Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Vallja e Shqipeve

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 11 vite më parë

Fatos Baxhaku
Vallja e Shqipeve

Në momente kthesash të forta të vendeve apo kombeve rikthehet shpesh një sëmundje e vjetër sa njerëzimi. Atë mund ta quajmë fare mirë “korruptim i qëllimeve fisnike”. Në këtë rast termi “korruptim” nuk paraqet domosdoshmërish korrupsionin si të tillë, atë që jep e merr para nën dorë, me të cilin tashmë jemi familjarizuar. Më shumë korruptimi i qëllimeve fisnike është një largim, një zvjerdhje e idealeve, për të cilat një lider, një politikan apo edhe një militant i thjeshtë idealist ishte nisur që herët në karrierën e tij politike. Me pak fjalë është një helm që mund ta kaplojë njeriun pa e kuptuar as vetë ai se çfarë mekanizmi po luhet në kokën e tij teksa e ka mbërthyer formalizmi i përditshëm. Pse ndodh kjo, këtë mund ta shpjegojnë më gjerë e më gjatë psikologë e sociologë. Një gazetë nuk është assesi vendi i duhur për t’u marrë me këtë punë. Ato që do të na interesonin më shumë, si njerëz të thjeshtë të miletit që jemi, janë pasojat e kësaj zvjerdhjeje, që hera-herës jo vetëm merr forma të shëmtuara, por edhe të dëmshme. Kjo sëmundje e politikës është edhe ngjitëse. Ajo nuk njeh krahë, majtas apo djathtas. Nuk njeh krahina, as moshë dhe as seks. Ajo është e pamëshirshme dhe ka gjasë që të mposhtë edhe karakterin më të paepur. Në kushte të caktuara, atëherë kur e lejon ambienti në të cilin zhvillohet, kjo sëmundje përhapet aq shumë, saqë kundërshtarë që u kanë takuar palëve kundërshtare, nisin t’i ngjajnë njëri-tjetrit aq shumë sa dy bashkëshortë i ngjajnë njëri-tjetrit pas 50 vjetësh martesë, qoftë kjo edhe e palumtur.

Me shpirt duhet uruar që këto radhë të jenë krejtësisht të gabuara, porse frika jonë është e madhe. Frika konsiston në atë që shenjat e para të këtij virusi kanë përfshirë plot njerëz të të dy kampeve tona kryesore politike. Le ta nisim që nga terminologjia e përdorur. Le të mos merremi shumë me terma të tillë si hajdut, mashtrues apo edhe ndonjë tjetër më të rëndë, sepse këto nuk i shkojnë për shtat as edhe një nxënësi arrakat shkolle. Le të merremi me një term luftarak që të dy palët e kanë fort për zemër: beteja! Vetëm sa shqiptohet kjo fjalë dhe befas parlamentin mund ta përfytyrojmë si një repart marinsash të veshur me rrobe kamuflazhi. Politika është garë, e ashpër, e vështirë, dërrmuese edhe kur fiton, por ama është garë dhe asgjë më luftarake se kaq. Ç’hyn fjalori ushtarak në debatin politik? Ja një nga shenjat e para klinike të “korruptimit të qëllimeve fisnike” (KQF).

Më pas, një shenjë tjetër e KQF është edhe përdorimi i mjeteve të cilat ti vetë dikur, jo shumë kohë më parë, i ke kritikuar me të madhe. PS dhe aleatët e saj në opozitë s’e kishin për gjë të bojkotonin ligje e reforma me qëllimin e vetëm që të dëmtonin sa të mundeshin qeverisjen Berisha. Të njëjtën gjë, pra pikërisht atë të sharën me të madhe dikur, ka nisur ta përdorë opozita e sotme. Ngritja e vrullshme nga karrigia, përplasja e dyerve, portreti që shpreh gjithnjë një shqetësim të madh (njësoj sikur të dojë të thotë jemi apo nuk jemi në mes të një beteje të ashpër?), të kundërshtuarit për çdo gjë, edhe për gjëra për të cilat thellë-thellë je dakord, ja disa nga shenjat e tjera klinike të KQF.

Sikurse thamë ca më lart, kjo sëmundje e politikës nuk pyet shumë nëse je në qeveri apo në opozitë. Shenja të saj janë parë edhe në qeverisje. Kur ndonjë punë nuk shkon mbarë atëherë përfaqësues të qeverisë menjëherë akuzojnë opozitën. Edhe për probleme të trashëguara që prej dekadash, edhe për plane që ndodhin jashtë kufijve tanë, sikurse është rasti i devijimit të Radikës, në çdo rast këto janë “akuza pa bazë të stisura nga opozita”. Në qeveri duhet ta dinë mirë se njësoj si në jetë edhe në zyrat e tyre jo çdo gjë do të shkojë mbroth. E ka thënë Mërfi me kohë e me vaft: Kur një gjë ka vendosur të shkojë ters, atëherë ajo do të shkojë ters me se s’bën! Qoftë për faj të tyre, qoftë për tersin e mallkuar, qoftë se kështu është shkruar, do të ketë gjithnjë një apo më shumë gjëra, për të cilat nuk ka se si ta ketë gjithnjë fajin opozita e aq më shumë të sajojë të paqena.

Është bërë zakon që njësoj sikurse opozita kundërshton gati për gjithçka edhe pozita duhet të japë përgjigje për të njëjtat gjëra. Duket sikur puna e vetme e politikës është gara e fjalëve dhe e deklaratave, në një kohë që shumë prej tyre janë ministra, drejtorë, këshilltarë, zyrtarë, anëtarë komisionesh, hartues ligjesh e reformash, drejtues njerëzish, puna e parë e të cilëve janë punët dhe jo llogjet. Kthimi i deklaratave në një qëllim në vetvete do t’ua zvjerdhë qëllimet e mira që shumë prej tyre kanë pasur e kanë ndër mend dhe do t’i hedhin ata pak nga pak në krahët tundues e vrastarë të KQF.

Në mos e paçim krejt gabim, pra nëse shenja të KQF kanë nisur vërtet të bëhen evidente, assesi nuk është vendi për panik. Ne kemi një klasë politike kryesisht të re dhe i riu, përveç se është “si Veriu”, ka, mënjanë forcës dhe qëndrueshmërisë, edhe kohën e duhur për të ndrequr gjërat. Në gjirin e politikës ka ende disa të sëmurë pa shpresë me KQF, por duhet pasur më shumë besim te koha dhe te mrekullitë që bën ajo. Antivirusi ndaj KQF nuk është gjë tjetër veçse puna. Vetëm puna e ndershme e shëndosh jo vetëm sistemin tonë politik, por edhe krejt shoqërinë. Në rast të kundërt, në qiellin tonë politik, do të kemi vetëm dy shqiponja që sillen vërdallë rreth njëra-tjetrës, duke u kanosur me klithma të mprehta. Duhet bërë kujdes i madh. A nuk është “Vallja e shqipeve” kërcimi ynë më tradicional kombëtar?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama