë mbërritur në shtëpi. Marinarët tanë, të mallkuar nga fati i keq, të harruar e të zhgënjyer, vazhdojnë t’u bien më kot telefonave. Asnjë përfaqësues i shtetit të tyre nuk u është dukur në derë që prej shumë kohësh. Biseda mes kapedanit dhe gazetarit mbaron shpejt. Edhe Eno, me portret të pafuqishëm e me shpatulla të rëna, duket në hall. I premton diçka në lidhje me rolin e shtypit e pastaj e “kthen faqen e emisionit” dhe kalon te hapësirat e gjelbra, te fukarenjtë e shumtë, te rregullat e qarkullimit me makinë… Kapedani me siguri është kthyer në qelinë e tij të vaposur duke bërë të vetmen gjë që i ka mbetur: t’i lutet Zotit. “Ju faleminderit që kujtoheni. Uroj që ta pimë një kafe sa më shpejt në Tiranë”, thotë me optimizëm.

Kapedan Arifi dhe shokët e tij mbase nuk e dinë se – dhe ndoshta kjo as nuk ua lehtëson aspak hallin e madh – ka qenë pikërisht një shqiptar, Valiu i Egjiptit Sinan Pasha, i cili përgjatë viteve 1569-1571 sundoi me dorë të hekurt këto fise shiite kryeneçe, gjithnjë xheloze për lirinë e tyre. Po ndër ato shkrepa të shkreta, të thara nga dielli përvëlues, ka luftuar më 1669 edhe Veziri i Madh shqiptar, Ahmet Pashë Qypryliu. Nga fundi i shekullit XIX e fillimi i atij XX, me mijëra nizamë shqiptarë lanë eshtrat në Jemen. Atëherë pat lindur edhe kënga popullore: Hiç s’po dim, nanë, kah po na çojnë/ Për Jemen, nano, do t’na fillojnë/ Xhezvja n’zall-o atje do t’vlojnë/ Nans e babs mos t’i kallzojnë/ Se janë pleq e s’un qëndrojnë… Asokohe Jemeni mbase ishte varreza më e madhe shqiptare në faqe të globit. Më 1905-n në Jemen shpërtheu një kryengritje shumë e fortë antiosmane. Pjesa më e madhe e ushtarëve, që duhej të përballeshin me kryengritësit, ishin shqiptarë. Të nxitur edhe nga propaganda e patriotëve të “Dritës”, një pjesë e mirë e tyre u bashkuan me kryengritësit vendas. Më 1911 jemenasit arritën të fitojnë autonominë prej Portës së Lartë. Kjo ishte edhe meritë e refuzimit të dhjetëra mijëra redifëve nga Gjilani e Shkupi dhe viseve të tjera shqiptare për të shkuar atje.

Në kohë moderne, veç rastit të kapedan Bakillarit, pat bërë shumë zhurmë në media një histori tjetër shqiptare. Në pranverën e 1977-s, Mbreti Leka I u nis për një “shërbim pune” në Tailandë. Kishte me vete, si shumë herë të tjera, një arsenal armësh të rënda e të lehta. Për disa kohë u end në xhungël, i shoqëruar nga një princ vendas. Interesi i tij ishin taktikat dhe teknikat e luftës guerile, me të cilat specialët tajlandezë porsa kishin nisur të familjarizoheshin. Ai ende e ushqente shpresën se regjimi i Enver Hoxhës mund të rrëzohej me metoda guerilase. Deri këtu çdo gjë në rregull, të paktën për Leka Zogun, porse dikush në Tailandën e brejtur nga spiunazhet e huaja dhe nga kontradiktat e thella politike, nuk e mendonte bash ashtu. Vetëm pak kohë pas kthimit nga xhungla, Leka Zogu dhe një ushtarak tajlandez, kapiteni Khemuong Mengrai, u arrestuan. Armët e tyre të sofistikuara u sekuestruan dhe lajmi bëri xhiron e botës. Një mbret europian në mërgim, i akuzuar për trafik armësh në Azi!? Për fat, asokohe ishte ende në jetë Mbretëresha Geraldinë me lidhjet e saj të shumta që nga Mbreti Huan Karlos e deri te guvernatori asokohe i Kalifornisë, Donald Regan. Telefonat nuk pushuan, ndërhyrjet që nga emirët sauditë e deri tek ambasadorët e monarkive më kryesore të Europës i shtrënguan tajlandezët që brenda pak ditësh të nxirrnin nga burgu Lekën dhe mikun e tij tajlandez Mengrai. Një monarki, e vetmuar, e brishtë dhe jetëshkurtër, e luftuar, e përgjuar dhe e kërcënuar, vazhdimisht në lëvizje, arriti që të imponohej jo vetëm me anë të lidhjeve të saj, por, dhe sidomos, falë krenarisë dhe dinjitetit të saj.

Sigurisht që bëhej fjalë për një mbret dhe jo për tre marinarë të thjeshtë, porse pikërisht këtu nis thelbi i problemit. Shteti i sotëm shqiptar e ka për detyrë të jetë jo vetëm shërbëtor, por edhe mbrojtës i cilitdo shtetas të tij kudo që të jetë, qoftë ky princ a mbret apo fshatar i thjeshtë, miss apo grua e zakonshme, bari apo intelektual i njohur. Është kështu dhe pikë. Të paktën në letër dhe të paktën për këtë kanë premtuar ata që populli i ka deleguar në krye të vendit.

Fare afër nesh, një Itali e lodhur, në gjunjë nga kriza ekonomike dhe nga telashet e brendshme politike, i harroi të gjitha dhe u mor si një e vetme me dy oficerë italianë që akuzoheshin për vrasje në Indi. Shembulli ynë? Harresa, indiferenca, shpërfillja, mungesa e përgatitjeve për të përballuar edhe ngjarje të tilla në kohë, kur bota sa vjen e bëhet më e vogël, mosrespekti për individin e thjeshtë, kjo është përgjigjja jonë e trishtë.

Njerëzit e ministrit Bushati duhet të dalin menjëherë në publik dhe të raportojnë përpjekjet që kanë bërë, versionin zyrtar të ngjarjes, kushtet në të cilat ndodhen njerëzit tanë dhe të kërkojnë drejtësi. As më shumë e as më pak. Hapi i parë duhet të jetë kontakti me marinarët tanë në Jemen. Nuk është aq larg sa duket. Nëse e bëjnë këtë sa më parë atëherë, jo vetëm tre marinarët tanë, por të gjithë ne do të kemi ndjesinë e të mosqenët të harruar, e të qenët pjesë e një komuniteti, i cili edhe mbrohet. Do të na bëjnë krenarë me pasaportën tonë. Nuk do ta ndiejmë më veten si përherë, grimca rëre në universin e të mëdhenjve të pushtetshëm të parasë. Në të kundërt, atëherë për familjet e marinarëve, si edhe për ne të gjithë, nuk ka mbetur gjë tjetër veçse të organizohemi me parullën: O shoku, a njeh ndonjërin në Jemen? Po kjo, jashtë shakave, do të ishte, veç të tjerash edhe një turp i madh. Dhe si çdo turp, edhe një zhgënjim fort i madh.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama